web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Nga Iris Beqiri/ A mjafton zemërimi për ta ndryshuar politikën?!

11 Qershor 2026, 15:04, Opinione Iris Beqiri

Nga Iris Beqiri/ A mjafton zemërimi për ta ndryshuar politikën?!

Protesta është një akt publik i kundërshtimit, mospëlqimit apo mospajtimit ndaj një ideje apo veprimi politik. E me të tilla akte, Ballkani Perëndimor është përballur vazhdimisht.

Rasti më i fundit janë protestat që po zhvillohen prej ditësh në Shqipëri.

Në perspektivën politike moderne, të protestuarit konsiderohet si një formë për të nxjerrë në pah “pika të errëta” nga çështje që ndikojnë në shoqëri, megjithatë lind si detyrim qytetar edhe të parit pak më larg se kjo e përditshme.

Ndoshta mënyra më e mirë për ta parë aktin e të protestuarit është përmes një vështrimi që i kapërcen kufijtë e vendit, për të kuptuar më qartë dinamikën që ka përfshirë shoqëritë e rajonit, ndaj edhe nevojitet një fokus te ngjarjet që kanë shënjuar pothuajse dy vitet e fundit në këtë pjesë të kontinentit.

Për Ballkanin Perëndimor, duket sikur gjithçka nisi rreth fundit të vitit 2024. Fillimisht ishin protestat në Serbi, që kishin si motiv tragjedinë në stacionin hekurudhor në Novi Sad, që shumë shpejt do të ktheheshin në organizime masive kundër korrupsionit që nuk kanë përfunduar ende. Në shkurt të vitit 2025, vijuan tubimet e shumta nëpër Greqi pas aksidentit në Tempi, që nxitën thirrjet kundër neglizhencës shtetërore. Po në të njëjtin vit u shënuan protesta masive në Maqedoninë e Veriut, pas zjarrit me përmasa të rënda në një lokal nate në Kocani. Edhe në shtete të tjera u regjistruan protesta të ndryshme për marrjen parasysh të kërkesave të qytetarëve dhe mbështetjen e parimeve demokratike.

Ndërsa në qershor të këtij viti, protestat përfshinë edhe Tiranën, kryeqendrën e shqiptarëve.

Ajo që mund të konsiderohet si një çështje çasti kohor për Ballkanin, mund të shihet edhe si një "shkundje" e shoqërive të rajonit, për të marrë më tepër në dorë fatet e tyre, ndërsa përballen me një realitet të vështirë.

Por pavarësisht shtetit, emrave konkretë në politikë, opozitarëve, aktorëve e faktorëve të tjerë politikë, mbetet një pikëpyetje nëse protesta si akt (qoftë në formën e marshimit, grevës, bojkotit apo rebelimit) është e mjaftueshme për të ndryshuar sadopak politikën e këtij rajoni të trazuar.

Kjo, pa harruar të kaluarën historike, tranzicionin politik dhe shoqëror, sfidat e demokratizimit dhe forcimit institucional, ndërsa të gjitha vendet ndajnë edhe ambicien e rrugëtimit europian.

Nëse rregulli është se qëllimi justifikon mjetin dhe vlera morale e veprimit varet nga përfundimi, mbase këtu nuk mund të parashikojmë 100%.

Thelbi është te ndikimi i vërtetë i mëtejshëm, krijimi i një efekti të vazhdueshëm, që kapërcen përdorimin e protestës si mjet dhe idesë së “fitores” së pjesëmarrësve, gjë që merr më shumë vlerë kur kombinohet me ndryshime ligjore dhe politika konkrete, që u shërbejnë më mirë qytetarëve dhe brezave të ardhshëm.





Lajmet e fundit nga