LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ja si fitohen luftërat nëpërmjet psikologjisë

12 Shkurt 2023, 09:53, Blog Jacob Ware
Ja si fitohen luftërat nëpërmjet psikologjisë
Foto ilustruese

“Presidenti është këtu!” I veshur me rroba ushtarake dhe i rrethuar nga këshilltarë dhe liderë politikë, mesazhi i presidentit Volodymyr Zelensky në një video të publikuar në orët e vona të 25 shkurtit 2022 ishte i qartë: ne nuk po largohemi.

Në ditët e para të pushtimit të fundit brutal të Ukrainës nga Rusia, propaganda e Kremlinit synonte që të thyente moralin e ukrainasve. Në një shembull veçanërisht famëkeq të dezinformimit rus, pati zëra se Zelensky po përgatitej të arratisej nga Kievi për të shkuar drejt një vendi të sigurt në Perëndim.

Lajme të tjera të rreme pretenduan se tashmë Ukraina ishte dorëzuar. Por ukrainasit u kundërpërgjigjën ndaj kësaj fushate keqinformuese duke qëndruar krah për krah dhe duke u përballur me tanket që po i afroheshin kryeqytetit. Zelensky qëndroi në zyrën e tij duke u shndërruar në një ikonë globale të rezistencës.

Histori të tjera të trimërisë së ukrainasve u përhapën me shpejtësi në platformat e mediave sociale perëndimore. Që në orët e para të luftës, një grua ukrainase u përball me guxim me ushtarët rusë të armatosur, duke u ofruar fara luledielli. “Merrni këto fara dhe futini në xhepat tuaj, kështu që të paktën të rriten luledielli kur të dergjeni që të gjithë në tokën ukrainase”- u tall ajo.

Në Detin e Zi, marinarët ukrainas iu përgjigjën me fyerjen sfiduese “Shkofshi në Djall!” ultimatumi të një kryqëzori rus që po sulmonte Ishullin e Gjarpërinjve. Pasi refuzoi ofertën e SHBA-së për ta evakuuar, Zelensky u tha amerikanëve: “Lufta është këtu. Unë kam nevojë për municione, dhe nuk dua të braktis vendin tim.”

Kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi ushtarët e tij të kalonin kufirin ukrainas shkurtin e vitit të kaluar, ai ra viktimë e asaj që studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare Stefën Van Evera e ka quajtur “kulti i ofensivës”, pra besimi i tepruar i politikanëve dhe strategëve ushtarakë tek aftësitë e tyre sulmuese dhe mbi dobësitë mbrojtëse të kundërshtarit.

Pritej që trupat të hynin në Kiev brenda disa orësh. Por automjetet e tyre ishin shumë të rënda për të lëvizur në rrugët e Ukrainës. Madje disa ushtarëve iu dhanë edhe uniformat e paradës, në përgatitje për një marshim festiv nëpër rrugët e Kievit, ku pushtuesit mendonin se do të priteshin si çlirimtarë.

Shumë pak vëmendje apo respekt iu kushtua forcës mbrojtëse të Ukrainës, pavarësisht 8 viteve luftime të përgjakshme në Donbas. Gabimet ushtarake të Rusisë i dhanë mundësi Ukrainës të merrte iniciativën në fushën e betejës, duke i zmbrapsur sulmet ndaj qyteteve të mëdha dhe duke krijuar një narrativë thuajse mitike të rezistencës së saj, dhe duke e ngritur në qiell moralin si në ushtri po ashtu edhe në mesin e qytetarëve, dhe më e rëndësishmja, midis aleatëve të Ukrainë në Perëndimi që ishin nervozë dhe jo pak dyshues mbi aftësinë e Ukrainës për t’i rezistuar pushtimit.

Kur morali është i lartë, ushtarakët mund të plotësojnë më lehtë radhët e batalioneve tokësore apo anijeve të tyre luftarake, dhe publiku është më i gatshëm të pranojë racionimin e ushqimit dhe energjisë që kërkohet për të ndihmuar përpjekjet e luftës.

Nënvlerësimi i moralit të armikut, ka luajtur historikisht një rol qendror në humbjet në fushën e betejës. Shtetet e Bashkuara e dinë këtë më mirë se sa shumica e vendeve të tjera, pasi dështuan të zotëronin “zemrat dhe mendjet” e banorëve vendas gjatë shumë kundër-kryengritjeve të dështuara të dekadave të fundit, përfshirë Vietnamin dhe Afganistanin.

Edhe sovjetikët bënë të njëjtin gabim fatal me popullsinë afgane në vitet 1979-1989. Gjatë Luftës së Parë Botërore, strategët gjermanë llogaritën gabimisht se ushtarët francezë do të kapitullonin nën zjarrin e vazhdueshëm në Verdun. Por fitorja e francezëve në atë betejë të përgjakshme kontribuoi në fitoren përfundimtare të Aleatëve.

Gjatë Luftës së ardhshme Botërore, qeveria britanike u përpoq të kishte mbështetjen e publikut dhe ta forconte moralin e tij me moto të tilla si “ruani qetësinë dhe vazhdoni përpara”, ndërsa përdori bombardime strategjike dhe propagandë radiofonike për të zbehur entuziazmin brenda Gjermanisë naziste.

Megjithatë, morali është një faktor përgjithësisht i nënvlerësuar midis planifikuesve të fushatave ushtarake. Në vitin 2018, studiuesit Ben Konjebëll dhe Majkëll Meknernej i paralajmëruan analistët ushtarakë të mos i mbivlerësonin aftësitë e Rusisë përgjatë krahut lindor të NATO-s.

“Shumica e analizave supozojnë se forcat ruse kanë një vullnet të jashtëzakonshëm për të luftuar. Pak njerëz e vënë në dyshim shpirtin luftarak të Rusisë. Nuk ka dyshim se fuqia fizike është thelbësore për suksesin ushtarak. Ushtria moderne e këtij vendi është gjithnjë e më e frikshme. Por pavarësisht nga të gjitha aftësitë legjitime fizike të Rusisë, pikat e forta dhe të dobëta të saj qëndrojnë në mendjet e ushtarëve dhe udhëheqësve të saj”- shkruanin ata.

Kur morali është i lartë, ushtarakët mund të plotësojnë më lehtë batalionet dhe anijet e tyre luftarake, dhe publiku i gjerë është më i gatshëm të ndërmarrë racionimin e ushqimit dhe energjisë që kërkohet për të ndihmuar përpjekjet e luftës. Këtë dimër, ukrainasit janë përballur me mungesa të mëdha të ngrohjes dhe energjisë elektrike, pasi Rusia ka vënë strategjikisht në shënjestër infrastrukturën energjetike të Ukrainës në një përpjekje për të thyer vullnetin e ukrainasve për të rezistuar.

Morali i ulët e dobëson forcën dhe gatishmërinë e një ushtrie, duke çuar ndoshta në dezertime dhe madje edhe në një dhunë vëllavrasëse, dhe duke e penguar rekrutimin vullnetar. Rusia është përpjekur të ngrejë moralin midis ushtarëve të saj të rrethuar në front, duke dërgua në front këngëtarë të operës por dhe të “brigadave krijuese” për të sjellë sadopak gëzim në muajt e hidhur të dimrit.

Megjithatë, është e paqartë nëse do të funksionojnë masa të tilla. Një analizë e Ministrisë britanike të Mbrojtjes, e publikuar në muajin dhjetor vinte në dukje se “shkalla shumë e lartë e viktimave, udhëheqja e dobët, vonesat e pagave, mungesa e pajisjeve dhe municioneve dhe mungesa e qartësisë rreth objektivave të luftës” ishin arsyet kryesore që qëndrojnë pas paaftësisë së Rusisë për të rritur moralin tek forcat e saj.

Në fakt, që nga dita e parë, Rusia nuk ka arritur të bindë shumë nga ushtarët e saj për meritat e sakrificës së tyre. Duke kërkuar të ruante njëfarë justifikimi, ajo u përpoq në mënyrë të përsëritur të krijonte një incident të rremë, që do të justifikonte sulmin e tyre ndaj Ukrainës. Përpjekje të tilla u penguan nga inteligjenca amerikane dhe ukrainase. Në mungesë të një justifikimi qoftë edhe të inskenuar, Rusia në fund zgjodhi të fajësojë “nazistët” në Ukrainë, pavarësisht se presidenti ukrainas Volodimir Zelenski ishte hebre.

Shumë ushtarë rusë e pranuan fillimisht justifikimin, por më pas gjetën një realitet shumë të ndryshëm në territorin ukrainas. Një ish-komandant i grupit famëkeq mercenar Vagner arriti të dezertojë në Norvegji, ku tani po përshkruan në detaje krimet ruse të luftës në Ukrainë.

Por goditja më e rëndë për moralin rus ka qenë disfata në fushën e betejës. Gjatë 11 muajve të parë të kësaj lufte të fundit në Ukrainë, ukrainasit e kanë treguar veten të jenë një forcë e frikshme luftarake, e aftë për të përballuar sulmet, por edhe për të nisur kundërsulme, si dhe për ta përfshirë armikun në përleshje konvencionale.

Nuk ka fund të konfliktit në horizont, por historia mund të na japë disa tregues. Siç vuri në dukje një raport i gjerë i RAND Corporation, më bashkautor Konejbëll dhe Meknernej  “dështimi i vullnetit ka sinjalizuar përfundimin e pothuajse të çdo konflikti ushtarak në historinë botërore”.

Prandaj prioriteti absolut për Ukrainën dhe mbështetësit e saj, është të sigurojnë që morali të mbetet i lartë - si në Ukrainë po ashtu edhe në mesin e publikut të aleatëve të saj të shumtë, të cilët duhet t’i bëjnë presion qeverive të tyre që të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje ushtarake dhe financiare për Kievin./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga