web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Prokurori i SPAK-ut që po “bën namin”

22 Nëntor 2025, 12:05, Editorial CNA
Prokurori i SPAK-ut që po “bën namin”
SPAK

Hetimi ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, si dhe kërkesat e bëra nga prokurori Dritan Prençi dhe vendimet e GJKKO-së për dhënien e disa masave të sigurisë janë kthyer në lajmin kryesor të ditës në dy javët e fundit.

Përveç zonjës Balluku, me masa sigurie janë Gentian Gjyli, kreu i ARRSH-së, dhe Erald Elezi, drejtori i KESH-it.

Prokurori Dritan Prençi nisi hetimet në lidhje me ish-drejtorin e ARRSH-së, Evis Berberin, dhe më pas nga telefonat e tij ka zbërthyer mesazhet dhe në bazë të tyre ka ngritur akuza për shkelje të barazisë në tenderë.

Ky është skenari i asaj çfarë ka ndodhur dhe emri i prokurorit që ka kryer hetimet.

Përtej lavdërimeve, Dritan Prençi është një prokuror me shumë pikëpyetje.

Pa e akuzuar dhe pa e sulmuar aspak, ne si CNA kemi qenë sistematikisht kritikë ndaj tij dhe kemi ngritur pyetjen: A është i paaftë apo i korruptuar? Dhe jo për dosjen “Balluku”.

Ai është një prokuror që kërkon ta mbajë një çështje në gjykatë me SMS. Kjo është ajo çfarë ka zgjedhur ai. Gjykata është ajo që i merr vendimet.

Dy standartet e Dritan Prençit

Lind pyetja: Si ka mundësi që ky prokuror ka punuar kaq shpejt me dosjet e ARRSH-së, dhe ndërkohë me dosjet e inceneratorëve ka gati 5 vjet që fle gjumë?

Është i njëjti prokuror që kishte dosjen e inceneratorit të Fierit, që e ka zvarritur me disa zyrtarucë dhe nuk e mori Armando Subashin nën akuzë, apo zyrtarët e tjerë të qeverisë, ministrat e përfshirë në historinë e inceneratorit të Fierit, i cili ende sot është jashtë funksionit dhe ka kushtuar jo më pak se 35 milionë euro.

Dritan Prençi është prokurori i dosjes së inceneratorit të Tiranës. Pikërisht për këtë arsye ne kemi qenë kritikë. Sepse ai ka marrë nën akuzë Lefter Kokën, të cilin e ka bërë si dardhë boksi, edhe Alqi Bllakon, i cili doli nga burgu.

Dhe, e gjithë afera, ku në pak vite shkuan në duart e disa njerëzve më shumë se 130 milionë euro, ka mbetur jetime.

Pavarësisht se ka shkuar Dritan Prençi te një grup i strukturuar kriminal dhe ka marrë disa administratorë apo dhe pronarë në të vërtetë, siç ishin Mirel Mërtiri apo Klodian Zoto, por dosja fle. 

 

Dritan Prençi është i paaftë apo i korruptuar?

Në rastin e ARRSH-së ka vepruar dhe ka shkuar edhe me masa ekstreme, aq sa ka plasur një debat publik mbi kushtetutshmërinë e vendimit dhënë nga gjykata, pas kërkesës së prokurorit Dritan Prençi në lidhje me zëvendëskryeministren, ndërsa për rastin e inceneratorëve nuk bën asgjë.  

Pra, në një rast shkon shpejt, fort dhe godet, në rastin tjetër nuk bën asgjë. E bukura e gjithë kësaj historie, e këtij prokurori që "po bën namin", është se tek inceneratori i Tiranës, që nuk ekziston, dokumentet janë male dhe janë të qarta, janë të thëna edhe publikisht.

Por Dritan Prençi nuk ka guxuar ta marrë në një akuzë të vetme, qoftë minimalisht për shpërdorim detyre, Erion Veliajn, kryetarin e Bashkisë së Tiranës, i cili është njeriu që ka thënë publikisht se e ka kërkuar vetë inceneratorin, është njeriu që duhet ta mbikëqyrte nëpërmjet njësisë së zbatimit të projekteve investimin, por që njësia u sabotua dhe u shkatërrua.

Dhe prokurori që ka dokumentet mal është Dritan Prençi. Janë dhënë dokumente të Holandës, janë dhënë ortakëritë, tjetërsimi i pronarëve, dokumentet e Erion Veliajt, një pjesë e të cilave janë publike.

Dritan Prençi nuk ka bërë asgjë.

Tani me dosjen e ARRSH-së po shkon në gjyq me SMS dhe do të “bëjë namin”. Ndërkohë që për Erion Veliajn, që janë 130 milionë euro, nga të cilat rreth 60 milionë euro janë dhënë nga buxheti i shtetit nëpërmjet transfertave të pakushtëzuara, Dritan Prençi s'ka bërë asgjë në lidhje me politikanët e lartë.

Thjesht dhe vetëm e ka mbajtur këmbën e hequr nga gazi, për të shkuar në drejtim të kryebashkiakut të Tiranës që është përgjegjës, një nga përgjegjësit kryesorë në lidhje me atë aferë.

Ky është prokurori që “bën namin”.

Në njërin rast lufton që të shkojë përpara me SMS, në rastin tjetër me dokumente fizike dhe me prova që janë mal, të çuara këto nga Nisma "Thurje", nga Lëvizja Socialiste për Integrim, nga zonja Kryemadhi, nga Belind Këlliçi e të tjerë, pa folur për qindra faqe dokumente të marra në redaksinë e CNA-së, prokurori i SPAK-ut që bën namin, Dritan Prençi, fle mbi dosje dhe pyetja lind sërish: A është i paaftë apo i korruptuar? Te rasti i parë po bën namin, po tek inceneratorët?!/ CNA

 





Lajmet e fundit nga