web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Po të më kishin dëgjuar mua…

16 Qershor 2026, 15:30, Opinione Ahmet Prenci

Po të më kishin dëgjuar mua…

Diku nga mesi i viteve ’90, në një Shqipëri që ende po mësonte të ecte në lirinë e sapofituar, më është rrëfyer një ndodhi që sot tingëllon si një metaforë e tërë e asaj kohe, dhe, për fat të keq jo vetëm e asaj kohe.

Ma tregonte shkrimtari Besnik Mustafaj, që në atë periudhë ishte ambasador i Shqipërisë në Francë. Kishte pritur e shoqëruar në Tiranë një gazetar të njohur francez, të cilin e kishte çuar në një darkë me presidentin e atëhershëm, Sali Berishën. Ishte një nga ato darkat ku politika vishet me solemnitet dhe fjalët peshohen si monedha të rralla. Biseda kishte qenë e gjatë, ndoshta edhe e rëndë, me temat e mëdha të tranzicionit, me pritshmëritë e një vendi që sapo kishte dalë nga izolimi dhe që ende nuk e dinte ç’do të bënte me lirinë e tij.

Kur mbaroi gjithçka, të dy burrat, Besniku dhe gazetari francez, dolën nga darka dhe deshën të ecnin më këmbë drejt hotelit më të mirë të kohës, në zemër të Tiranës. Ishte natë e vonë. Bulevardi i gjerë rrinte thuajse i zbrazët. Mbi qytet kishte rënë një qetësi e çuditshme, një qetësi që nuk ishte paqe, por lodhje. Heshtja e një populli që kishte shpresuar shumë dhe ende nuk e dinte sa gjatë do t’i duhej të priste.

Duke ecur e duke folur për mbresat e darkës, papritur dëgjuan një zë. Një grua, pastruese rruge, e përkulur mbi fshesën e saj, fliste me vete me zë të lartë. Zëri i saj ishte i lodhur, por mjaft i fortë sa të çante heshtjen e natës. Mes fjalëve të mbytura, një fjali shkëputej si një thirrje:

“Të isha unë në vendin e Sali Berishës…”

Gazetari francez u ndal në vend. Nuk e kuptonte gjuhën, por emrin e presidentit e kishte kapur qartë. Kureshtja e tij këtë herë nuk ishte diplomatike, ishte njerëzore. I kërkoi Besnikut t’ia përkthente. Ambasadori u përpoq ta kalonte me lehtësi: “Gjëra të zakonshme… asgjë me rëndësi.” Por gazetari nuk lëvizi nga vendi. Diçka në tonin e asaj gruaje e kishte prekur. “Jo… unë dua ta di.”

Dhe atëherë, me një përkthim të thjeshtë por të mjaftueshëm, Besniku ia shpjegoi. Gazetari mbeti disa çaste pa fjalë. Pastaj, me një zë që mbante më shumë reflektim sesa habi, tha: “Besnik, unë jam ndër gazetarët më të njohur në Francë. Kam bërë një karrierë të gjatë dhe mund të them se më njeh gjithë vendi. Por kurrë, asnjë herë të vetme, nuk më ka shkuar ndër mend të bëhem president i Francës. Kur një pastruese rruge ëndërron të bëhet presidente, kjo do të thotë se gjendja këtu është vërtet e rëndë.”

Dhe ndoshta, pa e njohur thellë Shqipërinë, ai e kishte prekur një të vërtetë të saj më saktë se shumë analistë vendës. Sepse ajo nuk ishte thjesht një fjali. Nuk ishte ambicie. Ishte një thirrje e heshtur për dinjitet. Në vende të konsoliduara, ëndrra për pushtet është një luks, gati një tekë. Në vende të plagosura, ajo merr formën e shpëtimit. Ajo grua, në të vërtetë, nuk e donte pushtetin; ajo donte vetëm të dilte nga pafuqia. Ndoshta ajo natë në bulevard i tregoi gazetarit francez për Shqipërinë më shumë sesa vetë darka solemne me presidentin.

E kam kujtuar shpesh atë episod. Jo si një histori të largët në kohë, por si një pasqyrë që vazhdon të më ndjekë gati në çdo tryezë, në çdo bisedë, në çdo takim të zakonshëm njerëzor. Sepse ajo fjali nuk mbeti në bulevardin e zbrazët të Tiranës së viteve ’90. Ajo mbijetoi. E kam dëgjuar në forma të ndryshme, në kohë të ndryshme, nga njerëz të ndryshëm, derisa u shndërrua në një lloj refreni kombëtar:

“Të isha unë në vend të Edi Ramës… Sikur të më pyeste mua… Të isha unë në vendin e kryeministrit…”

Dhe nuk është thjesht punë e Tiranës. E kam hasur edhe në fshatra të largëta, ku politika botërore diskutohet me të njëjtën siguri si moti i nesërm, ku emra si Trump, Klinton apo Putin përmenden me një familjaritet të çuditshëm, sikur të jenë fqinjë lagjeje që i njohim që në djep. Atje, mes një gote raki dhe një cigareje, rivizatohet harta e botës dhe rishpërndahet pushteti i saj, pa u ngritur askush nga stoli.

Por ajo që më habit më shumë nuk është kjo. Do të prisje që një siguri e tillë t’u takonte tryezave të thjeshta, ku jeta është e ashpër dhe ëndrra mbetet e vetmja arratisje. Çudia është se e njëjta gjuhë, i njëjti vetëbesim pa brigje, shfaqet edhe në tryeza me njerëz të shkolluar, me intelektualë, me ata që, në parim, fjalën duhet ta peshojnë. Aty ku pret reflektim, dëgjon shpallje. Aty ku pret pyetje, dëgjon vendime të prera.

“Unë e kam njohur Sali Berishën… madje i kam thënë… por ai nuk më dëgjoi. Prandaj vajtën punët keq”, të thotë njëri, me sigurinë e atij që mban në xhep çelësin e historisë. Një tjetër, me një triumf të lehtë e të fshehur nën modesti, shton: “Unë i pata dhënë tri porosi Edi Ramës… por ai nuk i zbatoi.” Sikur fati i një qeverie të ishte varur prej tri fjalive të pathëna në çastin e duhur.

Dhe në atë çast, biseda nuk është më bisedë. Është skenë. Një teatër i vogël, ku secili luan rolin e këshilltarit të padukshëm të pushtetit, një këshilltar që, çuditërisht, nuk gabon kurrë, sepse këshilla e tij nuk u zbatua kurrë dhe, pra, nuk u vu kurrë në provë. Të gjitha dështimet e mëdha të kombit shpjegohen me një fjali të vetme, që ka bukurinë e thjeshtësisë dhe rehatinë e pafajësisë:

“Po të më kishin dëgjuar mua…”

Dhe ajo që të mbetet në mendje nuk është as përmbajtja e atyre “këshillave”, as e vërteta e tyre. Por mënyra. Një lirshmëri e çuditshme për të hyrë në këpucët e tjetrit. Një gatishmëri e menjëhershme për të zënë karrigen e vendimmarrësit. Një bindje e qetë se zgjidhjet janë të thjeshta, mjafton që bashkëbiseduesi të kishte qenë “atje”, dhe bota do të rregullohej brenda një pasditeje.

Dhe pikërisht këtu më rikthehet pastruesja e natës. Jo më si një figurë e vetmuar në një bulevard të boshatisur, por si një simbol që ndërkohë është shpërndarë në tërë shoqërinë. Sepse sot nuk është më vetëm ajo që thotë “Të isha unë në vendin e presidentit…”. Sot, në një mënyrë a në një tjetër, e themi të gjithë. Vetëm se ajo e thoshte nga pafuqia; ne, shpesh, e themi nga rehatia.

Sa herë ndodhem në tryeza të tilla, dëgjoj të njëjtën melodi: secili flet për punët dhe profesionet e të tjerëve, për gabimet e tyre, për vendimet që duhej të ishin marrë ndryshe. Por rrallë, shumë rrallë, dikush ndalet e pyet veten:

“Po unë? A e bëj si duhet punën time? A mund ta bëj më mirë?”

Jemi mjeshtër për të zbuluar të metat te të tjerët, por dorështrënguar në gjykimin ndaj vetes. Gjithmonë kemi një mendim për drejtimin e shtetit, por rrallë një shqetësim për drejtimin e jetës sonë. Flasim për vendime të mëdha, për politika globale, për strategji që shtrihen përtej kufijve, ndërsa shpesh nuk kemi durimin të përmirësojmë një gjë të vogël: një detaj të përditshëm, një premtim të dhënë, një përgjegjësi që na takon drejtpërdrejt e vetëm neve. Nuk e shohim rrugën te këmbët tona; e kërkojmë gjithmonë diku tjetër, larg, shumë larg, atje ku nuk kemi as barrë e as përgjegjësi.

Dhe në këtë pikë më kthehet, si një jehonë e hershme, fjala që i atribuohet Gjergj Fishtës, një fjalë që duket sikur nuk i përket vetëm një kohe, por një mendësie që nuk plaket: shqiptarët, thoshte ai, ulen në Milot, mes pluhurit dhe erës së fortë, pinë raki dhe qajnë hallet e anglezit. Sa e thjeshtë, dhe sa therëse. Sepse edhe sot vazhdojmë të komentojmë botën, të analizojmë liderët, të japim zgjidhje për gjithçka që është larg nesh, ndërsa ajo që është afër, ajo që është në dorën tonë, ajo që kërkon përkushtim, përgjegjësi dhe ndershmëri të përditshme, mbetet në heshtje.

Dhe ndoshta problemi i vërtetë nuk është se nuk dimë çfarë duhet bërë. Problemi është se gjithmonë mendojmë se duhet ta bëjë dikush tjetër. Pastruesja e asaj nate kërkonte një vend që nuk e kishte. Ne, shumë herë, kërkojmë çdo vend, veç atij që na takon./ CNA





14:58 Opinione Ardi Stefa

Kujt i përket mandati?

Debati mbi pronësinë e mandatit parlamentar rikthehet sa h...

17:52 Opinione Luan Rama

Dekoratat...

Festa e Krijimit, prej ditësh, i ka mbledhur anëtarët e pa...

12:08 Opinione Lutfi Dervishi

Fjala ka shpirt

"Në fillim ishte Fjala." Ndoshta nuk ka fjali më të njohur...

Lajmet e fundit nga