web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Akuzohet për mashtrim mbi 1 miliard dollarë/ Miliarderi kinez dënohet me 30 vjet burg në SHBA

30 Qershor 2026, 08:41, Kosova & Bota CNA

Akuzohet për mashtrim mbi 1 miliard dollarë/ Miliarderi kinez

Një miliarder kinez i vetinternuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është dënuar me 30 vjet burg, pasi u shpall fajtor për mashtrimin e investitorëve me më shumë se 1 miliard dollarë (rreth 880 milionë euro).

Një juri federale në New York e shpalli Guo Wengui, i njohur edhe si Miles Guo dhe Ho Wan Kwok, fajtor për disa vepra penale, përfshirë mashtrim financiar dhe pastrim parash. Gjykatësja federale Analisa Torres deklaroi se skema e tij mashtruese preku qindra investitorë në mbarë botën.

Sipas vendimit të gjykatës, Guo shfrytëzoi besimin e njerëzve që mbështesnin kauzën për demokraci në Kinë, ndërsa fondet e përfituara i përdori për të financuar stilin e tij luksoz të jetesës. Gjykata urdhëroi gjithashtu konfiskimin e 889 milionë dollarëve dhe kompensimin e viktimave.

Guo Wengui është një ish-manjat i pasurive të paluajtshme, i cili u largua nga Kina në vitin 2015 pasi autoritetet kineze ngritën akuza për mashtrim ndaj tij. Pekini e ka akuzuar gjithashtu për përdhunim, rrëmbim, ryshfet dhe vepra të tjera penale, akuza që ai i ka mohuar vazhdimisht.

Pas vendosjes në SHBA, Guo u bë një kritik i njohur i Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe bashkëpunoi ngushtë me ish-strategun politik amerikan dhe ish-këshilltarin e Donald Trump, Steve Bannon.

Në qershor të vitit 2020, Guo dhe Bannon shpallën krijimin e lëvizjes politike “Shteti i Ri Federal i Kinës”, e cila deklaronte si objektiv rrëzimin e qeverisë aktuale kineze.

Megjithatë, në gusht të vitit 2020, Bannon u arrestua në jahtin e Guos për akuza që lidhen me përvetësimin e fondeve të mbledhura për projektin e murit në kufirin SHBA-Meksikë. Edhe pse ai mori falje presidenciale nga Donald Trump për çështjen federale, në vitin 2025 pranoi fajësinë në një çështje të ngjashme në nivel shtetëror dhe u dënua me tri vite lirim me kusht, pa vuajtur burg.

Guo ishte gjithashtu anëtar i klubit privat Mar-a-Lago të Donald Trump në Florida, shkruan DW. Në vitin 2023, ai u arrestua nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI) në Nju Jork. Prokurorët argumentuan se skema mashtruese e Guos, e zhvilluar mes viteve 2018 dhe 2023, shkaktoi humbje të mëdha financiare për qindra investitorë në mbarë botën.

Gjatë procesit gjyqësor, Guo mohoi çdo shkelje dhe avokatët e tij pretenduan se ai ishte objektiv i autoriteteve kineze për arsye politike.

"Arsyeja pse erdha në SHBA ishte të shkatërroja Partinë Komuniste të Kinës", deklaroi Guo para gjykatës.

Ndërkohë, ish-bashkëpunëtorja e tij, Yvette Wang, u dënua vitin e kaluar me 10 vjet burg për rolin e saj në të njëjtën skemë mashtruese. /CNA





Lajmet e fundit nga