web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Mashtrimi me vetingun/ Si Sadushi dhe Ibrahimi shkruan ligjin për të shpëtuar veten

30 Qershor 2026, 12:02, Denoncim CNA

Reforma në Drejtësi dhe procesi i vetingut u trumbetuan me bujë si fshesa që do të pastronte sistemin nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar apo të papërshtatshëm. Arkitektët që hartuan ligjet e reformës, të ashtuquajtur “Ekspertë të Nivelit të Lartë”, u kujdesën në radhë të parë të ndërtonin një mburojë ligjore për veten e tyre.

Ndërsa qindra magjistratë u shkarkuan dhe u nxorën jashtë sistemit për një garazh, një shtesë pallati apo mangësi formale në dokumente, disa nga emrat kryesorë të kësaj reforme, si Sokol Sadushi apo Gent Ibrahimi, arritën të kapnin majat e sistemit pa kaluar kurrë në sitën e vettngut.

Ky “shërbim” ndaj reformës nuk ishte pa shpërblim. Nga të dhënat e zbardhura në ILDKPI dhe evidencat e pasqyruara nga CNA, rezulton se këta ekspertë kanë përfituar shuma të majme financiare të cilat shkojnë përtej rrogave të tyre zyrtare. Sokol Sadushi ndër vite rezulton të jetë paguar sistematikisht nga Fondacioni SOROS- "Shoqëria e Hapur për Shqipërinë".

Pagesat nga Soros-i

Pagesat datojnë që nga viti 2004, por kulmojnë gjatë viteve të hartimit të reformës, ku në vitin 2015 Sadushi raporton 1.890.250 lekë neto nga Fondacioni "Shoqëria e Hapur" për angazhimin si ekspert në Komisionin e Reformës në Drejtësi, në vitin 2017 deklaron 337.280 lekë neto për punën si ekspert i nivelit të lartë, ndërsa në vitin 2018 deklarimet përfshijnë 5.100 dollarë neto për përgatitjen e Komentarit të Kushtetutës dhe 124.950 lekë neto për ekspertizë tjetër.

Përtej këtyre honorareve, si "Ekspertë të Nivelit të Lartë", Sadushi dhe pjesa tjetër e grupit kanë përfituar shuma të konsiderueshme mujore nga buxheti i shtetit përmes kontratave të shërbimit në Kuvendin e Shqipërisë, shuma këto që variojnë nga disa mijëra euro në muaj për të gjithë kohëzgjatjen e procesit 2014-2016.

Sokol Sadushi, sot kryetar i Gjykatës së Lartë, është shembulli se si ligji mund të përdoret për interesa private. Gjatë kohës që hartoheshin dispozitat e vetingut, Sadushi shërbeu si “Ekspert i Nivelit të Lartë” nën drejtimin e Fatmir Xhafajt.

Mekanizmi që ata shkruan ishte djallëzor, pasi ligji parashikonte që vetingut t'i nënshtroheshin vetëm ata magjistratë që procesi i gjente në detyrë në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit. Sadushi doli nga sistemi pikërisht atëherë kur duhej duke shmangur vetingun dhe rihyri në të pasi rregullat ishin sqaruar në favor të tij.

Si rezultat, ai që shkroi ligjin e vetingut nuk u vetingua kurrë si gjithë të tjerët. Ky ndryshim ligjor i dha mundësinë të katapultohej si drejtor i Shkollës së Magjistraturës e më pas në krye të Gjykatës së Lartë, duke mbrojtur një portofol pasurish të paluajtshme që ngjan më shumë me një agjenci imobiliare private sesa me pasurinë e një njeriu të drejtësisë.

Gent Ibrahimi si Sokol Sadushi

Një tjetër emër kyç, Gent Ibrahimi, përdori të njëjtat hapësira ligjore. Ibrahimi hyri në sistem si kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke iu shmangur filtrit të vetingut. Nga kreu i KLP-së, me të njëjtat manovra procedurale, ai arriti të ulej në karrigen e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Si ekspert i përzgjedhur për reformën, Ibrahimi ka përfituar shuma financiare të konsiderueshme përmes kontratave të shërbimit të financuara nga buxheti i shtetit.

Ashtu si Sadushi edhe Ibrahimi ka pasur angazhime të hershme dhe të vazhdueshme me organizata dhe fondacione që mbështetën teknikisht reformën, duke marrë pjesë në projektet e tyre përpara se të merrte poste të larta si kryetar i KLP-së apo gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Sot, ndërsa kërkojnë llogari dhe i bëjnë moral brezit të ri të magjistratëve, Sokol Sadushi dhe Gent Ibrahimi mbeten dëshmia e një reforme të cunguar, ku ata që shkruan rregullat e lojës u siguruan që vetë të mos luanin kurrë me to, por të mbeteshin përgjithmonë mbi ligjin. /CNA





Lajmet e fundit nga