web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Vendosja e eksplozivit në makinën e gazetarit italian/ Në pranga katër persona, vijojnë hetimet

30 Qershor 2026, 09:07, Kosova & Bota CNA

Vendosja e eksplozivit në makinën e gazetarit italian/ Në pranga

Autoritetet italiane kanë arrestuar katër persona të dyshuar si autorë të vendosjes së eksplozivit në automjetin e gazetarit dhe prezantuesit të Rai, Sigfrido Ranucci. Tre prej tyre janë dërguar në burg, ndërsa një është vendosur në arrest shtëpiak, me urdhër të Gjykatës së Romës, pas kërkesës së Drejtorisë Antimafia (DDA).

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 16 tetorit 2025, përpara banesës së Ranucci-t në Torvaianica. Një sasi e madhe eksplozivi shpërtheu pranë portës së vilës së gazetarit, duke shkatërruar dy automjete të parkuara dhe duke dëmtuar murin rrethues.

Sipas hetimeve të Karabinierëve të Romës dhe Fraskatit, grupi kishte planifikuar me kujdes sulmin. Provat janë mbështetur në analizën e kamerave të sigurisë, tabulatet telefonike dhe ekspertizat shkencore.

Një kamerë në rrugën shtetërore Pontina regjistroi një automjet Fiat 500X të marrë me qira në Kampania, i cili dyshohet se u përdor nga autorët për të mbërritur në vendngjarje dhe për t'u larguar menjëherë pas shpërthimit.

Lëvizjet e makinës përputheshin me sinjalet e telefonave celularë të përdorur nga të dyshuarit, si ditën e atentatit ashtu edhe gjatë një vëzhgimi paraprak të zones, shkruajnë mediat italiane.

Sipas Prokurorisë Antimafia, grupi nuk veproi me iniciativën e vet, por zbatoi një porosi të dhënë nga persona ende të paidentifikuar, kundrejt një pagese dhe si pjesë e një favori. Hetuesit dyshojnë se porositësit u kishin siguruar autorëve fonde, karta SIM të dedikuara, mbështetje ligjore dhe madje edhe një plan arratisjeje jashtë Italisë.

Ndërkohë, policia ka zhvilluar edhe kontrolle të shumta ndaj personave të tjerë që dyshohet se kanë siguruar eksplozivin ose mbështetjen logjistike për atentatin.

Megjithëse autorët e dyshuar janë arrestuar, hetimet vazhdojnë. Prioriteti i Prokurorisë Antimafia mbetet identifikimi i porositësve të atentatit dhe zbardhja e motiveve që çuan në sulmin ndaj gazetarit investigativ Sigfrido Ranucci. /CNA





Lajmet e fundit nga