web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Turizmi sportiv/ Edhe pse e shtrenjtë, tifozët shqiptarë do ta ndjekin “live” Botërorin

14 Qershor 2026, 15:13, Ekonomi CNA

Turizmi sportiv/ Edhe pse e shtrenjtë, tifozët shqiptarë do ta

Për herë të parë në histori, Botërori do të zhvillohet në tre vende njëkohësisht: SHBA, Kanada dhe Meksikë. Kjo krijon mundësi të reja për turizmin sportiv. Agjencitë e udhëtimit presin interes nga tifozë që dëshirojnë të kombinojnë pushimet me ndjekjen e ndeshjeve.

Për një pjesë të shqiptarëve, veçanërisht ata që kanë familjarë në Amerikën e Veriut, Botërori mund të shërbejë si motiv shtesë për të organizuar një udhëtim.

Nga agjencia “Ilirida Travel” bëjnë të ditur se ka pasur interes të konsiderueshëm nga qytetarët shqiptarë për mundësinë e udhëtimit drejt SHBA-së gjatë periudhës së Botërorit.

Sipas tyre, një pjesë e pyetjeve kanë pasur të bëjnë me procedurat për pajisjen me vizë amerikane, megjithëse agjencitë nuk mund të asistojnë drejtpërdrejt në këtë proces, pasi aplikimi dhe intervista zhvillohet personalisht nga vetë aplikanti pranë Ambasadës Amerikane.

Megjithatë, sipas operatorëve turistikë, një pjesë e mirë e personave që kanë shprehur interes për të ndjekur ndeshjet janë tashmë të pajisur me vizë amerikane nga udhëtime të mëparshme, çka e bën më të lehtë organizimin e paketave turistike.

Interesi pritet të rritet më tej me afrimin e turneut dhe publikimin e kalendarit përfundimtar të ndeshjeve.

Paketat që përfshijnë fluturimin, akomodimin dhe biletat e ndeshjeve mund të kushtojnë disa mijëra euro për person, duke e kthyer turneun në një produkt turistik më vete. Për industrinë e udhëtimeve, kjo përfaqëson një treg të ri që deri pak vite më parë ishte pothuajse inekzistent.

Sipas operatorëve ndërkombëtarë të turizmit sportiv, paketat bazë për Botërorin 2026 nisin nga rreth 2,165 dollarë për person dhe përfshijnë hotelin dhe disa shërbime bazë.

Paketat zyrtare hospitality të FIFA-s janë shumë më të shtrenjta. Ato fillojnë nga rreth 1,400 dollarë për një ndeshje të vetme dhe mund të kalojnë 6,750 dollarë për paketat “Follow My Team”.

Nëse një tifoz shqiptar shton fluturimin nga Tirana drejt SHBA-së ose Kanadasë, akomodimin dhe shpenzimet ditore, një udhëtim për Botërorin mund të kushtojë nga 4,000 deri në 7,000 euro për person.

Diaspora shqiptare, në qendër të vëmendjes

Një pjesë e mirë e ekonomisë së lidhur me Botërorin mund të kalojë përmes diasporës shqiptare në SHBA dhe Kanada. Për komunitetet shqiptare në Nju Jork, Detroit, Boston, Toronto apo Montreal, turneu është jo vetëm një aktivitet sportiv, por edhe një moment social dhe ekonomik.

Restorantet, bizneset dhe organizatat komunitare shpesh organizojnë aktivitete të lidhura me ndeshjet, duke krijuar një ekonomi të vogël lokale rreth eventit. Kjo lidhje mes diasporës dhe vendit të origjinës mund të nxisë gjithashtu udhëtime, vizita familjare dhe shpenzime shtesë.

Sa kushton një biletë?

Botërori 2026 pritet të jetë më i shtrenjti në histori për tifozët. FIFA ka nxjerrë një kategori të kufizuar biletash prej 60 dollarësh për tifozët e skuadrave pjesëmarrëse, por pjesa më e madhe e biletave kushtojnë shumë më tepër. Për disa ndeshje, çmimet kanë kaluar 1,000 dollarë për biletë, ndërsa për finalen, çmimet më të larta kanë arritur deri në 10,990 dollarë./Monitor 

 





Lajmet e fundit nga