LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Çfarë del nga çiftimi i “vullnetarëve” të Enverit me 99-çat?

24 Janar 2024, 11:33, Editorial REDAKSIONALE
Çfarë del nga çiftimi i “vullnetarëve”
Fotomontazh - Enver Hoxha, Fatmir Xhafaj, Ermonela Felaj, Toni Gogu, Klotilda Bushka, Plarent Ndreca

Javën e fundit CNA zbuloi skemën e mazhorancës për të krijuar një komision “Ad-Hoc” për të kontrolluar institucionet e pavarura kushtetuese, ku kuptohet themeli është te SPAK-u, i cili po vazhdon hetime të thelluara për shumë skandale në lidhje me qeverinë, ministrat e saj dhe zyrtarë të lartë.

Në fakt, skema u duk qartë. U tha nga Lindita Nikolla, u thellua nga Bledi Çuçi, u pranua nga Eduart Shalsi, u mohua nga Elisa Spiropali e kështu me radhë.

Fatmir Xhafaj, enveristi që “sabotoi” Reformën në Drejtësi

Çfarë del nga çiftimi i “vullnetarëve”
Fatmir Xhafaj dhe Enver Hoxha

Në krye të skemës qëndron Fatmir Xhafaj, njeriu i cili pretendon se ka bërë Reformë në Drejtësi, një amalgamë të rrëmujshme, ku më shumë sesa ndërtimi i një sistemi drejtësie të pakapur dhe të ndershëm, reforma më shumë shërbeu si një instrument për të kontrolluar drejtësinë, për të bërë vetting me standarde të dyfishta e kështu me radhë.

Tashmë ndërkombëtarët këtë e pranojnë në konfidencë, por askush nuk del hapur. Janë të bindur se pas Reformës në Drejtësi ka pasur edhe thika pas shpine, ka pasur ndryshime, sidomos ndërhyrjet në ligj që u bënë nga ana e mazhorancës.

Kjo solli që në betejën me opozitën shumica e socialistëve të merrnin kontrollin e Reformës në Drejtësi dhe të nxirrnin këtë produkt që kemi sot, ku në fakt një pjesë individësh me integritet përpiqen të jenë profesionistë brenda sistemit, por në fakt, më shumë sesa një sistem të ri të reformuar drejtësie, kemi disa individë dhe jo një drejtësi të pakapur dhe të barabartë për të gjithë.

Bashkimi i enveristit të parafundit dhe 99-çave

Për të kontrolluar dhe këta profesionistë që kanë mundur të jenë jashtë intrigave politike apo kanë mbështetje të fortë ndërkombëtare, mazhoranca ka shpikur një komision “Ad-Hoc” të drejtuar nga njëri prej “vullnetarëve” të Enver Hoxhës, Fatmir Xhafaj, apo enveristi i parafundit, siç quhet, i cili do të shoqërohet nga një grup 99-çash, Plarent Ndreca, Ermonela Felaj, Klotilda Bushka dhe Toni Gogu. Ata do të kontrollojnë SPAK-un dhe institucionet e pavarura.

Tani pyetja që lind është se çfarë mund të pjellë çiftimi i “vullnetarëve” të Enverit me 99-çat?

Barku i madh i Partisë Socialiste ka mbajtur edhe fenomene si Rilindës, 99-ça, enveristë e shumë të tjerë, por ende nuk është parë një produkt final, një pjellë e 99-çave me “vullnetarët” e Enverit.

Çfarë del nga çiftimi i “vullnetarëve”
Selia e Partisë Socialiste

Bëmat e Rilindjes dhe pjella e “vullnetarit” të Enverit me 99-çat

Që kemi një qeverisje dhe pushtet me një mijë e një bëma dhe gjëma kjo i faturohet Rilindjes, jo aksesorëve të saj si “vullnetarët” e Enverit dhe 99-çat.

Ata janë pjesë e tyre, kanë kontributin e tyre në qeverisjen “spektakolare” të Shqipërisë, por ende nuk kemi parë se çfarë mund të jetë këlyshi që do të nxjerrë çiftimi i 99-çave me “vullnetarët” e Enverit.

Ka mjaft kuriozitet për ta parë, kjo jo vetëm në lidhje me Reformën në Drejtësi që u bë nga një enverist dhe më pas u kap nga Rilindja, por me këto komisionet “Ad-Hoc” që duan të marrin pushkën dhe të qëllojnë ndërkombëtarët, vendet aleate, të cilat financuan qindra mijëra euro për Reformën në Drejtësi që ta kapte Fatmir Xhafaj dhe tani ta përçudnojnë 99-çat e Rilindjes./ CNA

Lajmet e fundit nga