LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Si po i anashkalon Rusia sanksionet e vendosura nga Perëndimi

12 Shkurt 2023, 14:42, Blog CNA
Si po i anashkalon Rusia sanksionet e vendosura nga Perëndimi
Foto ilustruese

Sipas vlerësimeve të reja të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i Rusisë mund të rritet këtë vit me 0.3 për qind, kundrejt parashikimeve të tetorit 2022, që përcaktonin një rënie me të paktën 2.3 për qind për shkak të pasojave të sanksioneve të rënda ekonomike të vendosura nga Perëndimi për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Po sipas FMN-së, ekonomia ruse është mbështetur nga eksportet e naftës, të cilat vazhdojnë t’i sjellin fitime të konsiderueshme, por edhe nga fakti se ajo po ia del të anashkalojë sanksionet tregtare. Investigime të shumta kanë treguar se Rusia ka arritur që t’i anashkalojë sanksionet me kalimin e kohës, kjo edhe falë bashkëpunimit të disa vendeve, si Kina, India dhe Turqia.

Kjo nuk do të thotë se sanksionet janë të padobishme, sepse vitin e kaluar PBB-ja e Rusisë ra me 2.2 për qind. Jo aq sa pritej, por sanksionet kërkojnë kohë për të dhënë efektet e tyre, veçanërisht ato më kryesore, sikurse është ndalimi i eksportit të teknologjisë strategjike.

Sanksionet që ka vendosur Perëndimi ndaj Rusisë janë të shumta - vetëm Bashkimi Europian ka miratuar deri më tani 9 paketa - dhe ato ndahen në 4 kategori. E para ka të bëjë me sanksionet individuale kundër anëtarëve të elitës dhe qeverisë ruse, dhe kundër të ashtuquajturve oligarkë.

Ato ndalojnë udhëtimin e tyre në vendet nga vijnë sanksionet dhe ngrijnë asetet e tyre në ato territore, si llogaritë bankare rrjedhëse, pasuritë e paluajtshme dhe jahtet. Synimi është jo vetëm dëmtimi i stilit të jetesës së këtyre njerëzve, por edhe shkaktimi i dëmeve të rënda ekonomike.

Një lloj i dytë sanksionesh përfshin masat që kanë reduktuar lëvizjen e njerëzve dhe mallrave drejt dhe nga Rusia, si ndalimi i fluturimeve të të gjithë avionëve rusë mbi SHBA dhe BE, dhe mbyllja e porteve për të gjithë flotën tregtare ruse.

Pastaj vijnë sanksionet që ndikojnë mbi sistemin financiar. Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera kanë marrë masa specifike për të kufizuar qasjen e disa bankave ruse në tregjet financiare perëndimore dhe për të bllokuar plotësisht transaksionet e Bankës Qendrore të Rusisë, përfshirë ngrirjen e të gjitha rezervave të parave që ajo mbante jashtë vendit, në banka apo institucione të tjera qendrore.

Dhe së katërti janë sanksionet tregtare, të cilat kanë të bëjnë me ndalimin e eksportit në Rusi të teknologjive të ndryshme, si mikroprocesorët, softuerët dhe teknologjitë e ndryshme ushtarake që do ta bëjnë të vështirë përmirësimin e aftësive të ushtrisë ruse.

Po ashtu është ndaluar eksporti i teknologjive që lidhen me rafinimin dhe furnizimin me naftë. Këto sanksione kanë një potencial të konsiderueshëm dhe mund të dëmtojnë sektorë të ndryshëm të ekonomisë ruse, por ato kërkojnë kohë që të ndihet realisht efekti i tyre.

Pastaj është ndalimi i importit të naftës ruse, të cilin Shtetet e Bashkuara e kanë miratuar prej disa kohësh. Në Bashkimin Europian embargoja ndaj naftës ruse bruto është në fuqi që nga fillimi i dhjetorit 2022, ndërsa për atë të rafinuar hyri në fuqi më 5 shkurt 2023.

Që nga fillimi i dhjetorit, edhe ajo pak naftë ruse që blihet ende nga Perëndimi i është nënshtruar një çmimi tavan prej 60 dollarësh për fuçi mbi të cilin ranë dakord vendet e G7, Bashkimi Europian dhe Australia.

Kjo shifër është shumë më e ulët se çmimi i tregut (rreth 80 dollarë për fuçi), ndaj Rusia është e detyruar ta shesë atë, duke i pakësuar ndjeshëm fitimet. Gjithsesi, dihet tashmë se Rusia ka gjetur një mënyrë për t'iu përshtatur këtyre sanksioneve, para së gjithash duke i anashkaluar pjesërisht sanksionet tregtare, falë bashkëpunimit të vendeve të tjera.

Një investigim i “NewYork Times” zbuloi se një sasi joproporcionale telefonash celularë mbërriti në Armeni verën e kaluar, ose rreth 10 herë më shumë se sasia e importuar në muajt e mëparshëm. Numri ishte shumë i madh për një vend kaq të vogël, ndërsa doli që ata u eksportuan edhe në Rusi, të cilës perëndimorët refuzojnë t’i shesin teknologji që mund të përdoren në zhvillimin e teknikave ushtarake.

E njëjta gjë ndodhi me produkte të tilla si lavatriçet dhe mikroçipat e kompjuterëve, të cilat mbërritën në Rusi nëpërmjet vendeve të tjera. Të dhënat mbi flukset tregtare ndërkombëtare tregojnë qartë se disa vende po e ndihmojnë Rusinë për të marrë furnizime: Turqia, Kina, Bjellorusia, Kazakistani dhe Kirgistani po kalojnë mallra përmes territorit të tyre dhe më pas në Rusi.

Këto praktika mund të shihen edhe në vendimet e disa kompanive ruse të transportit të cilat po përmirësojnë rrugët alternative. Për shembull FESCO, kompania ruse e transportit, ka shtuar disa anije në rrugën midis Stambollit dhe Novorossijsk. Moska e ka ndaluar publikimin e të dhënave për tregtinë ndërkombëtare.

Por analistët dhe ekonomistët arrijnë të rindërtojnë të dhënat duke përdorur të dhënat e publikuara nga vendet e tjera për eksportet e tyre në Rusi. Nuk është e qartë se sa nga kjo tregti shkel sanksionet e vendosura nga Perëndimi. Por një pjesë e mirë duket e dyshimtë.

Një analizë nga qendra kërkimore amerikane “Silverado Policy Accelerator”, vlerëson se importet e Rusisë nga pjesa tjetër e botës (me përjashtim të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian) janë dukshëm më të larta sesa flukset e paraluftës.

Veçanërisht është shtuar shumë tregtia e Rusisë me Kinën. Sipas një raporti të Fondacionit Rusia e Lirë, tregtia midis Rusisë dhe Kinës u rrit me rreth 27 miliardë dollarë midis marsit dhe shtatorit të vitit të kaluar, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, duke arritur në 99 miliardë dollarë më total.

Rusia ka rritur jo vetëm importet e gjysmëpërçuesve dhe mikroçipëve nga Kina, por ka devijuar sasi të mëdha gazi dhe nafte atje, të cilat kompensojnë pjesërisht rënien e eksporteve në Perëndim. Arsyeja kryesore pse ekonomia ruse mbahet ende në këmbë, lidhet me faktin se Rusia ka arritur ende të eksportojë burimin e saj më të madh të pasurisë, që është energjia.

Sipas shumë njerëzve, qëndrueshmëria e saj është e lidhur me historinë dhe karakteristikat e ekonomisë ruse. Në fakt kjo është kriza e pestë ekonomike me të cilën po përballet Rusia brenda 25 viteve të fundit, pas atyre të viteve 1998, 2008, 2014 dhe 2020. Prandaj, popullsia ruse është disi e mësuar me vështirësitë ekonomike dhe di të përshtatet me një lehtësi relative.

Për më tepër, ekonomia ruse është shumë më e izoluar sesa vendet perëndimore, të cilat janë të ndërlidhura fort. Në vitin 2019, investimet e huaja direkte zinin rreth 30 për qind të PBB-së, kundrejt një mesatareje globale prej 49 për qind. Vetëm 0.3 për qind e punëtorëve rusë punonin në një korporatë shumëkombëshe amerikane, krahasuar me një mesatare prej 2 për qind në vendet e tjera të përparuara.

Për këtë arsye, izolimi i mëtejshëm nga komuniteti ndërkombëtar nuk pati një efekt shkatërrues, sepse ishte tashmë një vend më i izoluar në krahasim me të tjerët. Gjithashtu Rusia është shumë e pavarur edhe sa i përket lëndëve të para, energjisë etj.

Për më tepër, para se të thuhet nëse sanksionet janë apo jo efektive, është e nevojshme të sqarohet se cili është objektivi i tyre. Në terma afatshkurtër, dhe të paktën në fillim, ishte krijimi i një krize likuiditeti në Rusi, e cila do ta bënte të vështirë financimin e luftës në Ukrainë dhe mbështetjen që qeveria do t’i jepte ekonomisë për të shmangur recesionin.

Ndërsa në terma afatgjatë, synimi është dëmtimi serioz i kapacitetin prodhues dhe teknologjik të Rusisë, në mënyrë që të reduktohen burimet që Vladimir Putin mund të përdorë në të ardhmen për të vazhduar apo ndoshta zgjeruar luftën edhe në vende të tjera.

Nëse sanksionet janë efektive, ato do të veprojnë gjithashtu edhe si një pengesë e përgjithshme për të gjitha ato vende që mund të kenë plane për të nisur një luftë ndaj një vendi fqinj. Sipas “The Economist”, sanksionet më të efektshme deri tani janë ndalimet e eksportit të teknologjisë në Rusi, për të cilat për momentin po flitet më pak, edhe sepse kërkojnë shumë kohë për të dhënë efektet e tyre të plota./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga