web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Morali i Carlo Bollino-s dhe e vërteta

30 Qershor 2026, 15:29, Editorial CNA

Morali i Carlo Bollino-s dhe e vërteta

Carlo Bollino, kur ka dalë sot nga Gjykata e Posaçme, ka deklaruar se ai është viktimë. Viktimë e shpifjeve të bëra për një pronë publike. Në fakt, kur thotë Carlo "jam viktimë e shpifjeve dhe e fyrjeve, nuk besoj se kam sulmuar opozitën, përveç disa rasteve Berishën", kjo nuk është për të qeshur, por kjo është për t'u gajasur. Carlo në deklarimet e tij shpesh ia kalon edhe "Portokallisë".

Morali i Carlo Bollino-s dhe e vërteta
Carlo Bollino jashtë GJKKO

Le të shtrojmë disa pyetje dhe të shohim disa fakte.

A është Carlo Bollino që na ka thënë se inceneratorët punojnë, na e tregoi në Fier kur kishin ndezur një transporter. Ndërkohë që ende nuk funksionon dhe nga inceneratori (kompania) që nuk ekzistojnë dhe është i paguar.

A është Carlo Bollino që thotë "jam gazetar i pavarur", ndërkohë që mjafton të shikojmë shtimin e pasurisë, me ardhjen e Partisë Socialiste në pushtet?

Po në zyrat e Erion Veliajt pse hynte dhe dilte?

Po miqësia me kryeministrin, ndërhyrjet te ministrat çfarë janë?

A është Carlo Bollino njeriu që ka sulmuar pamëshirshëm njerëzit e opozitës, jo vetëm Sali Berishën, siç pretendon?

A është Carlo Bollino përfitues nga fondet, nga buxheti i taksapaguesve shqiptarë që është buxheti i shtetit?

A nuk ka marrë Bollino,“Bunk’art”-et, që janë investuar me paratë e shqiptarëve dhe menaxhohen nga Carlo?

A nuk ka marrë një pronë publike me qira 1 euro kur në garë mund të jepej me qindra mijëra euro?

Por le ta sqarojmë edhe këtë pjesë. Bollino pretendon se ka marrë një pronë publike me qira, asgjë më shumë, nuk është pronar dhe ka investuar. Por, në fakt, pretendohet nga pronarët se ajo pasuri ishte dhënë për t'u ndërtuar një shkollë.

Si është zhvilluar gara që e ka marrë pronën me 1 euro Carlo Bollino? Në çfarë kohe? U hap një garë publike? Kontrata?

Pse ajo pronë kalonte sa në funksion të Ministrisë së Brendshme, Bashkisë së Tiranës, dhe nuk po i kalohej dot Carlo-s?

Më pas hapet procedura nga Ministria e Financave dhe në fund na i jepet me qira 1 euro Bollino-s? Ndërkohë që shteti mund të kishte fituar qindra mijëra euro në vit nga qiradhënia e këtij objekti. Pa folur pastaj për një pretendim se ka një falsifikim në kontratë, fakt ky që është në dosjen që mban në zyrë prokurori i SPAK-ut, Sotir Kllapi.

Carlo thotë "kam marrë me qira një pronë publike, nuk jam pronar". Po, por e ka marrë me 1 euro, ndërsa në rast se ajo pronë do të jepet me qira në një ankand publik, shteti do të fitonte qindra mijëra euro.

"Morali" i Carlo Bollino-s 

Nuk thotë kush të mos marrë me qira Carlo, të marrë dhe të ndërtojë, nuk ka asgjë të keqe, por mos të na bëjë shenjtorin, mos të bëjë moral. Kaq do mjaftonte. Se çfarë lidhje ka morali mediatik me Carlo-n këtë s'e përcaktojmë dot.

Po, Carlo Bollino është përfitues i një prone publike me një qira qesharake.

Carlo Bollino na bën moral për një pronë që qiranë mund ta kishte me qindra mijëra euro, dhe këto t'u ktheheshin shqiptarëve. Ose të ndërtohej një shkollë, një kopsht, një çerdhe me ato para.

Na bën moral Carlo, ndërkohë që është publikisht i akuzuar me një skemë të qartë se si merrte fondet nga AKSHI nëpërmjet të tretëve.

Na bën moral Carlo, ndërkohë që del sa në përgjimet e Erion Veliajt, aq edhe të Ballukut. Nuk ka bërë ndonjë gjë me Veliajn, thjesht një emision me porosi, që i kërkohej nga burgu.

Me Ballukun asgjë s'ka bërë, thjesht ka kërkuar, sipas tij, të ndihmojë një mikun e tij, i cili çuditërisht na del edhe supervizor te kjo godina që është rindërtuar objekti, që thjesht e ka marrë me qira 1 euro Carlo, nuk është pronë e tij.

Po shqiptarët nuk janë budallenj. E dinë shumë mirë që kur vlera e investimit është më e madhe sesa vlera e objektit në momentin e qiramarrjes, dhe posedimi kalon disa vite, ajo privatizohet. Nuk e ka marrë Carlo atë pronë me qira për të qeshur, as për t'u tallur dhe jo më kot ka investuar miliona euro, megjithëse pretendon që ka kushtuar sa dy apartamente luksoze në Tiranë.

Ndaj kur del përpara gjykatave dhe bën moral, këtë të paktën t'ua kursejë shqiptarëve. Se sa respekt kanë për të, e kanë treguar në protestë, kur qytetarët dolën me banderolat kundër Carlo Bollino-s, që u trondit dhe quajti dhunim të medias, bullizim të saj.

Po sulmet që bën Carlo Bollino çfarë janë? Po akuzat që hedh Carlo Bollino çfarë janë? Vetë apo me të tjerë që u fshihet nga pas. Se skema është e qartë, tashmë e dinë të gjithë, pavarësisht mohimit apo moralit që bën.

Ndaj dhe përtej moralit që bën Carlo, ka një të vërtetë.

Morali i Carlo Bollino-s dhe e vërteta
Pankarta për Carlo Bollinon në protestë

E vërteta është që Carlo Bollino është përfitues direkt apo indirekt me tenderë të bërë tek AKSHI, nëpërmjet kompanive të Igli Gjelishtit.

Carlo Bollino ka “Bunk-art”-et. Koncesionet apo le t'i quajë si të dojë, këto janë fakte, janë investuar me taksat e shqiptarëve dhe përdoren nga Carlo.

Carlo Bollino mund të bëjë moral sa të dojë, është kapur në përgjimet me Erion Veliajn, dhe ato përgjime i ka pasur përpara të gjithëve, edhe media e tij. Kjo sepse i kishin avokatët e Erionit, ata që publikojnë gjithçka më përpara te Carlo dhe te Mero.

Carlo Bollino del në përgjimet e Ballukut dhe kjo është publike.

Carlo Bollino ka përfituar nëpërmjet OJF-ve të ndryshme fonde nga buxheti i shtetit.

Ndaj, përtej moralit të Carlo-s, ka një të vërtetë që e dinë të gjithë. Çfarë drejtësie të ketë për Carlo Bollino-n kur prona është atje, qiramarrja është atje, procedurat janë atje dhe përtej gjithçkaje, ky është momenti që në atë gjykatë deputeti i PD-së duhet t’i kërkojë SPAK-ut që të thelllojë dhe të mos vonojë hetimin dhe verifikimin si i është dhënë ajo pronë me qira Carlo Bollino-s. Të tjerat Carlo Bollino i di më mirë se kushdo tjetër, por i duhet "të kërcejë nga belaja". /CNA





Lajmet e fundit nga