web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Si dështon Berisha para SPAK-ut

15 Dhjetor 2025, 14:26, Editorial CNA

Si dështon Berisha para SPAK-ut

Ish-kryeministri Sali Berisha sot është paraqitur para SPAK-ut, ku ka vazhduar ritualin e tij të akuzave ndaj prokurorëve, ndaj ish-kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, dhe gjyqtares Irena Gjoka.

Në fakt, edhe pse Dumani nuk është më drejtues i këtij institucioni dhe nuk është aspak prokuror i çështjes së tij, por janë të tjerë prokurorë që e kanë hetuar Sali Berishën, doktori sot vazhdoi sërish akuzat e tij të përsëritura ndaj Altin Dumanit.

Shkoi dhe me një tezë tjetër që e ka artikuluar edhe më parë publikisht, se me pagën e shtetit nuk mund të blihen tri apartamente, por theksoi se kjo bëhej vetëm me kredi.

Në fakt, po të shikosh deklarimet e pasurisë së Altin Dumanit gjithçka është bërë me kredi siç thotë doktori.

Strategjia e Berishës sulmo-akuzo

Por, kuptohet, Berisha ka stilin e tij të politikës me variantin e tij të përhershëm, sulmo-akuzo, sulmo-akuzo dhe ec vetëm përpara.

Por, çështja nuk është thjesht dhe vetëm tek akuzat që bëri ndaj Altin Dumanit apo asaj që përsëriti për miliona euro të paguara etj.

Në fakt, për këtë të fundit të miliona eurove të paguara, nëse Sali Berisha do t’i kishte gjetur qoftë dhe 5 lekë të marra Altin Dumanit do të ishte një “mrekulli politike”, por në fakt kur doktori të kërkojë dhe të gjejë edhe 5 lekë që mund të ketë marrë Altin Dumani atëherë ndoshta prokurorit që hetoi Erion Veliajn, Ols Dado, do t’i kenë mbirë kaçurrelat, por kjo i përket një tjetër historie.

Te historia e apartamenteve që akuzon Altin Dumanin mirë do të ishte që doktori t’ia shikonte edhe Erion Veliajt vilat, pasuritë, shpenzimet dhe do të ishte mirë që kur të shkonte para SPAK-ut më shumë sesa prokurorët duhet të shkundte dhe tundte dokumente të nxjerra për zyrtarët e korruptuar të pushtetit.

Ndoshta kjo do të ishte strategjia e duhur e doktorit, jo të merrej me Altin Dumanin që nuk është më kreu i SPAK-ut dhe nuk ia ka hetuar dosjen.

Berisha është i pamëshirshëm në llojin e vet në sulm ndaj bashkëshorteve, familjarëve, akuzave të padrejta, por kostot mes qasjes dhe artikulimit politik duke ngatërruar lojëtarët thjesht dhe vetëm i ka marrë përgjigjet si votë.

Berisha mund të vazhdojë ta sulmojë SPAK-un, Altin Dumanin, duke parë sondazhet se reputacioni i tyre është shumë i lartë.

Padyshim që aty brenda ka dhe prokurorë të paaftë apo dhe të korruptuar, të cilët Sali Berisha nuk i përmend me emër, por si gjithmonë fokusohet te halli i tij.

Por halli i tij, dalja para SPAK-ut dhe me artikulime të tilla nuk bën asgjë tjetër thjesht dhe vetëm i jep kosto pasi shqiptarët e lexojnë qartë.

Pse Berisha shkon aty dhe nuk flet për korrupsionin dhe hajdutëritë e qeverisë, por shkon dhe mban konferenca duke sharë prokurorët që shumica e shqiptarëve i njohin për punën, profesionalizmin dhe vlerat që kanë dhe nuk flet një fjalë të vetme edhe për ata prokurorë të korruptuar dhe të paaftë që ndodhen brenda SPAK-ut dhe pasuritë e zyrtarëve të pushtetit?!/ CNA





Lajmet e fundit nga