LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Çrregullimi i rrallë që i bën disa njerëz të mos kenë frikë nga asgjë

27 Shkurt 2023, 08:45, Blog CNA

Çrregullimi i rrallë që i bën disa njerëz të mos

Guximi mund të shfaqet në të gjitha format dhe madhësitë. Si për shembull futja në vrap në një godinë të përfshirë nga flakët për të shpëtuar një person, ekspozimi i korrupsionit në një vend, udhëheqja e të cilit ka një histori të zhdukjes së gazetarëve, apo përballja me një person bullizues, janë që të gjitha akte që kërkojnë mposhtjen e frikës, madje edhe kur pasojat e mundshme janë kërcënuese për jetën.

Por kjo nuk do të thotë se këta njerëz nuk ndiejnë frikë. Në fakt ata e ndjejnë frikën po aq sa ju. Ajo që i dallon është mënyra se si e trajtojnë frikën. Megjithatë, ka disa njerëz që nuk e njohin fare këtë ndjenjë. Për ta, “shikimi i vdekjes në sy” nuk është më shumë emocionues sesa një mëngjes i zakonshëm.

Kjo gjendje e rrallë anormale i detyrohet ose ndonjë sëmundjeje ose ndonjë dëmtimi të trurit pas një aksidenti që e prek qarkun e trurit të lidhur me reagimin e frikës. Për shembull, marrim rastin e jashtëzakonshëm të Xhordi Sernik.

Britaniku e kuptoi për herë të parë se diçka nuk ishte në rregull me të kur u hodh me parashutë në vitin 2013, dhe nuk ndjeu asnjë lloj eksitimi. Që nga ajo kohë Sernik përjetoi të gjitha llojet e përvojave ekstreme që do të kishin frikësuar shumëkënd, përfshirë zbritjen e Kullës Kombëtare 128 metra të lartë në Northampton.

Por në të gjitha rastet nuk pati asnjë rritje të adrenalinës. Gjithçka nisi kur Sernik u diagnostikua me Sindromën Kushing në vitin 2005, një gjendje mjekësore që ndodh kur trupi prodhon shumë kortizol, hormoni kryesor që lidhet me reagimin e trupit ndaj stresit.

Steroidet e tepërta në gjak e bënë trupin e tij të ndihej sikur ishte nën një sulm të pamëshirshëm kërcënimesh imagjinare. Sernik vuante nga shtimi i tepërt në peshë, pavarësisht nga ushtrimet e përditshme dhe dietat, si dhe nga djersitja e tepërt.

Sëmundja e rrallë, e cila prek 10-15 njerëz për 1 milion banorë çdo vit, shkaktohet nga një tumor i hipofizës që sekreton hormonin adrenokortikotrop (ACTH), një hormon që zakonisht prodhohet nga gjëndra e hipofizës. “Nuk është diçka e bukur për ta pasur. Ndonjëherë mund të kurohet duke operuar gjëndrën e hipofizës, dhe ky ishte operacioni që iu nënshtrova edhe unë”- do të tregonte me vonë Sernik.

“Kirurgët më hoqën adrenalet për ta ndaluar krejtësisht lidhjen, por kjo më pas më shkaktoi probleme të tjera gjatë rrugës”- shtoi ai. Dhe këto “probleme të tjera” shkaktohen nga të jetuarit pa asnjë lloj frike. Kur Sernik zbriti me një litar nga një prej kullave më të larta në Mbretërinë e Bashkuar, atij iu vendosën shiritë nga ekspertët që matën reagimin e trupit të tij.

Këto instrumente treguan se trupi i britanikut nuk reagoi fare siç duhet të ndodhte te çdo person normal. Shkencëtarët besojnë se gjendja e Sernik është për shkak të heqjes së gjëndrave mbiveshkore gjatë operacionit në tru. Pa asnjë sasi adrenaline në trupin e tij, e cila vepron si një lloj qetësuesi i dhimbjes, edhe një dëmtim i lehtë mund të jetë vërtet i dhimbshëm.

Por Sernik nuk ka thuajse asnjë emocion, gjë që e bën jashtëzakonisht të vështirë që të mbajë veten të motivuar. Njerëzit dhe thuajse çdo krijesë e ndjeshme në Tokë ndiejnë frikë. Ajo luan një rol vendimtar në mbijetesën tonë dhe rrjedhimisht edhe në evolucionin tonë.

Frika është një emocion primordial që përfshihet në përgjigjen “lufto ose ik” të trurit.

Është stimuli që na mban larg nga grabitqarët, apo që na inkurajon të luftojmë kur është e nevojshme. Është një emocion kaq i lashtë dhe instinktiv, i ndarë me paraardhësit që kanë jetuar qindra miliona vjet më parë, saqë shpjegon pjesërisht pse njerëzit ende kanë frikë nga lartësitë apo gjarpërinjtë.

Frika e ka burimin te një pjesë e trurit e quajtur amigdala, e cila aktivizon zona të tjera të trurit të përfshira në përgjigjen “lufto ose ik” dhe çliron hormonet e stresit. Në kundërpërgjigje, rriten rrahjet e zemrës, shpeshtohet frymëmarrja, ngushtohen enët e gjakut dhe nis të ndihet efekti i adrenalinës.

Në disa raste, nëse frika është shumë e madhe, efektet në trup mund të jenë aq ekstreme saqë mund të humbësh edhe jetën. Përveç amigdalës, një rajon tjetër i rëndësishëm i trurit i njohur si hipokampus, është gjithashtu i përfshirë në përgjigjen ndaj frikës.

Të lidhura ngushtë me amigdalën që ka formën e një bajameje, hipokampusi dhe korteksi paraballor - që të dyja të përfshira në të menduarit e rendit më të lartë - na ndihmojnë të interpretojmë nëse kërcënimi i perceptuar fillimisht është real apo jo.

Për shembull, të shohësh një luan të mbyllur në një kopsht zoologjik është shumë më pak kërcënuese, sesa të shohësh të njëjtën kafshë që bredh e lirë në savanën afrikane nga një distancë e vogël. Hipokampusi ofron kujtesën që e lejon dikë të përcaktojë kontekstin e stimulit të frikës.

Ndërkohë korteksi paraballor e përpunon dhe rregullon të gjithë këtë informacion për të përcaktuar nëse duhet të ikni, të luftoni apo thjesht të qetësoheni, pasi ekziston një pengesë e padepërtueshme midis jush dhe kafshës së robëruar në kopshtin zoologjik.

Frika është automatike, gjë që do të thotë se nuk mund të mos e ndieni. Natyrisht shkalla në të cilën njerëzit përjetojnë frikën dhe gjejnë fuqinë për ta kapërcyer atë, ndryshon nga njeri te tjetri. Por të mos ndiesh fare frikë është jashtëzakonisht e rrallë, dhe vetëkuptohet se është e panatyrshme.

Vëzhgimet klinike sugjerojnë se njerëzit që kanë pësuar dëmtim të amigdalës, kanë reagime anormale ndaj frikës dhe përvoja të reduktuara të frikës, deri në pikën që ajo gati nuk ekziston. Një studim i vitit 2011 i udhëhequr nga studiues në Universitetin e Ajouas në SHBA përshkruan rastin e një pacienteje, e cila përdori inicialet S.M për të ruajtur identitetin e saj.

Ajo kishte dëmtime serioze të amigdalës. Dëmtimi i trurit të saj është rezultat i një sëmundjeje shumë të rrallë të trashëgueshme të njohur si sëmundja Urbach-Wiethe, e cila karakterizohet nga infiltrimi i materialit të ngjashëm me hialinën te mukoza, organet e brendshme dhe truri.

Në këtë rast të veçantë, depozitat e kalciumit në amigdalë shkaktuan dëme në rajonin e trurit, duke rezultuar në një ndjenjë të frenuar të frikës. Shkencëtarët e testuan në disa situata gruan S.M., për të cilën u supozua se do të tmerrohej si për shembull nga ekspozimi ndaj gjarpërinjve dhe merimangave, një vizitë në një shtëpi të përndjekur nga fantazmat dhe video filmash horror.

Por gruaja 44-vjeçare tregoi në mënyrë të përsëritur mungesën e manifestimeve të hapura të frikës dhe një përvojë të përgjithshme të dobët të frikës”. Edhe pse S.M. u tha studiuesve se “i urren gjarpërinjtë” dhe “përpiqet t’i shmangë ata”, kur ajo u dërgua në një dyqan kafshësh shtëpiake ekzotike, mbajti në duar një nga gjarpërinjtë për më shumë se 3 minuta gjatë të cilave i fërkoi luspat e zvarranikut, i preku gjuhën dhe vëzhgoi nga afër lëvizjet e tij, ndërsa ai rrëshqiste nëpër duart e saj.

Edhe pse një reagim minimal deri në inekzistent ndaj frikës mund të duket i rrezikshëm, ne jetojmë fatmirësisht në një shoqëri moderne ku shumica e kërcënimeve dhe rreziqeve me të cilat njerëzit kanë evoluar dhe nuk janë më pjesë e mjedisit tonë. Në fakt, dikush mund të thotë se disa nga reagimet tona të frikshme që mund të na kishin shpëtuar jetën gjatë kohëve kur të parët tanë jetonin nëpër shpella janë një pengesë në shoqërinë e sotme.

Frika të tilla irracionale nxisin ankthin, fobitë, çrregullimin obsesiv-kompulsiv dhe depresionin. Gati 1 në 4 njerëz përjetojnë një formë të çrregullimit të ankthit gjatë jetës së tyre dhe gati 8 për qind përjetojnë çrregullime të stresit posttraumatik (PTSD).

Por rastet e ngjashme me gruan S.M. dhe Xhordi Sernik mund t’i ndihmojnë ekspertët të kuptojnë më mirë çrregullimet e shëndetit mendor, që vijnë për shkak të një reagimi të ekzagjeruar të frikës, siç është çrregullimi i ankthit të përgjithësuar.

Përkthyer me shkurtime nga CNA.al

Lajmet e fundit nga