web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

"Arti në duart e gruas”/ Korça pasurohet me një atelie të re kushtuar artizanatit

20 Korrik 2026, 15:52, Kulturë CNA

Në një kohë kur produktet industriale po zënë gjithnjë e më shumë vend në jetën e përditshme dhe zanatet tradicionale rrezikojnë të mbeten vetëm pjesë e historisë, në qytetin e Korçës është çelur një hapësirë e re kushtuar artizanatit dhe trashëgimisë kulturore.

"Arti në duart e gruas”/ Korça pasurohet me një

“Arti në duart e gruas” është atelieja më e re e ngritur nga artizania Bruna Zguro, e cila prej katër dekadash u është përkushtuar punimeve të dorës. Hapësira e re synon të jetë jo vetëm një vend ku ekspozohen dhe tregtohen krijimet artizanale, por edhe një pikë takimi për artizanët, një qendër promovimi e traditës shqiptare dhe një mundësi për të afruar brezat e rinj me zanatet që po zhduken. Në këtë atelie ndërthuren mjeshtëria, tradita dhe krijimtaria bashkëkohore, duke sjellë një tjetër vlerë në zemër të Korçës.

“Unë kam rreth 40 vjet që merrem me artizanat, po mbi 20 vjet që unë kam dyqan. Kam një pikë shitjeje, ndërsa tani po e rihap si atelie. Për herë të parë desha ta bëja te Pazari i Korçës, po mundësia ime nuk ishte që ta ndiqja atje gjithë kohës dhe mendova ta bëja afër shtëpisë sime. Dhe mendova ta bëj këtu ku unë kam shtëpinë dhe të bëj këtë folenë e ngrohtë që unë e quaj folenë time”,-tregon artizania. 

Nga qëndisjet tradicionale e deri te veshjet moderne me elementë të punuar me dorë, rrugëtimi i Brunës ka ndjekur zhvillimin e kërkesave të tregut, pa humbur asnjëherë identitetin artizanal. Ajo tregon se, ndërsa dikur punimet për shtëpinë ishin më të kërkuarat, sot njerëzit preferojnë produkte që mund t’i përdorin çdo ditë.

"Arti në duart e gruas”/ Korça pasurohet me një

Pikërisht për këtë arsye, ajo ka zgjeruar gamën e krijimeve, duke sjellë veshje, çanta, aksesorë dhe suvenire që mbajnë vulën e punës me dorë dhe që kombinojnë traditën me stilin bashkëkohor.

“Fillimisht unë kam filluar me qëndistari, me punime dore të ndryshme, ndërsa tani jam kthyer në veshje, në jetesë. Pasi për shtëpinë mbaruan perdet, çentrot, tavolinat, kortinat, panoramat. Tani çdo gjë po kthehet në veshje, pasi shtëpia i merr njëherë këto dhe kanë kosto e nuk mund t’i kesh gjithë kohës. Dhe mendova t’i kthej në veshje. Veshja është një gjë e përditshme dhe e konsumit, e konsumit të përditshëm. Po veç atyre kam bërë aksesorë, çanta, disqe, panorama. Ja këto të ngrohtit që ti të mbështetesh diku afër vatrës, veshje të ndryshme, sipas stinëve, veshje me punime dore, nga më të ndryshmet kam sjellë”,-tha Zguro. 

Çdo produkt që ekspozohet në atelie mbart një histori dhe një proces të gjatë pune. Shumica e tyre janë krijime të realizuara plotësisht me dorë, ndërsa edhe produktet bazë që përzgjidhen nga tregu transformohen në modele unike falë ndërhyrjes artistike të Brunës. Ajo thekson se çdo klient mund të gjejë ose të porosisë një produkt sipas dëshirës, duke e bërë çdo punim të personalizuar dhe të veçantë.

"Arti në duart e gruas”/ Korça pasurohet me një

“Të gjitha këto që shikoni janë të punuara me dorë. Unë kam dhe nga ato që i blej e unë i ndryshoj, ia ndryshoj stilin, ia ndryshoj atë modelin, dhe kjo më lindi që unë të bëj vetëm veshje. Këtu mund të gjejnë çfarë të duan, çfarë të dëshirojnë, unë ia bëj. Domethënë kjo varet nga dëshira e klientit. Ndonjë gjë që unë kam përgatitur, mund t’ia sugjeroj”,-thekson ajo. 

Për Bruna Zguron, artizanati nuk është vetëm profesion, por edhe një mision për të mbrojtur trashëgiminë kulturore shqiptare. Pas dekadash pune dhe pjesëmarrjeje në aktivitete të shumta kulturore, ajo vendosi të bashkojë artizanët në një organizim të përbashkët, duke krijuar shoqatën “Arti në duart e gruas”. Qëllimi ishte t’u krijonte mundësi zejtarëve të prezantonin punimet e tyre dhe të gjenin një treg ku vlerësohej puna artizanale.

“Jam marrë shumë me trashëgiminë kulturore dhe me ruajtjen e saj me fanatizëm që e vogël, kam rreth 40 vjet që unë punoj punime dore. Dhe këtë e kam trashëguar nga gjyshja dhe nga mamaja ime. Po duke parë interesimin dhe duke parë ato gra që punojnë kaq bukur dhe nuk gjenin dot një treg dhe një mundësi për të shitur prodhimet e tyre, ne formuam një shoqatë dhe e quajtëm ‘Arti në duart e gruas’.”-u shpreh ajo. 

"Arti në duart e gruas”/ Korça pasurohet me një

Shoqata, e cila funksionon prej më shumë se nëntë vitesh, ka mbledhur rreth vetes artizanë të profesioneve të ndryshme. Përveç grave që merren me punime dore, pjesë e saj janë edhe mjeshtër të hekurit, gurit, këpucarë e zanatçinj të tjerë, të cilët prezantojnë traditën shqiptare në panaire kombëtare dhe ndërkombëtare. Edhe pse emigracioni ka bërë që numri i anëtarëve të ulet, grupi vijon të mbetet aktiv në promovimin e artizanatit.

“Kjo shoqatë ka mbi 9 vjet që funksionon dhe janë rreth 70 artizane, tani ndoshta janë më pak. Kam pasur artizanen më të vjetër 90-vjeçare që punonte këto punime dore. Dhe tani janë trukur, kanë ikur, kanë emigruar. Kanë mbetur një pjesë shumë e vogël, po rreth 40 i kam shumë aktive. Kam edhe burra në shoqatë, kam edhe këpucarë, kam ata që punojnë hekurin, kam ata që punojnë gurin. Domethënë të gjithë ne, i ndërthurim gjërat. Shkojmë në panaire kombëtare dhe ndërkombëtare ku ne shpalosim traditën tonë”,-tregoi Zguro. 

"Arti në duart e gruas”/ Korça pasurohet me një

Një tjetër dimension i rëndësishëm i punës së Brunës është edukimi i brezit të ri. Prej rreth 15 vitesh ajo zhvillon kurse dhe aktivitete me fëmijë e të rinj, duke u mësuar teknikat bazë të punimeve me dorë. Sipas saj, interesi është më i madh te fëmijët e vegjël, ndërsa me rritjen e moshës ai zbehet për shkak të ndikimit të teknologjisë. Megjithatë, ajo beson se pasioni për artizanatin mund të lindë në çdo moshë dhe u bën thirrje të rinjve të mos e humbasin lidhjen me traditën.

“Unë kam rreth 15 vjet që punoj me të rinjtë, me fëmijët e vegjël që nga klasa e parë deri në klasë të nëntë. Interes është deri në klasë të gjashtë, pastaj nuk kanë më interes. Inteligjenca Artificiale, telefonat, na bëjnë që ne të largohemi nga punimet e dorës. Po interesi deri në moshën 10, 11 vjeç, 12 vjet janë të interesuar. U bëj një mesazh të gjithë të rinjve, që nga mosha 6 vjeç që dinë të punojnë dhe të mendojnë, dhe deri në 90 vjet po jua bëj, se kam një artizane 90-vjeçare. Dhe them që njeriu po ta ketë atë punimin e dorës pasion, nuk e lë asnjëherë”,-tha artizania. 

Në një kohë kur zanatet tradicionale përballen me sfidën e ruajtjes dhe transmetimit te brezat e rinj, iniciativa si “Arti në duart e gruas” synojnë t’u japin një jetë të re punimeve artizanale shqiptare.

"Arti në duart e gruas”/ Korça pasurohet me një

Përmes kësaj atelieje, Bruna Zguro jo vetëm vijon të promovojë krijimet e saj, por u hap dyert edhe artizanëve të tjerë që të ekspozojnë dhe të vlerësojnë punën e tyre. Synimi mbetet i njëjtë; që tradita të mos mbetet vetëm kujtim, por të vazhdojë të jetojë, të përshtatet me kohën dhe të trashëgohet brez pas brezi./CNA 

 

 

 

 





07:23 Kulturë Agim Xhafka

GJYSHJA E LADIT

Besimi mes njerëzve nuk është veç një fjalë me tri rrokje....

Lajmet e fundit nga