LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Çfarë i ndalon armët bërthamore të shpërthejnë aksidentalisht?

18 Shkurt 2023, 09:48, Blog CNA

Çfarë i ndalon armët bërthamore të

Armët bërthamore mund të vrasin miliona njerëz, të zhdukin nga harta qytete të tëra dhe ta bëjnë tokën një zonë shpërthimi jopjellore për breza të tërë. Sipas Shoqatës së Kontrollit të Armëve, 9 shtetet bërthamore të botës - Kina, Franca, India, Izraeli, Koreja e Veriut, Pakistani, Rusia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, kanë në total një arsenal prej rreth 13.000 bombash bërthamore.

Dhe kjo ngre disa pyetje. Për shembull, cilat janë shanset e një shpërthimi aksidental të këtyre armëve? Dhe çfarë masash janë marrë për t’u siguruar që ato të mos shpërthejnë pa dashje?

“Ndërsa disa nga armët e para bërthamore ishin të brishta ose të paqëndrueshme, armët bërthamore moderne janë projektuar me kujdes dhe kanë nivele të larta sigurie dhe besueshmërie”- thotë Filip Blik, profesor i asociuar i studimeve të mospërhapjes së armëve dhe i terrorizmit në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare në Universitetin Monterej në Kaliforni.

Dhe kjo sipas tij do të thotë se një shpërthim aksidental nuk ka thuajse fare të ngjarë që të ndodhë. “Në mjedisin e saj normal, pra kur është në ruajtje, një armë bërthamore e SHBA-së nuk supozohet të kalojë 1 në 1 miliard shanset për të shpërthyer para kohe. Në një mjedis jonormal, probabiliteti është 1 në 1 milion”- thekson eksperti.

Për Blik një mjedis jonormal, mund të përfshijë situata të tilla si një zjarr në vendin ku ruhet një armë bërthamore, apo përplasja e një avioni luftarak që transporton një armë bërthamore. Këto 2 raste kanë ndodhur në fakt në të kaluarën dhe armët bërthamore nuk kanë shpërthyer.

“Armët janë projektuar të jenë të sigurta deri në një pikë të caktuar. Kështu nëse një përbërës i vetëm shpërthyes i një arme shpërthen aksidentalisht, probabiliteti i një rendimenti bërthamor më të madh se 4 kiloton nuk duhet të kalojë 1 në 1 milion. Sa për krahasim, bomba e hedhur në Hiroshima kishte një fuqi prej 15 kiloton”- shton Blik.

Çfarë i ndalon armët bërthamore të

Për t’u siguruar që bombat bërthamore të kenë një probabilitet vetëm 1 në 1 miliard (ose 1 milion) për të shpërthyer pas çdo lloj aksidenti apo incidenti, Departamenti i Energjisë në SHBA kërkon që këto armë “të përfshijnë grupe të shumta lidhjesh të forta, lidhje të dobëta dhe barriera të vendosura brenda njëra-tjetrës, me secilin nënsistem sigurie kryesisht të pavarur nga të tjerët”.

Përdorimi i dy prej këtyre nënsistemeve të sigurisë do të arrijë një siguri të sistemit prej 1 në 1ë milionë , ndërsa tre te tjerët do të ofrojnë një siguri të rendit 1 në 1 miliardë . Sipas Departamentit Amerikan të Energjisë, siguria nga një shpërthimi aksidental “është e mundur vetëm nëse mënyrat e dështimit për secilin nënsistem të sigurisë të jenë janë vërtet të pavarura nga njëri-tjetri”.

Deri më sot, vetëm 2 bomba bërthamore janë hedhur me qëllimin e vetëm shkaktimin e vdekjes së njerëzve dhe shkatërrimeve në shkallë të gjerë: bombardimet amerikane të qyteteve japoneze Hiroshima dhe Nagasaki më 6 dhe 9 gusht 1945, që vranë në total rreth 214.000 njerëz, teksa plagosën dhe shkaktuan sëmundje të rënda tek qindra mijëra të tjerë.

Por pas gati 80 vjetësh, kuptimi ynë se si funksionojnë armët bërthamore është përmirësuar shumë, madje deri në pikën ku armët e sotme janë shumë më të fuqishme dhe potencialisht shumë më shkatërruese. B83, bomba më e fuqishme në arsenalin bërthamor të Shteteve të Bashkuara, ka një rendiment maksimal prej 1.2 megatonësh, duke e bërë atë 60 herë më të fuqishme se bomba e hedhur në Nagasaki.

Mendohet se 650 prej tyre janë aktualisht në gatishmëri në SHBA. Duke pasur parasysh se çfarë është në rrezik, çfarë protokollesh ekzistojnë për të parandaluar vdekjen dhe shkatërrimin? Disa nga masat më të rëndësishme të sigurisë përfshijnë monitorimin e kujdesshëm të komponentëve dhe zëvendësimin në kohën e duhur të moduleve apo pjesëve të vjetruara apo të tepërta.

“Armët bërthamore kanë elementë përbërës me një jetëgjatësi të kufizuar, sidomos të ashtuquajturin gaz përforcues që ofron lëndën djegëse që shkakton shkrirjen bërthamore. Kjo e fundit ndodh kur dy atome të lehta lidhen së bashku, ose bashkohen, për të bërë një atom më të rëndë. Megjithatë, kur prishet materiali radioaktiv i pranishëm në armët bërthamore, ai duhet të rimbushet me një material të qëndrueshëm”- thotë Blik.

Për shembull, tritiumi, një izotop radioaktiv i hidrogjenit, ka një gjysmëcikël prej vetëm 12.33 vjetësh, dhe kjo do të  thotë se gjysma e sasisë zbërthehet në atë hark kohor. Prandaj armët bërthamore që përmbajnë tritium duhet të mbahen në një mbikëqyrje edhe më të veçantë.

Por edhe elementë të tjerë kanë gjithashtu një jetë të kufizuar, ndaj armët duhet të riprodhohen herë pas here. “Përbërësi më jetëgjatë i një arme bërthamore është plutoniumi, që mund të skadojë pas mbi 100 vjetësh. Kur shpërthen një armë bërthamore, plutoniumi shkakton një reaksion të vogël bërthamor.

Nga ana tjetër ai nxit një shpërthim dytësor më të fortë në ngarkesën bërthamore kryesore. Blik thotë se armët e sotme bërthamore kanë të ashtuquajturat kontrolle të përdorimit, të cilat parandalojnë shpërthimin e tyre të padëshiruar.

“Për shembull, një bombë e vendosur në një raketë gati për lëshim duhet të përjetojë disa kushte përpara se të jetë realisht e gatshme për të goditur. Në të kundër ka shumë pak gjasa të shpërthejë brenda platformës së saj lëshuese në tokë apo në bordin e nëndetëses ku është vendosur”- deklaron eksperti.

Përveç kësaj, armët moderne bërthamore janë projektuar me kujdes për t`u siguruar që kur ato janë joaktive, të mbeten të ndara materialet që duhet të kombinohen për të krijuar një shpërthim bërthamor. Rreth 6 pajisje sigurie përdoren në një armë bërthamore për të parandaluar ndodhjen e një shpërthimi të paqëllimshëm.

Disa nga këto pajisje sigurie, si për shembull çelësat inercialë (që aktivizohen në rast goditjeje apo dridhjeje) ose përshpejtuesit (që masin dridhjen ose nxitimin e lëvizjes së një strukture) do të lejojnë që shpërthimi të ndodhë vetëm nëse ato i nënshtrohen një veprimi shumë specifik. 

Ndërkohë, mbrojtje ka edhe vetë materiali bërthamor. “Armët bërthamore përmbajnë një sasi të caktuar të uraniumit ose plutoniumit shumë të pasuruar. Në rast se ka mjaftueshëm nga ky material në një vëllim mjaft të vogël (e ashtuquajtura “masë kritike”), ai automatikisht do të shpërthejë në një reaksion bërthamor”- thotë Mark Bell, profesor i asociuar i shkencave politike në Universitetin e Minesotës.

Sipas tij që të shpërthejë një armë bërthamore, duhet të ndërmerren veprime të qëllimshme për të bashkuar materialin. Zakonisht kjo ndodh në një nga dy mënyrat. Një mënyrë është që “goditja e një pjese të  uraniumit shumë të pasuruar në një pjesë tjetër të uraniumit shumë të pasuruar”, në mënyrë që të dyja pjesët së bashku të përbëjnë një “masë kritike” dhe të shkaktojnë një shpërthim.

Ky është lloji më i thjeshtë i armës bërthamore dhe lloji i bombës që përdori SHBA-ja në Hiroshima gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Alternativa e dytë, e cila është më e ndërlikuar, por që mundëson një shpërthim më të madh, është të përdoret një sferë me plutonium, duke e hedhur atë në një enë tjetër për të krijuar një masë kritike, e cila shpërthen”- thotë Bell.

Bell thotë se përdorimi aksidental ose i paautorizuar bërthamor është shumë më pak i mundshëm sesa përdorimi i qëllimshëm, por i nxituar.

“Në thelb nuk ekzistojnë kontrolle dhe ekuilibra për të parandaluar presidentin e SHBA-së apo udhëheqësin e një shteti tjetër me armë bërthamore të urdhërojë lëshimin e armëve bërthamore. Në fakt, i gjithë sistemi është krijuar për të siguruar që ata të mund ta bëjnë këtë”- theksoi Bell.

Përkthyer nga CNA.al

Lajmet e fundit nga