LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Hetimi i BE-së për subvencionet në automjetet kineze bën bujë

17 Shtator 2023, 10:28, Kosova & Bota CNA

Hetimi i BE-së për subvencionet në automjetet kineze bën

Bashkimi Evropian dëshiron të pengojë që tregu evropian i veturave elektrike "të përmbytet" edhe më tej "me automjete të lira kineze". Prandaj Komisioni Evropian (KE) do të nisë një hetim për çrregullim të tregut evropian nga Kina. Presidentja e KE, Ursula von der Lyen deklaroi të mërkurën (13.09.) në Parlamentin Evropian në Strasburg se çmimi i veturave elektrike kineze "mbahet artificialisht i ulët me subvencione të mëdha shtetërore" kineze. Komisioni Evropian ka llogaritur se një veturë kineze kushton mesatarisht rreth 20% më pak se një veturë evropiane. 

Automjetet elektrike kineze aktualisht zotërojnë 8% të tregut të BE. Por dyfishimi i kësaj kuote në dy vitet e ardhshme konsiderohet parashikim realist.

Deklarata e von der Leyenit për nisjen e hetimit për subvencionet kineze ka bërë bujë në mediat evropiane. Pasi BE afrohet kështu me praktikat proteksioniste të SHBA dhe Indisë ndaj automjeteve elektrike kineze. 27% është në SHBA tatimi për veturat elektrike kineze. 10% është aktualisht ky tatim në BE.

Hetimi i BE-së për subvencionet në automjetet kineze bën

Masat proteksioniste - a janë klientët të humburit?

Investimet miliardëshe që gjermanët (dhe evropianë të tjerë) kanë bërë dekadat e fundit në automjetet elektrike rezulton se nuk konsiderohen të mjaftueshme: BE mendon se ekspansioni kinez me automjetet elektrike në Evropë duhet përballur edhe me masa proteksioniste. Përparësia kineze në automjetet elektrike me gjasa e ka burimin te subvencionet e gjithanshme prej dhjetëra miliardash shtetërore, dyshohet në Bruksel.

Me fotovoltaikët, në panelet diellore Kina arriti t'i spostojë nga tregu evropianët më parë të suksesshëm. Nëse pas një vërshimi kinez në Evropë e njëjta gjë ndodh me automjetet elektrike evropiane, pasojat janë mbyllja e fabrikave evropiane e papunësia. Çmimin e paguajnë sërish klientët evropianë.  

Përmasat e "vërshimit" kinez

Për numrin e automjeteve të eksportuara Kina kaloi vjet Gjermaninë, sivjet pritet të kalojë edhe Japoninë. Vetëm deri në korrik të këtij viti Kina kishte eksportuar 2.8 milionë automjete.

Veturat elektrike kineze deri vonë janë preferuar kryesisht në vende të varfra. Dhe në shtete si Brazili. Por me përparimin teknologjik në këto vetura dhe çmimet e tyre relativisht të ulëta, interesi po zgjohet edhe te klientët evropianë.

Në gjashtë muajt e fundit, Kina eksportoi në BE aq vetura sa eksportoi për gjithë vitin e kaluar: 350.000 vetura (këtu megjithatë 40 përqind e tyre janë vetura Tesla, që prodhohen në Kinë). Spanja qe një nga blerëset kryesore evropiane, me 70.000 vetura elektrike kineze të importuara.

Hetimi i BE-së për subvencionet në automjetet kineze bën

Në segmentin e automjeteve elektrike luksoze, premium, sipas ekspertëve, janë gjermanët ata që janë të pankonkurrueshëm. Por në veturat elektrike të klasës së mesme dhe veturat e vogla, ka automjete kineze të ndërtuara shumë mirë, thonë vëzhgues gjermanë. 

BE mbrohet vetëm kur respektohen rregullat

Mendohet se prodhuesit evropianë do të ofrojnë modele veturash elektrike me çmime më të lira jo përpara viteve 2026-2027. Përsa i përket çmimit, kinezët janë përpara, edhe për shkak të zinxhirit të gjerë të furnizimit në Kinë dhe kostove më të ulëta të punës. 

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen la të kuptojë në fjalimin e saj për "Gjendjen në Union" se BE mund të konkurojë në tregun botëror vetëm po të mbrojë rregullat e tregut të brendshëm. Kështu mund ta theksojë ai rolin e tij gjeopolitik ndaj sfidave që vijnë nga jashtë. Nëse BE nuk mbrohet me këtë strategji, në Evropë vetëm do të shtohet zhgënjimi aktual. Se janë fuqi të tjera globale ato që imponojnë rregullat e tyre dhe evropianët vetëm nënshtrohen. 

Hetimi i BE-së për subvencionet në automjetet kineze bën

Hetimi i BE është në interesin e Gjermanisë

BE duket në vështrim të parë i ndarë, nëse duhet ndjekur apo jo ndaj Kinës qasja proteksioniste e SHBA, me taksa të larta për automjetet elektrike. Gjermanët kanë qenë gjatë skeptikë për nisjen e një hetimi të tillë nga Komisioni Evropian. Ishin francezët dhe komisioneri i tyre ambicioz Thierry Breton që këmbëngulën publikisht për nisjen e hetimit të KE për subvencionet kineze.

Por që Gjermania nuk e bllokoi një hetim të tillë, pasojat e të cilit mund të jenë largvajtëse për të gjithë BE, flet për një ndryshim të vlerësimit politik në Gjermani, përballë ekspansionit kinez në automjetet elektrike. Ky ekspansion i madh mund ta nxjerrë të dytën në tregun evropian Gjermaninë, prodhuesen më të madhe të automobilëve në Evropë. Përsa i përket tregut në Gjermani, shefi i koncernit kinez të automjeteve elektrike BYD i tha gazetës ekonomike gjermane Handelsblatt (HB) se ai synon të avancojë në prodhuesin kryesor ndërkombëtar të automjeteve elektrike në Gjermani.

Prandaj në thelb hetimi i Komisionit Evropian për subvencionet në automjetet elektrike kineze është në interesin e Gjermanisë. Koncerni Mercedes-Benz i deklaroi HB se ai mbështet një rend liberal të tregtisë. "Këtu bën pjesë parimi, që të gjithë pjesëmarrësit të kenë të njëjtat kushte".

Hetimi i BE-së për subvencionet në automjetet kineze bën

Prodhuesit gjermanë me deklarata të përmbajtura

Në përgjithësi deklaratat e koncerneve automobilistike gjermane qenë të përmbajtura. Koncerni BMW tha se "e kishte regjistruar" njoftimin për nisjen e hetimit. Ministri gjerman i ekonomisë, Robert Habeck tha se synimi nuk është që të nxirren nga tregu automjetet e lira kineze. Por kur "ke dyshimin se ka konkurrencë të pandershme", hetimi për këtë është rruga e vetme, tha ai. 

Përmbajtja gjermane ka të bëjë me faktin se tregu kinez mbetet shumë i rëndësishëm për prodhuesit gjermanë të automjeteve. Sipas portalit statista, në vitin 2022 koncernet Volkswagen, Mercedes-Benz dhe BMW shitën në Kinë 36,6% të automjeteve të tyre.

Në Gjermani druhen se do të nisë një luftë tregtare me Kinën. Kina do të kundëpërgjigjet me masa, edhe pa pasur bazë ligjore për këtë. Sipërmarrjet evropiane praktikisht nuk kanë të drejta në sistemin politik të Republikës Popullore, thonë në BE. 

Francezët deklarojnë shpesh atë që vendosin gjermanët

Nga kundërmasa eventuale kineze, më fort nga të gjitha do të goditej industria gjermane e automobilëve. Gjermanët zotërojnë 17% të tregut kinez të automjeteve. Në dallim nga francezët, që kontrollojnë vetëm 0,4 % të tregut kinez. 

Sigurisht që fakti që do të dëmtoheshin më shumë konkurrentët gjermanë, nuk është motivi pse e nxitën hetimin francezët. Francezët deklarojnë rregullisht publikisht nevojën e sovranitetit, të mbrojtjes së Evropës nga sfidat e jashtme.

Vendimi për nisjen e hetimit për subvencionet kineze dhe mundësia e vendosjes së tarifave më të larta për automjetet elektrike kineze imiton megjithatë praktikën e SHBA. Ai nuk është dëshmi se BE ndjek rrugë origjinale të vetat, se po ecën drejt "një roli më të pavarur ndaj SHBA dhe Kinës", siç kërkoi në prill pas kthimit nga SHBA presidenti francez Emmanuel Macron. Kjo kontradiktë e pjesshme megjithatë nuk duket se i trazon francezët. Që deklarata të mëdha të Presidentit Macron "zvogëlohen" kur vjen puna që të zbatohen në praktikë, kjo mjerisht ndodh dhe tërheq vëmendjen.

Hetimi i BE-së për subvencionet në automjetet kineze bën

Rezultati i hetimit brenda 13 muajve

KE duhet të provojë se Kina po subvencionon kompanitë që eksportojnë automjete elektrike në BE. Dhe se kjo po dëmton industrinë evropiane. 

Megjithatë pak vetë dyshojnë, se ajo që do të gjendet në hetim nuk do të mjaftojë për të vendosur taksa më të larta ndaj automjeteve kineze. Vendimi për këtë do të merret brenda 13 muajve. 

Një shoqëri konsultuese amerikane (Alix), ka vlerësuar se për subvencionimin e industrisë së automobilëve elektrikë, shteti kinez ka derdhur 57 miliardë dollarë vetëm gjashtë vitet e fundit (2016-2022).

Ekspertë i thanë HB se janë dhënë grante direkte në kapital, për përpunimin e lëndëve të para, në prodhimin e baterive dhe në prodhimin faktik të veturave. Bankat shtetërore kanë dhënë kredi me kushte tepër të favorshme. Tokat janë dhënë me çmim të ulët nga autoritetet lokale. Mjaft kompani automobilistike kineze janë shtetërore, kujton analisti i Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Sipas shtypit gjerman, për të përfituar nga këto subvencione, në tregun kinez është shtuar edhe numri i prodhuesve.  Por marzhet e fitimit në Kinë prodhuesit kinezë i kanë të ulëta. Kërkesa në Kinë për automjetet elektrike ka rënë. Prandaj prodhuesit kinezë kërkojnë tregje jashtë Kinës. Me këtë shpjegohet edhe vendimi i tyre për ekspansion me automjete elektrike në Evropë./ DW

Lajmet e fundit nga