web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kina tejkalon Rusinë si investitori më i madh i huaj në Azinë Qendrore

14 Qershor 2026, 09:29, Kosova & Bota CNA

Kina tejkalon Rusinë si investitori më i madh i huaj në

Kina e ka tejkaluar Rusinë si investitori më i madh i huaj direkt në Azinë Qendrore, rajonin e pasur me burime natyrore që ka qenë në sferën e ndikimit të Moskës për një kohë të gjatë, por që tani po tërheq gjithnjë e më shumë interesin e Pekinit, sipas të dhënave të Bankës Euroaziatike për Zhvillim (EDB).

Investimet e drejtpërdrejta kumulative të Kinës në Azinë Qendrore gjatë dekadës së fundit kanë tejkaluar 35 miliardë dollarë deri në vitin 2025, thuhet në një raport të EDB-së të publikuar në dhjetor. E themeluar në vitin 2006 nga Rusia dhe Kazakistani, banka promovon tregtinë dhe integrimin ekonomik mes shtatë ish-republikave sovjetike.

Gjatë një samiti rajonal në tetor, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, theksoi se investimet e drejtpërdrejta kumulative të Rusisë në Azinë Qendrore arrijnë rreth 20 miliardë dollarë, një shifër që ai vetë e vlerësoi më shumë si “modeste”.

Investimet ruse në Azinë Qendrore kanë rënë që nga viti 2022, si pasojë e kostove ekonomike të pushtimit të plotë të Ukrainës dhe sanksioneve perëndimore që pasuan. Gjatë kësaj periudhe, Kina ka zgjeruar ndjeshëm praninë e saj ekonomike në rajon.

Përqendrimi te energjia

Kina, importuesja më e madhe e energjisë në botë, ka investuar shumë në sektorin e naftës dhe gazit në Azinë Qendrore, ndërkohë që po zgjeron investimet edhe në energjinë e pastër, përpunimin e mineraleve dhe infrastrukturën e transportit tranzit në rajon.

Kazakistani dhe Uzbekistani, dy ekonomitë më të mëdha të Azisë Qendrore, si dhe Turkmenistani i pasur me burime energjetike, kanë qenë përfituesit kryesorë të investimeve kineze. Sipas EDB-së, këto tri vende përbëjnë rreth 90 për qind të kapitalit total kinez të investuar në rajon.

Ndër projektet më të mëdha të Pekinit është investimi prej 9.4 miliardë dollarësh i Korporatës Kombëtare Kineze të Naftës për zhvillimin e fushës së naftës Bagtyyarlyk në Turkmenistan.

Një tjetër kompani shtetërore kineze, Sinopec, ka investuar 2.1 miliardë dollarë në fushën e naftës Aqtobe në Kazakistan.

Ndërkohë, China Energy, një kompani në pronësi të shtetit, ka investuar rreth 2 miliardë dollarë në centrale të reja të energjisë diellore në Uzbekistan.

Investimet kineze në Uzbekistan janë rritur nga 2.1 miliardë në 10.7 miliardë dollarë gjatë pesë vjetëve të fundit, duke tejkaluar ritmin e rritjes në të gjitha vendet e tjera të Azisë Qendrore.

Ekonomia e Uzbekistanit mbështetet kryesisht në eksportin e burimeve natyrore, përfshirë arin dhe mineralet strategjike, si dhe në bujqësi.

Ekspertja e Azisë Qendrore, Nargiza Muratalieva, tha se Uzbekistani ka siguruar investime kineze në sektorët e energjisë dhe prodhimit, ndërsa përpiqet të largohet nga një “ekonomi e bazuar në lëndë të para”.

“Tashkenti po fokusohet te investimet në prodhim dhe energji, ndërsa sfidat klimatike e kanë bërë energjinë e rinovueshme dhe modernizimin e rrjetit energjetik prioritet strategjik”, tha Muratalieva për Radion Evropa e Lirë.

Në Kirgizi dhe Taxhikistan, ekonomitë më të vogla të Azisë Qendrore, investimet kineze janë përqendruar kryesisht në projekte të mëdha infrastrukturore dhe energjetike, përfshirë korridoret e transportit, qendrat logjistike dhe zhvillimin e hidrocentraleve.

Rusia mbetet aktor kyç

Ekspertët thonë se Rusia vazhdon të jetë një partner i rëndësishëm ekonomik dhe strategjik për Azinë Qendrore, pavarësisht rritjes së investimeve kineze në rajon.

Ata theksojnë varësinë e Azisë Qendrore nga rrugët transite që kalojnë përmes Rusisë, si dhe faktin që miliona punëtorë migrantë nga rajoni janë të punësuar në këtë vend.

“Pothuajse çdo familje në zonat rurale të Taxhikistanit dhe Kirgizit, dhe ndoshta në një masë më të vogël edhe në vendet e tjera të Azisë Qendrore, varet nga remitancat që vijnë nga Rusia”, tha për REL-in një profesor universiteti në qytetin verior taxhik të Kujandit, i cili foli në kushte anonimiteti nga frika e hakmarrjes.

“Moska mbetet fuqi e rëndësishme pavarësisht nivelit të investimeve të saj financiare”, shtoi ai.

Zhanibek Arynov, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare nga Kazakistani, tha se “ideja e një konkurrence mes Rusisë dhe Kinës në Azinë Qendrore” shpesh ekzagjerohet. Sipas tij, vendet e Azisë Qendrore po tërheqin investime në sektorët e tyre strategjikë nga të dyja vendet.

Megjithatë, Arynov shtoi se “nga perspektiva politike”, shpesh është më e lehtë për vendet e Azisë Qendrore të bëjnë biznes me Kinën.

“Sepse qasja e Kinës zakonisht është: ‘biznesi është biznes’”, tha ai.

“Në rastin e Rusisë, megjithatë, ndonjëherë shohim se Moska nuk kujdeset vetëm për përfitimet ekonomike dhe fitimet, por edhe për çështje të tilla si statusi i gjuhës ruse në rajon, si dhe tema të tjera që lidhen me politikën e brendshme të këtyre vendeve”, përfundoi ai. /REL





Lajmet e fundit nga