LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Britani, arrestimi i spiunëve të dyshuar nxit thirrjet që Kina të shpallet si “kërcënim”

13 Shtator 2023, 19:14, Kosova & Bota CNA

Britani, arrestimi i spiunëve të dyshuar nxit thirrjet që Kina

Qeveria britanike ka refuzuar thirrjet për të shpallur zyrtarisht Kinën si kërcënim për interesat e saj. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, disa ligjvënës kanë bërë thirrje për një qëndrim më të ashpër, pasi u zbulua se një studiues në Parlamentin Britanik, u arrestua nën dyshimet se kishte spiunuar për Pekinin.

Policia britanike arrestoi dy persona në mars, nën dyshimet për spiunazh për Kinën. Arrestimet dolën në dritë vetëm këtë javë, kur gazeta “Sunday Times” njoftoi se një nga të dyshuarit ishte studiues në parlamentin britanik me lidhje me disa anëtarë të rëndësishëm të Partisë Konservatore në pushtet.

Në një deklaratë të publikuar në internet, studiuesi, të cilin Zëri i Amerikës ka vendosur të mos e identifikojë, tha se ishte i pafajshëm dhe pretendoi se përgjatë karrierës së tij “ishte përpjekur të edukonte të tjerët për sfidën dhe kërcënimet e paraqitura nga Partia Komuniste e Kinës”.

Kryeministri britanik Rishi Sunak e diskutoi këtë çështje me kryeministrin kinez Li Qiang në takimin e fundit të Grupit të 20 vendeve më të pasura në botë, në Indi. Zoti Sunak u tha ligjvënësve të martën se do të mbronte demokracinë britanike.

“Isha këmbëngulës me Kryeministrin Li se veprimet që synojnë të minojnë demokracinë britanike janë krejtësisht të papranueshme dhe nuk do të tolerohen kurrë”, tha kryeministri britanik, Rishi Sunak.

Kina tha se akuzat për spiunazh janë një trillim.

“Ne i bëjmë thirrje Mbretërisë së Bashkuar të ndalojë përhapjen e informacionit të rremë dhe të ndalojë manipulimin politik dhe shpifjet e saj kundër Kinës”, tha Mao Ning, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës.

Kritikët thonë se Britania duhet të mbajë qëndrim më të ashpër. Finn Lau është aktivist pro-demokracisë nga Hong Kongu, i cili tani jeton në mërgim në Londër, pas shtypjes së protestave nga Kina më 2019.

“Ka një lloj mungese të qasjes së qëndrueshme, apo edhe të një politike për Kinën momentalisht, veçanërisht në çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare, ose kërcënimet nga jashtë”, thotë zoti Lau.

Kësaj pikëpamjeje i është bërë jehonë edhe nga disa ligjvënës britanikë.

Ish-kryeministrja Liz Truss është një nga anëtarët e Partisë Konservatore, që i bën thirrje qeverisë ta shpallë Kinën zyrtarisht si kërcënim për Britaninë.

Por duke folur gjatë një vizite në një fabrikë makinash të hënën, Sekretarja Britanike e Biznesit, Kemi Badenoch e hodhi poshtë këtë kërkesë.

“Ne nuk mund ta shpallim Kinën si armike. Ata janë partneri ynë i katërt tregtar më i madh. Ka shumë biznese, veçanërisht ky ku jam tani, që janë të integruara me ekonominë kineze. Shumë vende pune varen nga ajo”, thotë zonja Badenoch.

Zoti Lau thotë se mbështetja tek Kina është e mbivlerësuar.

“Kina përbën vetëm 6.1 për qind të vëllimit të përgjithshëm të tregtisë në Mbretërinë e Bashkuar. Ne duhet sa më shpejtë të përqëndrohemi në krijimin e mundësive tjera për marrëdhëniet tona tregtare”, thotë zoti Lau.

Ndërkohë, që të dy të dyshuarit e arrestuar në muajin mars janë liruar me kusht. Hetimet e policisë po vazhdojnë./ VOA

Lajmet e fundit nga