web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Bastet sportive online/ Udhëzimi ndalon pagesat cash, do të kalojnë nga agjentët financiarë

11 Qershor 2026, 15:12, Ekonomi CNA

Bastet sportive online/ Udhëzimi ndalon pagesat cash, do të

Pagesat dhe tërheqjet në bastet sportive online do të kryhen vetëm përmes agjentëve financiarë të licencuar nga Banka e Shqipërisë, ndërsa organizatorëve u ndalohet pranimi apo kryerja e pagesave me para në dorë. Rregulli është pjesë e udhëzimit të ri të Ministrisë së Financave për procedurat dhe standardet e pagesave në kategorinë “Baste sportive online”.

Udhëzimi përcakton se çdo depozitë dhe tërheqje duhet të jetë e identifikueshme në mënyrë unike dhe e gjurmueshme në sistemet e organizatorit, të agjentit financiar dhe në Sistemin Qendror të Monitorimit Online. Fondet e lojtarëve do të mbahen në llogari të veçanta pranë agjentëve financiarë të licencuar, të cilët janë të autorizuar të ofrojnë shërbime bankare ose shërbime pagesash.

Organizatorët e basteve online duhet të verifikojnë identitetin e lojtarit përpara përdorimit të llogarisë së lojës dhe të sigurohen që mjeti i pagesës i përdorur për depozitim ose tërheqje i përket të njëjtit person. Në rast mospërputhjeje mes identitetit të lojtarit dhe mbajtësit të mjetit të pagesës, organizatori refuzon transaksionin dhe, kur është e nevojshme, kthen shumën te mjeti nga i cili ka ardhur.

Depozitimet pranohen vetëm nga mjete pagese në emër të lojtarit, si llogari pagese, kartë ose portofol elektronik. Sistemi i organizatorit duhet të refuzojë automatikisht çdo depozitim kur nga të dhënat e transmetuara nga agjenti financiar rezulton mospërputhje identiteti ose kur përdoret një mjet pagese i lëshuar në emër të një pale të tretë.

Tërheqjet do të kryhen në të njëjtën mënyrë si depozitimet, duke përdorur të njëjtin mjet pagese. Pagesat e fitimeve bëhen vetëm në llogarinë personale të lojtarit, në të njëjtën llogari pagese ku janë kryer depozitimet. Udhëzimi ndalon kreditimin e fitimeve në llogari të personave të tretë ose në mjete pagese që nuk i përkasin lojtarit.

Organizatorët duhet të identifikojnë transaksionet e pazakonta ose të paarsyeshme për nga shuma, shpeshtësia ose mënyra e pagesës dhe t’i trajtojnë ato sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Rastet e dyshimta dokumentohen dhe raportohen pranë Agjencisë së Inteligjencës Financiare, ndërsa AMLF-ja njoftohet kur rasti lidhet me lojën, pagesat ose funksionimin e sistemit.

Udhëzimi vendos rregulla edhe për fondet promocionale. Promocionet nuk përbëjnë fonde reale të lojtarit dhe nuk mund të tërhiqen, përveçse kur lojtari plotëson kushtet e përcaktuara nga organizatori. Balanca e fondeve reale dhe ajo e fondeve promocionale duhet të mbahen të ndara deri në plotësimin e kushteve për përdorimin e tyre.

Organizatorët duhet të mbajnë një llogari të veçantë për fondet e lojtarëve dhe të kryejnë rakordim ditor midis gjendjes së kësaj llogarie, balancave të lojtarëve në sistem dhe transaksioneve në pritje. Gjendja në llogari duhet të jetë gjithmonë e barabartë ose më e madhe se shuma totale e balancave të lojtarëve plus transaksionet në pritje. Në rast mospërputhjeje negative, korrigjimi duhet të bëhet brenda ditës së nesërme, jo më vonë se ora 12:00, dhe AMLF-ja duhet të njoftohet brenda 24 orëve.

Organizatori duhet të sigurojë lidhje të vazhdueshme me Sistemin Qendror të Monitorimit Online dhe t’i japë AMLF-së akses të plotë në sistemet e tij për monitorimin në kohë reale të pagesave dhe tërheqjeve. Çdo ndryshim i rëndësishëm në sistemet teknologjike që lidhen me pranimin, përpunimin ose ekzekutimin e pagesave kërkon miratim paraprak nga AMLF-ja.

Çdo muaj, organizatori duhet t’i paraqesë AMLF-së një raport me shumat e luajtura, fitimet e paguara, depozitat dhe tërheqjet neto, të ardhurat bruto nga loja, numrin e lojtarëve aktivë, transaksionet me vlerë 1 milion lekë e sipër, si dhe gjendjen e fondeve të lojtarëve dhe llogarisë në fund të muajit.

Udhëzimi parashikon që ankesat e lojtarëve të regjistrohen dhe të trajtohen jo më vonë se 30 ditë kalendarike nga paraqitja e ankimit. Të gjitha të dhënat dhe evidencat e transaksioneve duhet të ruhen për një periudhë jo më pak se pesë vjet. Udhëzimi hyn në fuqi pas 15 ditësh./Monitor 





Lajmet e fundit nga