web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

SPAK dhe beteja me biznesin

14 Qershor 2026, 13:41, Editorial CNA

Hetimet e fundit të Prokurorisë së Posaçme kanë çuar në akuzë por dhe në pranga dhjetëra personazhe të botës së krimit, pas zbardhjes së disa ngjarjeve e pas dëshmitarësh të penduar.

Pas prangave kanë përfunduar dhe politikanë e njerëz që deri dje quhenin të plotfuqishëm. Por pas të gjithë këtyre në hetime shpesh shfaqen dhe emra biznesmenësh të ndryshëm.

SPAK bën punën e tij, përtej problematikave që mund të ketë ky institucion i ri. Dikush ka kritika. Një prokuror është më i zoti e një tjetër më i ngadaltë. Dikush akuzohet se po saboton çështje siç është rasti flagrant i inceneratorëve.

Të tjerë vlerësohen. SPAK dhe shumë emra pjesë e këtij institucioni, ku Altin Dumani është diferenca e të gjithëve ka treguar se mund të luftojë pa kompromis krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Beteja me krimin dhe korrupsionin ka edhe një pikë delikate, atë të goditjes së ekonomisë, goditjes së biznesit të ndershëm dhe pasojat që japin hetimet apo publikimi i të dhënave të shumë bizneseve dhe biznesmenëve, kanë ndikim jo vetëm në ekonominë e vendit por dhe në jetën sociale të qytetarëve.

Shumë emra biznesmenësh merren dhe publikohen dhe më pas ata në portale gjobaxhinjsh apo media kriminale, goditen, anatemohen, sulmohen me qëllimin e vetëm për t’ju marrë para. Këtu duhet që vetë SPAK të ndërhyje.

Kjo ndodh jo rrallë, edhe për inate personale e për inate politike. Biznesmenët kryesorë në vend përfliten për dosje që nuk kanë qenë kurrë pjesë e hetimit. Në mënyrë abuzive dhe skandaloze ata akuzohen për vepra që nuk kanë aspak lidhje me to. Një rast mjaft flagrant ky.

Më i rëndë është dhe fakti kur hetimet e SPAK-ut, veprimet që kryen, masat e siguris dhe materialet që publikohen, dëmtohen dhe qytetarët.

Bllokimi i pronës të qytetarëve

Le të marrim një rast. Një ndërtues ka paguar për të blerë një truall dhe më pas për ta zhvilluar. Burimi i të ardhurave të personit që jep lekët nuk dihet. Mund të jenë para droge, trafiqesh, ose para të fshehura me të cilat blihet një pronë.  Deri këtu SPAK nuk ka ndërhyrë, nuk di asgjë, hetimet i bën pas disa vitesh.

Në këtë pronë fillon investimi, nxirret një leje zhvillimi, një leje ndërtimore dhe fillon të hapet një gropë dhe direkt fillon shitja. Fillimi i investimit mund të kushtojnë disa qindra mijëra euro, por më tej ecet me shitjet e apartamenteve që pa u hapur gropa në disa raste. Më pas fillon të ngrihet një godinë me 10 ose 15 kate, ku qindra qytetarë do të shkojnë të banojnë dhe për këtë marrin kredi, japin kursimet e jetës së tyre.

SPAK dhe beteja me biznesin
Foto ilustruese

SPAK nis hetimet, ka masa sigurie, pas 5, 7 ose 10 vitesh, e bllokon objektin dhe qytetarët janë në panik dhe të trembur, sepse prona për të cilën ata kanë punuar gjithë jetën apo kanë marrë kredi tashmë ngelet peng. Askush nuk di se çfarë do bëhet. Sekuestrohet pasurie e jatës së tyre dhe ajo çfarë ndodh është se qytetarët rrinë e presin me sytë nga qielli.

Agjencia e Administrimit të Pronave të Sekuestruara është një skandal me vetë, një aferë më vete. Prona ngelet e bllokuar. Qytetarët kanë hedhur kursimet, nuk kanë lekë të paguajnë këstin e kredisë, se nuk hyjnë dot në shtëpinë e tyre dhe duhet të paguajnë qiranë.

SPAK dhe beteja me biznesin
Agjencia e Administrimit të Pronave të Sekuestruara

Kjo dëmton dhe bankat, sepse nuk paguhet kredia dhe këtu jemi përballë faktit të një krizë sociale që godet qytetarët.

Nuk ka asnjë diskutim se SPAK duhet të hetojë paratë e trafiqeve, drogës, korrupsionit dhe t’i çojë deri në fund ato hetime. Por ky institucion dhe çdo institucion tjetër hetimor duhet të jetë mjaft i kujdesshëm për të bërë diferencë. Të sekuestrohet pjesa që i përket një trafikanti apo atij që nuk i dihet burimi i të ardhurave, por jo të goditet biznesi dhe qytetarët me pasuritë e tyre.

Jo çdo biznes është bashkëpunëtor me dikë që ka investuar që ka blerë një pronë. Jo të gjithë janë njësoj. Nuk mund të drejtohet gishti dhe të thuhet se të gjitha kullat në Tiranë janë ndërtuar me paratë e drogës, për shkak se kjo është gënjeshtër, një mashtrim i madh.

Një pjesë e madhe janë ndërtuar me kredi, një pjesë tjetër janë financuar nga vetë qytetarët. Nga ata qindra mijëra qytetarë të shtresës së mesme, emigrantë të cilët prenotojnë qëkur hapet një gropë, marrin një kredi për të ndërtuar dhe për të pasur një pronë në kryeqytet.

Pse janë rritur çmimet e apartamenteve?

Përgjigja nuk është se rritja vjen nga lekët e drogës. E kundërta do të ishte e vërtetë. Fakti është se janë rritur kostot e ndërtimit dhe është shtrenjtuar dhe krahu i punës.

Krahu i punës është shtrenjtuar në Shqipëri dhe këtë e dinë të gjithë. Krahë pune në Shqipëri ka shumë pak sepse pjesa më e madhe kanë zgjedhur të ikin në emigracion.

Çmimet e materialeve janë dyfishuar që pas pandemisë dhe luftës së Rusisë me Ukrainën, pa folur për rritjen e çmimeve dhe pas nisjes së luftës të SHBA-së me Iranin. Kostot e pronarëve kanë shkuar deri 50% në Tiranë, taksat e bashkisë Tiranë sa mjedis, shkolla, infrastrukturë etj shkojnë disa milionë euro parapagim, para që nuk dihet se ku i con bashkia.

Prandaj jemi përballë një fenomeni social që nga hetimet tek rritja e çmimeve dhe gjithçka mund të kthehet në një pasojë të rëndë për ekonominë dhe duhet një kujdes i veçantë gjatë hetimeve, veprimeve apo publikimeve, përfshirë këtu edhe ndalimin e biznesmenëve.

Këta të fundit nuk mund të trajtohen si kriminelë apo pjesë të grupeve kriminale për shkak se kanë investuar apo zhvilluar një pronë ku është futur dhe një person tjetër, të cilit nuk i dihet burimi i të ardhurave apo dikush që është përfshirë në përgjime apo dikush që është marrë me trafik droge. Nuk mund të përzihen të gjithë bashkë. Kjo për një arsye shumë të thjeshtë. Për të mos dëmtuar së pari qytetarët dhe ekonominë e vendit duhet që të bëhet diferenca.

Në momentin që biznesmenë të ndershëm ekspozohen, goditen deri në ekstrem pa u dëgjuar, pa u pyetur, pa u verifikuar gjithçka deri në fund, pasojat që i ndodhin ekonomisë janë katastrofike.

Efekti zinxhir fillon me bankat, ku ndërtuesit dhe biznesmenët shkojnë dhe marrin kreditë. Menjëherë sapo vërsulen portale gjobaxhinjsh e gjobaxhesha apo sharlatanë që përzjejnë emra  për të vendosur gjoba, rriten interesat bankare, dhe kjo prap rrit kostot e ndërtimit.

Qytetarët futen në panik ku ju shkon prona. A do t’ju përfundojë apartamenti ndonjëherë? Qytetarët e dinë që në momentin që sekuestrohet prona, shteti është ku thërret qameti.

Agjencia e Administrit të Pronave të Sekuestruara institucion kufomë

Siç e përmendëm më lart nuk ka asnjë shpresë që Agjencia e Administrit të Pronave të Sekuestruara të ketë një performancë që pronat të vijojë të zhvillohet dhe qytetarët të marrin apartamentet e tyre dhe të konfiskohet vetëm pjesa që i përket trafikantit, jo ajo që u përket atyre që e kanë blerë me para të ndershme. Kjo është diferenca që duhet bërë.

Ndodh dhe rëndom nga Agjencia që sekuestrohen prona banditësh dhe pastaj shkojnë i blejnë vetë ata, me emra të tjerë e jo të tyre dhe i nxjerrin në shitje me dy lekë. Ndërkohë qytetarët që kanë marrë kredi ngelen me gisht në gojë.

Ndaj dhe këtu SPAK duhet të bëjë diferencë për të mos dëmtuar, ekonominë, biznesin e ndershëm dhe për të mos ekzekutuar pa gjyq qytetarët e thjeshtë që kanë investuar kursimet e tyre në një pasuri e cila skeuestrohet për shkak të gabimeve apo fajeve të një personi të përfshirë në çështje që shkelin ligjin dhe përballen me përgjegjësi penale.

SPAK dhe beteja me biznesin
Foto ilustruese/ Godina e SPAK

Primare duhet të jetë lufta kundër korrupsionit, por paralel duhet të jetë dhe kujdesi ndaj qytetarëve, biznesit të ndershëm dhe investimeve të tyre. Kjo sepse një efekt zinxhir që dëmton biznesin, qytetarët, bankat bën që ekonomia të shkojë keq dhe më keq dhe Shqipëria t’i ketë pasojat shumë më të mëdha përtej betejës që mund të ketë me krimin dhe korrupsionin. /CNA





Lajmet e fundit nga