web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Opozita e integrimit dhe opozita kundër drejtësisë

16 Qershor 2026, 17:13, Editorial CNA

Opozita e integrimit dhe opozita kundër drejtësisë

PD është opozita zyrtare dhe shumica më e madhe e oponencës në Shqipëri. Por fatkeqësisht opozitën e shikojmë me dy fytyra; opozitën e integrimit dhe opozitën e krimit.

Për të qenë më të qartë:

Fajin për situatën që kalon Shqipëria, hyn në Europë, si do të hyjë, reformat etj., pa asnjë diskutim që e ka qeveria, por opozita mund të shkojë në kancelaritë europiane apo të bëhet qesharake me shqiptarët.

Çfarë thotë opozita shqiptare?

Thotë që është pro integrimit, “duam të hyjmë në BE, të na fusin me kushte, pa kushte”, në fakt, një kohë e humbur nga PD-ja gjatë kohës që ishte në pushtet për integrimin, pas zgjedhjeve të famshme të vitit 2009, me historinë “hap kutitë ose largohu” e deri te kryetari i Qarkut të Fierit.

Pra, ngërçe politike të krijuara nga PS-ja dhe kryetari, zoti Edi Rama, i cili bllokoi egërsisht rrugën e Shqipërisë në një moment shumë delikat për integrimin, pasi sot mund të ishim shumë hapa përpara se sa ndodhemi pas 15 vitesh.

Opozita po bën sot të njëjtin gabim siç ka bërë Edi Rama.

Prandaj themi me dy fytyra; opozita e integrimit dhe opozita e krimit, jo për lidhje të opozitës me krimin, se çfarëdo lloj lidhjeje të ketë opozita nuk ia del dot se nuk është në pushtet. Ato që dëmtojnë shtetin janë lidhjet e pushtetit me krimin.

Por opozita me retorikën e saj, nga njëra anë thotë “jemi dakord për integrimin, duam të hyjmë në BE, do t’ju mbështesim”, nga ana tjetër shkon në kancelaritë europiane dhe thekson se qeveria është e lidhur me drogën, me krimin, me pastrimin e parave dhe më spektakolarja është qëndrimi ndaj institucioneve të drejtësisë së re, që BE-ja nuk duhet t’i mbështesë dhe nuk duhet t’i financojë se kanë arrestuar liderin e opozitës, kanë futur në burg Ilir Metën etj., pallavra si këto.

Së pari, nuk mund të jesh edhe për integrimin, edhe kundër integrimit.

Së dyti, këto retorika janë kundër integrimit.

Së treti, pse duhet të jetë opozita kundër drejtësisë së re për një çështje personale të Sali Berishës?

Ai e ka theksuar se do të vazhdojë betejën e tij dhe e ka të ndarë, ashtu siç e ndau çështjen e “non grata”-s, eci përpara, vazhdon të jetë kryetar i PD-së, mbështetet nga shumica e demokratëve dhe kjo është e qartë.

Por të shkosh në institucionet e BE-së dhe t’u thuash që mos financoni institucionet e drejtësisë së re, pra SPAK-un dhe GJKKO-në, kur vetëm javën e fundit, në katër ditë, janë mbi 30 persona të arrestuar, qindra miliona asete të sekuestruara, para dhe prona të paluajtshme, që vinin nga aktiviteti i drogës që nga vitit 2020, biznesmenë ndërtues, bashkëpunëtorë të tyre, emra të njohur në kryeqytet.

Si mund t’u thuash institucioneve të BE-së mos mbështesni SPAK-un dhe institucionet e drejtësisë së re, ku nga ky SPAK është shpallur në kërkim ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, është nën hetim ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, është arrestuar ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, vuajti disa vite burg dhe është në kërkim nga drejtësia Lefter Koka?

Dhjetëra zyrtarë të lartë të pushtetit, kryetarë bashkish deri tek Erion Veliaj, i cili shihej si pasardhësi i Edi Ramës, e që sot ndodhet pas hekurave. Tani, ose je për integrimin dhe luftën ndaj korrupsionit, ose je kundër integrimit.

Të dyja nuk qëndrojnë bashkë, edhe të thuash jemi pro integrimit dhe jemi kundër drejtësisë së re dhe pastaj të thuash që qeveria është me krimin, me drogën, e marrë peng dhe akuzat nga më spektakolaret.

Në kancelaritë e huaja me këtë retorikë përfaqësuesit e opozitës duken si budallenj.

Ndoshta nuk ju vjen turp, ndoshta duan të duken dhe klounë dhe qesharakë, por duke shkuar atje për t’i rënë Edi Ramës dhe qeverisë po i bien kokës me këmbë, pasi nuk mund të thuash që drejtësia e re nuk duhet të financohet, sepse nëse ajo nuk ka financim, mbetet e dobët dhe ngelet në dorë të pushtetit.

Nëse drejtësia e re, SPAK-u, përpos problemeve që ka, do të kontrollohej nga Rama, asnjë ministër, kryetar bashkie, dhe zyrtar tjetër nuk do të ishte në hetim, i arrestuar apo në gjykim.

Por opozita është dakord që të gjithë zyrtarët e shtetit të hetohen, të burgosen për korrupsion, por jo Ilir Meta dhe Sali Berisha.

Dy standarde nuk mund të ketë.

Ose mbështeten dhe i hetojnë të gjithë, ose “mua jo, ata po”, nuk shkon, se vërtetë dukesh budalla.

Më tej akoma, të thuash se institucionet e drejtësisë së re janë të kapura. Nga kush? Nga Edi Rama?

Po kur Edi Rama qenka bashkëpunëtor i grupeve kriminale, drogës, trafiqeve, si ka mundësi që janë dhjetëra grupe kriminale të çmontuara nga SPAK-u, janë me qindra persona të shpallur në kërkim për trafik droge, janë me qindra persona të grupeve kriminale të arrestuar me pasuri të sekuestruara që një nga një po dalin në gjykim, janë me dhjetëra raste zbardhje vrasjesh dhe ngjarje të rënda kriminale, me bashkëpunëtorë të drejtësisë, të zbuluar nga Sky, Enchrochat, me fakte dhe prova të tjera?

Po si mundet të jetë opozita kështu?

Nga njëra anë të thotë jemi për integrimin, por kundër drejtësisë, se ajo ka goditur liderin e opozitës.

Po këto të tjerat që ka goditur drejtësia, çfarë janë? Apo opozita thërret “o lelele o nëna ime, o lele o doktori im?”

Është e dhimbshme kjo metamorfozë që i ndodh opozitës

Është e dhimbshme si mund të thuash që është e kapur drejtësia. Po këtë luftën ndaj krimit kush e ka bërë? Ato grupe kriminale të çmontuara, ato  goditje ndaj trafiqeve droge kush i ka ekzekutuar? Prokurorët e SPAK-ut i kanë firmosur. A nuk janë gjyqtarët shqiptarë që i firmosën? Nuk është kjo drejtësi që i firmos? A ka probleme? Pa diskutim.

Por politika shkon dhe zgjidh problemet, nuk thotë mos e mbështesni drejtësinë. Opozita shkon me propozime konkrete si të përmirësohet kjo drejtësi, e cila ka problematika pa fund dhe kjo nuk ka diskutim, por nuk luftohet drejtësia me standardin “burgos Ramën që të vij unë në pushtet”.

Se Ramës i kanë rënë ministra, kryetarë bashkie, me dhjetëra “dëshmorë”, kurse opozitës dy persona në hetim i kanë marrë, Ilir Metën dhe Sali Berishën. Po nuk është lufta ndaj opozitës të marrësh në hetim ish-kryeministrat.

Se i bie që është luftë ndaj qeverisë kur merr zëvendëskryeministrat, ministrat, kryetarët e bashkive dhe gjithë asetet kryesore njerëzore që e sollën në pushtet dhe ku është mbështetur Edi Rama.

Ndaj dhe opozita pro integrimit dhe opozita kundër krimit nuk mund të ketë, se të jesh kundër drejtësisë je pro krimit, asgjë më shumë sesa kaq.

Ndaj opozita duhet të ndryshojë retorikën, duhet të ndryshojë qasjen. Ndoshta nuk mund të mbështesësh individë të caktuar të drejtësisë së re, por mund të shkojë me emra, me fakte konkrete, me prova, pikërisht për këta individë që mund të jenë problematika e drejtësisë së re.

Nga ana tjetër, të propozojë si çohet përpara reforma në drejtësi dhe si mund të kemi një drejtësi më të pavarur dhe jo të ngelemi peng i një retorike absurde që nuk i çon asgjëkundi, por e nxjerr opozitën në rolin e budallait dhe e bën atë qesharake./ CNA





Lajmet e fundit nga