web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

"Feja nën regjimin komunist"/ Promovohet në Korçë libri që hulumton historinë e fesë në Shqipëri gjatë komunizmit

20 Qershor 2026, 15:56, Kulturë CNA

Në Bibliotekën “Thimi Mitko” në Korçë u zhvillua promovimi i librit të autorit Aleksandër Ikonomidhi Sulioti, një studim akademik që sjell në vëmendje një prej periudhave më të ndërlikuara të historisë shqiptare, marrëdhënien mes fesë dhe regjimit komunist.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të komunitetit fetar, studiues, figura të jetës kulturore dhe qytetarë të interesuar për historinë.

I pranishëm ishte edhe Mitropoliti i Korçës, Imzot Anastasi, i cili ndoqi nga afër prezantimin e veprës. Libri është një punim i bazuar në kërkimin akademik të autorit gjatë studimeve në Universitetin Aristotelio të Selanikut, në vitin 2015, dhe sipas tij është një nga studimet e para në komunitetin shkencor dhe akademik grek që trajton në mënyrë të drejtpërdrejtë regjimin komunist shqiptar dhe raportin e tij me fenë.

Autori shpjegon se puna për këtë botim ka zgjatur disa vite, ku janë përdorur burime të ndryshme historike, dokumente arkivore dhe dëshmi të personave që kanë qenë protagonistë të asaj periudhe.

“Libri im është një punim diplome që është bërë në Universitetin Aristotelio në vitin 2015. Është libri i parë që në komunitetin shkencor grek dhe akademik hulumton dhe merret me regjimin komunist dhe me fenë. Në atë kohë më është dashur një luftë e madhe për të kaluar një çështje për të cilën grekët nuk kishin shumë interes ta njihnin, pikërisht sepse lidhej me komunizmin dhe me regjimin e asaj kohe, por edhe me fenë. Libri im bën një hulumtim të veçantë dhe të hollësishëm të të gjitha etapave historike që ka kaluar feja në Shqipëri. Fillon që nga themelimi i shtetit shqiptar, vazhdon me periudhën italiane, periudhën e pushtimit nazifashist, më pas kalon në një kapitull që përshkruan portretin e diktatorit Enver Hoxha dhe më vonë të Ramiz Alisë. Më pas vijon me të gjithë rrjedhën historike që ka pasur çdo komunitet fetar në Shqipëri deri te rehabilitimi i vitit 1991 dhe rivendosja e fesë dhe e sistemit pluralist shqiptar”, shprehet autori.

Për realizimin e këtij studimi, autori thotë se janë dashur rreth 6 deri në 7 vite punë kërkimore, duke u mbështetur jo vetëm në literaturë historike, por edhe në dokumente origjinale.

“Po, më janë dashur 6-7 vjet. Kam punuar bibliografi të huaj, bibliografi shqiptare, kam punuar me dokumentet origjinale pranë Arkivit të Shtetit dhe kam marrë disa nga fragmentet e veçanta të procesverbaleve të vetë komuniteteve fetare të asaj kohe. Kam përdorur gjithashtu edhe dëshmi gojore të personave që kanë qenë protagonistë të këtyre zhvillimeve, të cilët fatkeqësisht një pjesë e tyre sot nuk janë më mes nesh”, tha ai.

Një pjesë e rëndësishme e librit i kushtohet edhe periudhës së shpalljes së Shqipërisë si shtet ateist, një vendim që sipas autorit e bëri Shqipërinë një rast të veçantë në historinë botërore.

“Shqipëria ka qenë një rast i veçantë. Ka qenë një republikë e kampit socialist, e cila ishte e vetmja që tentoi të shpallte në juridiksionin e saj ateizmin zyrtar. Ky rast përbën një rast unik në të gjitha vendet e botës dhe kjo është ajo çfarë desha të sillja në sipërfaqe. Megjithatë, Shqipëria sot, por edhe para se të shpallej ateizmi, ka qenë një nga të vetmet raste ku ka pasur një komunikim dhe një bashkëjetesë të veçantë fetare. Kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e historisë shqiptare që duhet të njihet”, shtoi më tej autori.

Autori bëri të ditur gjithashtu se ribotimi i veprës për tregun shqiptar shoqërohet me një prolog të Kryepeshkopit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Elpidophoros Lambriniadis, i cili ka qenë pedagogu i tij gjatë studimeve universitare. Promovimi në Korçë u shoqërua me diskutime mbi rolin e fesë në shoqërinë shqiptare, periudhën e ndalimit të saj gjatë diktaturës dhe rikthimin e institucioneve fetare pas vitit 1991. /CNA





Lajmet e fundit nga