LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Edvin Kondili si ushtar politik

17 Gusht 2023, 18:54, Aktualitet CNA

Edvin Kondili si ushtar politik

SPAK njoftoi se kishte drejtuar kërkesën në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për ndalimin e disa personave, pasi kishte kryer hetimet në lidhje me çështjen e asaj që është quajtur ‘skandali i sterilizimit’, i denoncuar shumë nga mjekë, por jo vetëm, edhe nga opozita.

Çështja e sterilizimit në fakt ka dy anët e saj. Është përshëndetur si shërbim, pra i nevojshëm si proces, por është denoncuar për kostot e mëdha që ka pasur pasi u pretendua që një person anonim kishte krijuar një subjekt dhe pa pasur asnjë fond me një ofertë të pa kërkuar kishte sjellë një shërbim në Shqipëri.

Hetimin e ka kryer prokurori, Edvin Kondili dhe ajo që binte në sy në kërkesat e SPAK ishte mungesa e urdhrit të arrestit për ish ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, çka rrëzonte standartet e vendosura deri më sot nga ky institucion.

Pra, për inceneratorët ishte arrestuar ministri i linjës Lefter Koka dhe ishte provuar korrupsioni. Gjithashtu u hetua deri në themele Arben Ahmetaj, ish Ministri i Financave për lidhjet me inceneratorët, pavarësisht se në fund rezultoi se ai nuk kishte firmosur për to, por SPAK dhe Gjykata pretendojnë për lidhje të tij dhe prova të gjetura si në rastin e Lefter Kokës.

Për indicie dhe fakte u kërkua arresti i Ahmetaj, i cili është larguar nga vendi. Ndërsa sot, prokurori Edvin Kondili rrëzoi çdo standart të vendosur nga SPAK. U soll si një ushtar i rilindjes jo si një prokuror i SPAK me standartet që ka krijuar ky institucion.

Tregoi dhe një herë se cila ishte arsyeja, pra u faktua ajo që u pretendua nga media se kishte mbështetjen e qeverisë, Ministrit të Drejtësisë në detyrë dhe po lobohej për të pak muaj më parë për të marrë drejtimin e SPAK-ut, në kohën kur KLP votoi për zgjedhjen midis tij dhe Altin Dumanit, i cili prej disa muajsh po drejton këtë institucion.

SPAK në fakt me zgjedhjen e Dumanit ka marrë një hov, një ritëm tjetër por ka dhe raste si Kondili që sillen si ushtarë të Rilindjes. Dhe përtej standarteve të vendosura nga SPAK kanë standartet e tyre personale, nuk thellojnë hetimet dhe nuk i shkojnë deri në fund atyre për të provuar dëmin në buxhet dhe përgjegjësinë ligjore penale të ministrave përkatë, të cilët kanë firmosur duke shkaktuar këto pasoja të rënda në buxhetin e shtetit.

Më pas tek njoftimi i SPAK dhe nga mediat u raportua se, gjykata kishte kërkuar që të hetohet edhe më tej çështja e sterilizimit në lidhje me Shkëlqim Canit, i cili është ish ministri që ka firmosur, që në fakt shpesh rezulton që është njeriu kryesor i koncensioneve dhe PPP-ve të firmosura nga qeveria Rama 1 dhe ato të shëndetësisë shumica të firmosura nga Ilir Beqaj.

Por asnjëri nuk ishte marrë nën akuzë nga Kondili, qoftë edhe për tu ndjekur në gjendje të lirë apo për tu ndjekur në arrest shtëpie, pasi varet nga detajet, faktet deri ku shkon hetimi dhe nga çfarë ka zbardhur vetë prokurori apo si ai e ka hetuar këtë çështje.

Edhe vetë Gjykata është çuditur pse nuk është kërkuar arresti që në 23 qershor ku është shpallur vendimi nga GJKKO.

“Unë pashë që kishte vepra të tjera penale dhe persona përfshi edhe dy ish ministrta dhe e kam orientuar prokurorinë që të hetojë në këtë drejtim”, ka thënë gjyqtari Erion Bani.  

Kondili vërtetoi se është thjesht dhe vetëm një ushtar i rilindjes dhe të tillë në SPAK ndoshta ka shumë. Ky është dhe argumenti që opozita shpesh shprehet ‘SKAP i partisë’. Sot ajo që bëri Kondili ra poshtë nga gjyqtari Erion Bani, i cili vendosi në vend standartin e munguar të drejtësisë, për të cilën flitet shumë por që Kondili sot i ra me top duke na treguar se, ka ende prokuror që kanë kaluar vetingun, që kërkojnë të drejtojnë SPAK-un dhe që pretendojnë se kanë standart të lartë në hetimet që kryejnë, por që në fakt nuk shkojnë tek kreu asnjëherë, por duan t'i vendosin kapakun ashtu siç u tentua edhe kohë më parë me çështjen e inceneratorëve për t'u mbyllur thjesht dhe vetëm me Elbasanin dhe për të anashkaluar gjithçka.

Si Kondili, SPAK ndoshta ka dhe shumë të tjerë, por ky është një rast i provuar. Të shpresojmë që të jetë i fundit. Dhe standarti i SPAK në lidhje me goditjen e peshkaqenëve të korrupsionit në Shqipëri të vazhdojë dhe të jetë edhe më i fortë./ CNA

Lajmet e fundit nga