web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Raporti i kredive me probleme zbriti në 3.75% në muajin prill

10 Qershor 2026, 15:07, Ekonomi CNA

Raporti i kredive me probleme zbriti në 3.75% në muajin prill

Raporti i kredive me probleme iu kthye rënies në muajin prill. Sipas statistikave të bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme zbriti në 3.75%, nga 3.85% që kishte qenë në muajin mars. Ky tregues vazhdon të jetë në rënie edhe me bazë vjetore, kundrejt nivelit prej 4.03% të prillit 2025.

Raporti i kredive me probleme aktualisht është në nivelin më të ulët në 18 vitet e fundit.

Në vlerë absolute, stoku i kredive me probleme vlerësohet në afërsisht 36.3 miliardë lekë. Kreditë e këqija në vlerë sidoqoftë janë rritur me 3.4% krahasuar me një vit më parë.

Për momentin, raporti i kredive me probleme duket se po vazhdon ta ruajë tendencën rënëse, pavarësisht shqetësimeve të lidhura me rritjen e shpejtë të kreditimit në vitet e fundit. Ecuria e mirë makroekonomike dhe zgjerimi i vazhdueshëm i portofolit të kredisë po ndikojnë pozitivisht në ecurinë e treguesit të kredive në vonesë.

Në fund të prillit, teprica e kredisë për ekonominë arriti në 968.2 miliardë lekë, në rritje me 9.5 miliardë lekë krahasuar me marsin. Me bazë vjetore, portofoli i kredisë për ekonominë është në rritje me 11% krahasuar me një vit më parë.

Masat e marra vitin e kaluar nga Banka e Shqipërisë duket se kanë nisur të japin efekt në ngadalësimin e kreditimit për blerjen e banesave nga individët. Por, megjithatë, ky ngadalësim është kompensuar nga rritja në segmentin e kredisë konsumatorë dhe shpejtim i rritjes së portofolit të kredisë për biznesin.

Sektori po ruan një ecuri pozitive në drejtim të rritjes, por edhe performancës financiare dhe cilësisë së aseteve.

Kriza në Lindjen e Mesme dhe rritja e çmimeve të karburanteve kanë shtruar disa rreziqe të reja në perspektivë, por megjithatë përmasat e ndikimit të kësaj krize duket se do të jenë më të kufizuara nga sa mund të mendohej në periudhën e parë të shpërthimit të saj.

Inflacioni po rritet dhe po e bën më të mundshme një rritje të normave të interesit gjatë muajve të ardhshëm, por Bankat Qendrore në skenarët bazë nuk parashikojnë efekte dramatike dhe shmangie afatgjata nga objektivat e tyre të inflacionit.

Normat më të larta të interesit do të ndikonin negativisht aftësinë paguese të detyrimeve, por edhe kërkesën për kredi të reja. Teorikisht, kjo mund të shtojë rreziqet për rritje të kredive me probleme, por, për sa kohë rritja e normave do të jetë e kufizuar, ky ndikim nuk pritet të jetë shumë i madh./Monitor 





Lajmet e fundit nga