LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Standardet e Reformës në Drejtësi dhe kapërcimet e SPAK-ut

21 Nëntor 2023, 13:30, Editorial REDAKSIONALE
Standardet e Reformës në Drejtësi dhe kapërcimet e SPAK-ut
Fotomontazh - SPAK dhe prokurori Edvin Kondili

Reforma në Drejtësi kishte parimin e pastrimit të sistemit nga individë që ishin të korruptuar apo nuk kishin bërë mirë detyrën dhe gjithçka ishte sipas disa standardeve në lidhje me të ardhurat që kishin krijuar, apo vendimet që kishin marrë.

Reforma në Drejtësi lindi edhe SPAK-un, një Strukturë Antikorrupsion që në fakt në kaq vite sa është në funksion nuk kemi parë që të jetë shumë më rezultative sesa ish-gjykata e Krimeve të Rënda, pavarësisht disa çështjeve që pretendohet se janë spektakolare, por ende nuk janë parë frytet e tyre.

Standardi i fundit i përdorur nga SPAK dhe prokurorët e saj për Ilir Beqajn, ish-ministrin e Edi Ramës, është një skandal më vete, i cili tregon se Reforma në Drejtësi nuk ka lindur fëmijë të shëndetshëm, pa korrupsion, që janë të pandotur dhe nuk kanë futur duart në llumin e korrupsionit.

Në fillim u kërkua që Ilir Beqaj të mos merrej fare i pandehur dhe ky ishte një skandal, për të cilin CNA raportoi që në atë kohë.

Së dyti, ishte gjyqtari Erion Bani, i cili kërkoi të thellohej hetimi për Ilir Beqajn dhe tashmë sërish prokurori Edvin Kondili nuk jep një masë arresti me burg, pasi Ilir Beqaj mund të prishë provat, sepse ai ishte në një detyrë në një institucion të rëndësishëm, i emëruar pasi ishte ngritur akuza nga SPAK jo vetëm për çështjen e sterilizimit, por edhe të "check up"-it që është nën hetim. 

SPAK, për një njeri që ishte në detyrë, funksionar shtetëror dhe që ishte mbrojtur publikisht fort nga politikanët më të lartë të partisë në pushtet, nuk shkoi te masa e arrestit me burg, por përdori një standard tjetër, fillimisht duke mos e marrë fare të pandehur dhe më pas duke i marrë pasaportën dhe duke e hetuar në gjendje të lirë.

Ajo që ka bërë prokurori Edvin Kondili është fakti që Ilir Beqaj tashmë do të ndiqet i lirë derisa të mbarojë hetimi e gjykimi, 3-5 vjet në të gjitha nivelet e saj dhe duket qartë që nuk do të ketë një masë të fortë sigurie ndaj ish-ministrit.

Standardet e Reformës në Drejtësi dhe kapërcimet e SPAK-ut
Prokurori Edvin Kondili

Këtu ka rënë standardi i SPAK-ut dhe këtu ndodhi dhe kapërcimi. Rasti i Jamarbër Malltezit, u arrestua në mënyrë demonstrative në publik, profesor, intelektual, me duar në xhepa, i cili kishte përfituar pronën e tij, e kishte zhvilluar, nga ana tjetër nuk kishte përfituar asnjë para publike, nuk kishte dhënë as koncesione, as tenderë Jamarbër Malltezi, por u mbajt në burg.

Sot e nxori gjykata në “arrest shtëpie”, çka tregoi se masa e parë, veprimet e para qenë mjaft të rënda, të tepruara, se ligjin e bën Maliqi apo çfarë?

Rasti tjetër, për ata që qajnë është ai i ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj. Pse Ilir Beqaj duhet të rrijë i lirë dhe Arben Ahmetaj duhej të arrestohej?

Ilir Beqaj qe në detyrë, Arben Ahmetaj qe larguar nga detyra. Duhej të arrestoheshin të dy apo duheshin ndjekur në gjendje të lirë të dy?

Standardet e Reformës në Drejtësi dhe kapërcimet e SPAK-ut
Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj

Ai standard që SPAK do të përdorë nuk mund të jetë një i nënës dhe një i njerkës, siç thotë populli.

Ajo që kërkohet është të jetë një standard i njëjtë. A vendoset një standard me Arben Ahmetajn? A ishte ai i duhuri? Pse ndryshoi me Ilir Beqajn? Ose ke gabuar me Ilir Beqajn, ose ke gabuar me Arben Ahmetajn, ose ke gabuar me Abi Malltezin?

Ose Ilir Beqaj është i mbrojtur nga Rilindja, nga pushteti, nga lidhjet e saj me Edvin Kondilin, me prokurorët e SPAK-ut dhe kolegu i tij është shpallur “armik”, ose ka paaftësi, ose ka korrupsion ose çfarë mund të jetë opsioni që duhet ta thotë drejtësia?

Sepse kemi 3 raste me 3 standarde të ndryshme e nëse SPAK do të kapërcejë kështu çështje delikate që lidhen me zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, apo individë për të cilët heton, besimi i Reformës në Drejtësi dhe besimi i SPAK do të vazhdojë të bjerë.

Do të vazhdojë të bjerë edhe për rastin e ish-kryeministrit Sali Berisha, imuniteti i të cilit i duhej kërkuar Kuvendit dhe nuk u bë siç kishte ndodhur në rastin e Saimir Tahirit.

Standardet e Reformës në Drejtësi dhe kapërcimet e SPAK-ut
Ish-kryeministri Sali Berisha

Prandaj, rastet e mësipërme, rastet e Berishës dhe të tjera ngrenë alarmin se prokurorë të SPAK-ut veprojnë me standarde të ndryshme për të njëjtat çështje.

Kemi SPAK që të dërgon pas prangave dhe të shpall në kërkim, kemi dhe SPAK që për të njëjtat çështje të lë në shtëpi, të lë të lirë edhe pse rrezikon të shkatërrosh provat.

A mund të jenë këto standardet e drejtësisë së re dhe SPAK-ut që shqiptarët shpresojnë aq shumë apo janë stadarde të deformuara të drejtësisë së re?/ CNA

09:35 Editorial Diana Ziu

Një letër pa moral!

Një çorbë televizive! Një lakuriqësi, banalitet, me shumi...

Lajmet e fundit nga