LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

PD e Doktorit si kioska e Lulit?

25 Shtator 2022, 13:29, Politikë CNA
PD e Doktorit si kioska e Lulit?
Foto ilustruese

Partia Demokratike e doktor Berishës, me gjithë shpresën që ngjalli dhe forcën që i dha Foltorja, duket se po e kap rutina dhe po kthehet me apo pa dashje si partia e Lulit, apo më keq akoma. Për këtë do të renditim më poshtë disa fakte për të mos ua lënë fjalëve dhe perceptimeve personale.

Patjetër që është më ndryshe se partia e Lulit, ndoshta nuk ka kunetër që vënë gjoba, por që ka pazare dhe skema të cilat po i lodhin njerëzit dhe po tregojnë se Partia Demokratike e Doktorit po ngjason me kioskën e Lulit, dhënë me qira nga vetë Berisha, tashmë nuk ka dyshime.

Por le të renditim faktet.

Së pari, u tha gjatë Foltores se PD do të bënte një hapje të madhe. Hapja do të ishte e pakufijshme me vlera, kontribute e të tjera si këto. Deri tani nuk shihet ndonjë hapje.

PD e Doktorit si kioska e Lulit?
Pamje nga takimet e Berishës

Çfarë do të thotë hapje?

Hapje do të thotë intelektualë, studentë, të rinj, të hyjnë, të kontribuojnë, të jenë pjesë e strukturave dhe të marrin përgjegjësi, “të hidhen në det”, për t'u provuar në politikë e të tjera si këto. Por ende jemi te të njëjtët emra që kishte dhe Luli. Nuk ka ndryshuar asgjë, Spaho, Paloka, Balliu, Grida Duma, Albana Vokshi, Mul Noka, i cili është bërë udhëheqës i madh, laj thaj sytë nga teli.

PD e Doktorit si kioska e Lulit?

Pra nuk duket hapje dhe ndonjë qarkullim elite, me kontribute dhe vlera. Ata që rrinin pas Lulit po rrinë pas Doktorit. U fol për bashkim. PD-ja do të bëhet më e madhe dhe e bashkuar. Në fakt, është më e përçarë në bazë ndoshta shumica e saj është me Berishën, kjo është e padiskutueshme, por një pjesë janë ende me Lulzim Bashën. Ka të tjerë që janë të pakënaqur dhe nuk donin që Berisha të ishte në krye të PD-së, apo ku shohin tani se nuk ka asgjë në elitën e partisë, por thjesht dhe vetëm disa qarkullime figurash, vështirë që dikush t'u besojë.

Nuk ka një bashkim as lart, sepse një linjë është doktori, është linja e Lulzim Bashës dhe një linjë e tretë përfaqësuar nga Duma-Salianji, të cilët duan të luajnë si ndërmjetës së bashku me Jorida Tabakun që e quan veten zgjedhja e amerikanëve dhe e ardhmja për në krye të PD-së.

PD e Doktorit si kioska e Lulit?
Foto ilustruese

Pra nuk kemi as hapje, nuk kemi as bashkim. Më tej, në PD-në e sotme të Saliut, ka një lloj qasje të njëjtë me atë të Lulzim Bashës. Denoncimet janë selektive, në lidhje me bzinesmenët, në lidhje me gjithçka ndodh në aktivitetet e përditshme politike dhe sulmeve ndaj qeverisë. Flitet një ditë për një biznesmen në lidhje me një kontratë koncensionare, dhe nuk flitet për 10 vendimet e tjera, të njëjtat koncensionare që ka dhënë atë ditë qeveria. Flitet për një person, të tjerët lihen.

Janë oborrtarë, është selektive. Ose të gjithë vendosen në rresht dhe të flitet e vërteta, ose mënyra zgjidh një dhe lër një do të thotë, ose po i vë gjobë, ose po përzgjedh midis miqve dhe armiqve. Vendimet e qeverisë për koncensionet dhe kontratat janë një. S’mund të jetë një i mirë dhe një i keq. Këtu kemi selektivitet dhe kështu bënte edhe Lulzim Basha kur ishte kunati. Tani kush e ka zëvendësuar kunatin e shokut Xhemal, pritet ta shohim ditë pas dite.

Karriera në PD

Ata që bënë karrierë në PD-në e Lulzim Bashës dihen. Anonimi është pavlerë,por ndonjë tek-tuk edhe ndonjë kontribut mori dhe u gradua sepse i lëpihej Lulit. Tani për të parë se cila është karriera në partinë e Saliut mjafton të shikoni Mul Nokën dhe gjithçka është e mbyllur. Nga ana tjetër publiku ankohej pse opozita nuk fliste për kullat në Tiranë, për investimet e oligarkëve siç i quante Luli.

PD e Doktorit si kioska e Lulit?
Foto ilustruese

Në fakt, në qasjen tonë si media në Shqipëri nuk ekzistojnë oligarkët, por qytetarët kanë pritshmëri për të dëgjuar cili është versioni i opozitës për disa miliona metër katrorë ndërtime, kulla, të cilat po ndryshojnë përfundimisht historinë e urbanistikës së kryqytetit. Po kthehet në disa zona si një Manhatan i vogël.

Cila është qasja e opozitës? Është pro apo kundër saj?

Nuk duhet të ketë turp ta thotë të vërtetën, por nuk e thotë thjesht dhe vetëm sulmon një kullë dhe mbron dy të tjera, apo flet në përgjithësi pa pasur kurajën të japë fakte dhe prova se si qëndron e vërteta dhe cila është qasja e saj. Këto janë disa nga faktet që na tregojnë se PD-ja e doktorit mesa duket po bëhet si ajo e Lulit. Te Luli kërkohej hapja e PD-së. Luli nuk e bëri kurrë. Lulit i kërkohej vlerësimi i elitës, por u vlerësuan servilat, e njëja gjë po ndodh dhe sot.

U kërkua te Luli të bëhej denoncues dhe akuzues për aferat e qeverisë, Luli bënte selektime, u tha se u vinte gjoba biznesmenëve, e njëjta situatë po ndodh dhe sot, e shpjeguar më lart rastet selektive që për qeverinë kur ajo jep kontrata koncensionare ndaj biznesit.

PD e Doktorit si kioska e Lulit?

Më poshtë, sollëm edhe faktin tjetër, cila është qasja e PD-së apo qëndrimi që duhet të mbajë, qëndrimi që duhet të mbajë publikisht, ndaj investimeve të mëdha në kryeqytet, ndërtimit të kullave që po ndryshojnë përfundimisht urbanistikën e kryeqytetit. Pra, imazhin e Tiranës, kryeqendrës së vendit, e cila qartazi tashmë do të jetë gjurma më e madhe, aktiviteti më i madh ekonomik dhe industrial ku do të jetë edhe numri më i madh i popullsisë ashtu siç është edhe sot. Janë këto pak fakte, që tregojnë se nuk ka ndryshuar shumë gjëra përveç faktit që njerëzit në Partinë Demokratike të Sali Berishës, që ia kish dhënë me qira Lulzim Bashës dhe Luli e keqpërdori, duan më shumë doktorin. Po ta keqpërdorë doktori dhe të bëjë njësoj si Luli, nuk ka asnjë problem. Tani ata që ishin servilë të Lulit janë me doktorin.

Sjellja dhe veprimet, reagimet ndaj opinionit publik ndaj kauzave që kërkojnë qytetarët është e njëjtë.

CNA.al dikur ka shkruar se Luli hesht kur duhet të flasë, pra kur ka çështje thelbësore për të cilat duhet të dëgjohet zëri i opozitës dhe flet kur duhet të heshtë. E njëjta situatë fatekqësisht po ndodh edhe me Partinë Demokratike të sotme të Berishës, ku për çështje duhet pranuar, që po, ky është një vizion i drejtë ose të heshtë, del e flet dhe kundërshton kot, për inat të vjehrrës. Nga ana tjetër, atje ku duhet të ketë një qasje më të fortë, më të vërtetë, më të drejtpërdrejtë dhe me fakte, hesht.

PD e Doktorit si kioska e Lulit?
Foto ilustruese

Sepse diku ështe kapur. E prandaj në fund të kësaj analize, mund të theksojmë lehtësisht atë që konstatojmë nga shumë qytetarë.

Në Shqipëri është vrarë shpresa. Po, kjo është e vërtetë. Shpresën në një vend e vret opozita. Qeveria mund të të vrasë çdo ditë me korrupsionin, me politikat e saj, me sjelljen që ka ndaj qytetarëve, me mënyrën si vepron, me ligje klienteliste e të tjera si këto, kurse shpresën për një të ardhme më të mirë e mban gjallë opozita. Pse? Sepse shpresohet te ndryshimi e në këtë rast me sa po shohim ndryshimi duket shumë larg dhe shpresa duket shumë e vrarë.

Ajo që shihet është se PD-ja e doktorit po bëhet njësoj si kioska e Lulit./ CNA.al

 

Lajmet e fundit nga