web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kush po tallet dhe po vjedh në aeroportin e shqiptarëve?

24 Tetor 2025, 13:08, Editorial CNA

Kush po tallet dhe po vjedh në aeroportin e shqiptarëve?

Aeroporti i Vlorës, një nga aeroportet e reja që pritej të fillonte fluturimet për pasagjerët në vitin e ardhshëm, ka qenë ditët e fundit lajmi kryesor që ka ngjallur një sërë debatesh, përplasjesh, intrigash, sulmesh, kundërsulmesh, heshtjesh, personash publikë të përfshirë në njërën anë, në anën tjetër, opozita që ka filluar skemat e saj, duke thënë se kemi këtë dhe atë dokument dhe se është një aferë që shkon më shumë se inceneratorët etj.

Është krijuar një kakofoni, një zhurmë dhe askush nuk jep një sqarim. Në fakt, aeroporti i Vlorës është një koncesion i dhënë nga shteti shqiptar, i cili përfshin ndërtimin dhe operimin e tij.

Në letrat koncesionare ka qenë edhe një kompani turke, e cila është larguar. Ndërkohë është sjellë kompania e aeroportit të Mynihut, në mënyrë direkte apo indirekte, për të bërë menaxhimin, pas përfundimit të investimit.

Dhe një ditë të bukur, gati gjashtë muaj nga data kur duhet të dorëzohet, pasi afati i dorëzimit dhe fillimit të operimit është në mars të vitit 2026, plas skandali: Dy kompani që marrin një koncesion, një person i tretë me 2%, që fillon e sulmon aksionerin më të madh, dhe lajmi se është larguar një kompani tjetër. Shumë broçkulla dhe zhurmë!

Kanë ardhur dhe kanë marrë kontratën koncesionare baca Behgjet nga Kosova dhe një Valon, pastaj një tjetër Valon, se janë dy Valonë në histori, dhe plas skandali, a thua se po u intereson shumë shqiptarëve si po "çan barkun" baca Behgjet me Valonin.

Po çfarë u intereson shqiptarëve si ia vodhi Valoni milionat e eurove Behgjetit, në aeroportin e Bengazit? Kujt i duhet kjo?

Janë dy kompani private, kanë xhepat e tyre, vjedhin njëri-tjetrin. Kokën të hanë!

Interesi i shqiptarëve është të bëhet aeroporti i Vlorës.

Po çfarë interesi ka për shqiptarët se Valoni që është ortak me 2%, jo ai Valoni tjetër që është administrator, kërkon t'i marrë aksionet e turqve, se ka hedhur para për investime, se Behgjeti ka marrë këtë kredi aty, pastaj sulmohet Behgjeti se ka marrë para nga rusët, se ky Valoni ka bërë këtë gjë këtu, se ka vjedhur paratë atje.

Shqiptarët kanë një interes: Të përfundojë aeroporti i Vlorës, të fillojë operimin, të ketë më shumë destinacione.

Për Vlorën, të kthehet në një portë të madhe për turizmin, e cila do të sjellë pa diskutim miliona e miliona euro të ardhura në buxhet. Mund të shtojë flukset e lëvizjet nga shumë qytete të Europës, të sjellë më shumë turistë, më shumë para në buxhet.

Ky është interesi i publikut. Se çajnë barkun edhe vjedhin njëri-tjetrin, Valoni bacën Behgjet, apo baca Behgjet Valonin, për çfarë u duhet kjo shqiptarëve?

Tani që kanë kaluar kaq ditë nga ky debat, në qoftë se ata janë dy aktorë privatë në një kontratë koncesionare dhe fillojnë e theren me njëri-tjetrin, shteti ndërhyn e i merr me shkelma, i nxjerr jashtë dhe fillon ndërtimi i aeroportit. Në rast se njëri nuk po bën planin e investimeve siç është përcaktuar, shkon shteti e merr për b…, e nxjerr jashtë.

Ata janë dy privatë që po "grihen" me njëri-tjetrin, pse m'i dhe këto aksione, pse s'm'i dhe, po unë kam hedhur 60 milionë euro, jo po të dalin në fatura 23, po ti më vodhe këtu, po më vodhe aty, po ja ky ka bërë këtë lëvizjen e aksioneve në këtë vendin tjetër. Po çfarë i duhet kjo shtetit shqiptar, po publikut shqiptar? Pak biznese private, koncesione e kontrata ka që pronarët dhe bashkaksionerët nuk shkojnë me njëri-tjetrin?

Shteti shqiptar, qeveria shqiptare ka një interes, përfundimin e aeroportit.

Nëse ka një plan investimesh, në muajin nëntor situata në aeroport duhet të jetë në këtë gjendje, 80% e volumeve po themi, e kryer. Në këtë moment vetë shteti kontrollon dhe e merr bacën Behgjet me shkelma në qoftë se nuk i ka bërë, bashkë me Valonin.

Sepse s'kanë bërë planin e investimit. Apo pritet marsi që të përfundojë aeroporti. Po pse një sherr midis dy privatëve do t'u japë kosto qytetarëve shqiptarë? Se ata s'bien dakord? Po ata mund të çmenden të dy. Do të vijnë ata, do të rrjepin shqiptarët dhe do të bëjnë çfarë të duan në Shqipëri? Po qoftë edhe Behgjet Pacolli, qoftë edhe Valoni edhe kushdo tjetër me radhë, nga i pari tek i fundit.

Çfarë interesi kanë qytetarët shqiptarë se kanë marrë shpatat Valoni me Behgjetin?

Po kokën t'i presin njëri-tjetrit. I rëndësishëm është aeroporti. Kush janë këta njerëz që u kthyen në debat publik? Kanë marrë një kontratë koncesionare, të respektojnë kontratën, nëse jo, t'i marrin e t'i çojnë ku u takon vendi.

Kthehet çështja e aeroportit të Vlorës, sikur është hall dhe problem i madh, jo shteti, jo qeveria etj. Po t'i marrin me shkelma që të dy nga i pari tek i fundit, t'u kontrollojnë planin e investimeve dhe kaq.

Po kanë bërë cirqe me njëri-tjetrin, të shkojnë t'i zgjidhin me njëri-tjetrin. Po kanë bërë cirqe në kurriz të interesit të publikut shqiptar, të shkojnë atje ku e kanë vendin, të mbajnë përgjegjësi penale.

Nuk e mban dot peng aeroportin e Vlorës as baca Behgjet, as Valoni, as shokët e tyre.

Do të vijnë këta me daulle të madhe, patriotë të mëdhenj që na vijnë nga Kosova dhe do bënin një superinvestim në Shqipëri. Ndërkohë jemi në këtë situatë. Fakti është fakt. Aty ka dy privatë që po sherrosen me njëri-tjetrin.

Kokat të hanë! Interesi i publikut është të bëhet aeroporti i Vlorës. Qeveria t'i marrë e t'ia çojë kufirin te thana, qoftë këtij bacës Behgjet, qoftë atij Valonit që i ka filluar historitë në Bengazi dhe kërkon t'i përfundojë në Vlorë./ CNA





Lajmet e fundit nga