web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Koherenca qesharake e opozitës

16 Qershor 2026, 18:11, Opinione Ardi Stefa

Koherenca qesharake e opozitës

Opozita e vizës së blerë për arsye "shëndetësore" u bëri sot thirrje deputetëve të mazhorancës që të bashkohen me të dhe të rrëzojnë Edi Ramën me mocion mosbesimi. Madje protestuesve u premtohet se këta deputetë do të jenë shpëtimtarët e demokracisë.

Por a nuk është absurde?

Deri dje dëgjonim një tjetër histori. Shqipëria, sipas opozitës, ishte një regjim. Deputetët e mazhorancës ishin produkt i votave të krimit, drogës dhe manipulimit. Parlamenti ishte ilegjitim. Institucionet ishin të kapura. Çdo gjë ishte e kalbur nga themelet.

Sot, papritur, të njëjtët deputetë që deri dje konsideroheshin pjesë e mekanizmit kriminal të pushtetit, ftohen të shpëtojnë demokracinë. Të njëjtët njerëz që nuk përfaqësonin vullnetin e qytetarëve, tani paskan legjitimitetin për të rrëzuar qeverinë përmes procedurave kushtetuese.

Tani, kur i duhet një rrugëdalje politike, rikthehet te i njëjti Parlament që e ka quajtur të paligjshëm. Nëse institucioni është i kapur, atëherë nuk mund të jetë njëkohësisht edhe zgjidhja. Nëse është zgjidhja, atëherë nuk ka qenë kurrë aq i paligjshëm sa është pretenduar.

Atëherë, cilën nga këto dy histori duhet të besojnë qytetarët?

Nëse Shqipëria është një regjim diktatorial, si mund të rrëzohet regjimi përmes institucioneve të tij? Nëse deputetët e mazhorancës janë produkt i krimit, pse kërkohet bashkëpunimi i tyre? Nëse Parlamenti është ilegjitim, pse kërkohet shpëtimi pikërisht nga ai Parlament?

Çështja nuk është ndryshimi i strategjisë. Politika ka nevojë për fleksibilitet. Problemi është mungesa e koherencës. Kur retorika ndryshon sipas hallit të ditës, qytetarët kanë të drejtë të dyshojnë se nuk po ndryshon realiteti, por vetëm interesi politik.

Po aq paradoksale është edhe marrëdhënia me protestuesit. Dje protestuesit që kërkonin alternativa të reja shpalleshin të manipuluar. Sot, sepse mund të jenë të dobishëm, janë bërë papritur patriotë. Dje deputetët e mazhorancës ishin simbol i deformimit të demokracisë. Sot janë votat e nevojshme për ta shpëtuar atë.

Ka edhe një problem moral. Nëse deputetët e mazhorancës do të kalonin nesër në anën e opozitës, çfarë do të ndryshonte te integriteti i tyre? A do të pastroheshin automatikisht nga akuzat për lidhje me krimin, manipulim zgjedhor apo korrupsion? Nëse po, atëherë del se problemi nuk kanë qenë kurrë standardet demokratike, por thjesht pozicionimi politik i individëve.

Kjo krijon bindjen se kriteri i vetëm nuk është më e vërteta, por dobishmëria politike e momentit. Dhe kur kriter bëhet dobia, retorika humbet besueshmërinë dhe politika në harresë kolektive.

Dhe nuk është strategji politike. Është një koherencë qesharake që fyen inteligjencën e kujtdo që ka kujtesë më të gjatë se një konferencë shtypi./ CNA





14:58 Opinione Ardi Stefa

Kujt i përket mandati?

Debati mbi pronësinë e mandatit parlamentar rikthehet sa h...

17:52 Opinione Luan Rama

Dekoratat...

Festa e Krijimit, prej ditësh, i ka mbledhur anëtarët e pa...

12:08 Opinione Lutfi Dervishi

Fjala ka shpirt

"Në fillim ishte Fjala." Ndoshta nuk ka fjali më të njohur...

Lajmet e fundit nga