LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

A mund të ribashkohet Britania me Bashkimin Europian?

25 Shkurt 2023, 08:58, Blog CNA

A mund të ribashkohet Britania me Bashkimin Europian?

Midis ekonomistëve po qarkullon kohët e fundit një batutë: në botë ekzistojnë maksimumi 5 njerëz që e kuptojnë se çfarë janë paratë. Më lejoni që ta huazoj atë në një vëzhgim tjetër. Në Britaninë e Madhe, janë maksimumi 5 njerëz që e kuptojnë Bashkimin Europian.

Dhe me këtë dua të them që e kuptojnë vërtet BE-në, dhe jo vetëm karikaturat me ngjyrë rozë apo plot mllef mbi BE-në, që sillen nëpër kokat e atyre që ishin kundër, por dhe atyre që e mbështetën largimin e vendit nga unioni. Sondazhet aktuale na tregojnë se afro 60 për qind e popullsisë britanike mendon se Brexit ishte një gabim.

Mbretëria e Bashkuar duhet të përballet me arsyet pse ndodhi kjo. Dhe kjo sepse qeverisë dhe institucioneve financiare të Britanisë, u mungon një model ekonomik për jetën pas Brexit.

A mund të ribashkohet Britania me Bashkimin Europian?

Por cilatdo qofshin pikëpamjet tuaja, kini kujdes që të mos nxirrni përfundime të rreme të kundërta. Nëse 60 për qind e britanikëve mendojnë se Brexit ishte një gabim, kjo nuk dot të thotë se 60 për qind duan që të ribashkohen me BE-në.

Unë po dëgjoj zërat e parë mbi një fushatë pro-BE-së. Këshilla ime për Ekipin e BE-së - dhe ndaj atyre në Britani duan që një ditë të ribashkohen me BE-në - do të ishte kjo: përdoreni me mençuri këtë periudhë. Mos vazhdoni aty ku e latë në vitin 2019.

Në veçanti, mos mendoni për marrëveshjen që mund të merrni, madje as mos e kornizoni atë në lidhje me një marrëdhënie transaksionale. Në vend të kësaj, mendoni se çfarë dëshironi të bëjë BE-ja, dhe si dëshironi që të kontribuojë Mbretëria e Bashkuar. Sepse kjo nuk ndodhi herën e fundit, gjatë fushatës së referendumit të vitit 2016.

Edhe nëse Mbretëria e Bashkuar do të aplikonte sërish, le të themi pas 10 vjetësh, me siguri BE-ja nuk do t’i ofronte të njëjtën marrëveshje që kishte kur u largua. Mbretëria e Bashkuar ishte e përjashtuar nga euro dhe nga zona Shengen e udhëtimit pa pasaporta.

Gjithashtu ajo gëzonte disa përjashtime nga Karta e të Drejtave Themelore, dhe e gjithë fusha e sigurisë dhe drejtësisë së brendshme. Gjatë 20 viteve të fundit të anëtarësimit të saj, Mbretëria e Bashkuar nuk ishte një anëtare me të drejta dhe detyrime të plota.

Dhe kur Mbretëria e Bashkuar mund të dojë të riaplikojë, BE-ja do të ketë ndryshuar në disa fusha politike. Londra nuk ka gjasa të rifitojë statusin e saj si qendra financiare e eurozonës. Frankfurti dhe Parisi kanë marrë një pjesë të biznesit të Londrës. Dhe Milano po e forcon me shpejtësi statusin e saj.

A mund të ribashkohet Britania me Bashkimin Europian?

Më kujtohet shumë mirë që Mario Draghi, në rolin e tij si president i Bankës Qendrore Europiane (BQE), ishte i fokusuar në sfidimin e pozicionit të Londrës si qendra financiare e eurozonës. BQE mendoi se ishte e çuditshme që zona e dytë më e madhe e monedhës në botë, ishte e varur nga një qendër financiare jashtë territorit të saj.

Ne mund të mbështetemi tek BQE për të këmbëngulur që Britania e Madhe duhet të bashkohet me euron në rast se do t’i ribashkohet unionit. A e ka menduar ndonjëherë këtë ekipi i BE-së? Është gati e sigurt që Franca do të këmbëngulë që Britania e Madhe të respektojë një më një politikat e BE-së për emigracionin dhe çështjet e brendshme.

Tek e fundit pse do të dëshironte të pranonte ajo një kufi të jashtëm të BE-së në brigjet e saj veriore, kur mund ta transferojë atë problem te Britania? Duhet të kujtojmë se BE-ja nuk e pranoi falas përjashtimin e Britanisë së Madhe ndaj shumë detyrimeve. Mbretëria e Bashkuar e shantazhoi BE-në duke kërcënuar të vërë veton ndaj rishikimeve të njëpasnjëshme të traktateve të BE-së, duke filluar me atë në Mastrihtit në fillim të viteve 1990.

Por nëse Britania do të aplikonte për t’u ribashkuar, gjërat sigurisht që do të ndryshonin. Secili prej 27 vendeve anëtare aktuale të BE-së, do të kishte të drejtën e vetos lidhur me anëtarësimin e Britanisë së Madhe. Një element tjetër që ka ndryshuar që nga largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga unioni, është se Gjermania dhe Franca i kanë çimentuar kompetencat e tyre mbi rregulloret dhe traktatet.

Komisioni Europian ka propozuar së fundmi pezullimin e rregullave të ndihmës shtetërore në kundërpërgjigje të Aktit të Reduktimit të Inflacionit të SHBA-së. Kjo lëvizje do të ndihmojë sidomos Gjermaninë që ta manipulojë edhe më shumë në favorin e saj politikën ekonomike të BE-së.

Berlini e dominon debatin rregullator në BE, sepse flet për disa vende më të vogla që janë pjesë e zonës më të gjerë ekonomike gjermane. Është e vështirë të shihet se si Britania e Madhe mund të imponohet në këtë aspekt. Për sa i përket anëtarësimit, mund të ketë opsione të disponueshme.

Endrju Daf, ish-deputet dhe një nga 5 britanikët që e kuptojnë BE-në, ka bërë thirrje për një reformim të thellë të traktateve europiane, për të trajtuar si duhet marrëdhëniet e ndryshme të BE-së me vendet e treta në një anëtarësim të vetëm të asociuar.

Unë kam shumë simpati për një propozim të tillë, qoftë edhe vetëm sepse ai do të hapte një rrugë më realiste, përmes së cilës Mbretëria e Bashkuar mund të riangazhohet me BE-në.

Por fatkeqësisht, Bashkimi Europian nuk po lëviz tani për tani në këtë drejtim.

A mund të ribashkohet Britania me Bashkimin Europian?

Alternativa e disponueshme do të ishte opsioni “norvegjez”: anëtarësim vetëm në tregun e përbashkët të BE-së. Por Britania e Madhe do të bëhej sërish subjekt i ligjit të BE-së, do të detyrohej të rivendoste lirinë e lëvizjes, dhe nga ana tjetër të mos ishte në gjendje të merrte pjesë në asnjë vendim.

Unë e propozova këtë formulë si një marrëveshje kalimtare pas Brexit. Por ajo nuk është e përshtatshme si një regjim i përhershëm për një vend të madh që kërkon të hyjë në union. Në rast se do të ketë një referendum tjetër, ai nuk do të jetë një shprehje e pendesës, por nëse Britania e Madhe duhet të bëhet apo jo një anëtare me të drejta të plota e BE-së.

Unë nuk jam i sigurt nëse ekipi i BE-së ka ndonjë shans për të fituar një referendum të tillë, nëse nuk fillon që të mendojë seriozisht për vetë BE-në. Vetë unioni duhet gjithashtu të ndryshojë. Do të ishte gjithashtu e gabuar që synimi të reduktohet në aktin e ribashkimit në vetvete.

Gjëja e fundit që do të dëshironte dikush, është që Mbretëria e Bashkuar të ribashkohet me BE-në, vetëm për t’u larguar sërish disa vjet më vonë. Prandaj, kam arritur në përfundimin se mënyra më e mirë e veprimit politik tani është që të funksionojë Brexit.

Por nëse britanikët janë mjaftueshëm të guximshëm për të kërkuar anëtarësimin e plotë në BE, duhet të sigurohen që numri i njerëzve që e kuptojnë si duhet këtë çështje të jetë më i madh sesa 5.

Përkthyer nga CNA.al

Lajmet e fundit nga