LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Energjia dhe Korridori VIII/ Balluku zbulon sfidat e qeverisë nga Maqedonia e Veriut

30 Maj 2023, 15:33, Politikë CNA

Energjia dhe Korridori VIII/ Balluku zbulon sfidat e qeverisë nga Maqedonia

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mori sot pjesë në një konferencë për energjinë në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Pas konferencës, Balluku doli në një deklaratë për mediat, së bashku me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Fatmir Bytyqi.

Në një prononcim për mediat, Balluku tha se me Bytyqin biseduan për sfidat, që janë siguria energjetike dhe eficienca e energjisë.

“Me një ftesë të veçantë të kolegut tim, Fatmir Bytyqi mora pjesë sot në një konferencë për energjinë, këtu në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, në Shkup, ku për të thënë të drejtën kurrë nuk duhet humbur rasti për t’u ulur me kolegët, për të diskutuar për të gjitha sfidat që Ballkani Perëndimor ka për sa i përket energjisë, që janë shumë të ngjashme me sfidat që Europa sot përballet, duke nisur nga siguria energjetike edhe duke vazhduar me eficiencën e energjisë, por padyshim edhe me bashkëpunimin rajonal që është më i rëndësishmi për ne.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë nisur prej kohësh të bashkëpunojnë sidomos për sa i përket projektit të ri, i cili është projekti i portit të Vlorës, ku parashikohet një gazifikim i lundrueshëm, i cili do të ketë edhe zhvillime të tjera, si distribucioni i gazit të lëngshëm në vende të tjera të rajonit, ashtu edhe prodhimi i energjisë elektrike përmes molekulave që do të vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë të falënderoj shumë për mundësinë e dhënë sot”, u shpreh ajo, ndërsa Bytyqi përmendi Korridorin VIII.

Zv.kryeministrja shqiptare deklaroi se ndonëse nuk kanë një bashkëpunim për Korridorin VIII, qeveritë e dy vendeve po investojnë në infrastrukturë që të takohen në pikën kufitare.

“Kjo është shumë e vërtetë. Unë do të thoja që bashkëpunimi midis dy qeverive është një bashkëpunim model, që për të thënë të drejtën ne shpeshherë e promovojmë këtë dhe në vendet e tjera të rajonit, duke thënë që shikoni frytet e bashkëpunimit që ne kemi me Maqedoninë e Veriut dhe siç ti përmende Korridori i VIII, pavarësisht se nuk kemi marrë mbështetje nga Bashkimi Europian që të dyja palët prisnim, me fuqitë tona ne e kemi nisur, edhe ju e keni vënë gurin e parë të themelit, edhe ne po punojmë në lotin e parë për t’u takuar në pikën e re kufitare që dy skuadrat, dy ekipet e krijuara nga dy qeveritë, ajo shqiptare dhe ajo e Maqedonisë së Veriut, janë duke punuar ngushtësisht për të pasur sa më shpejt një plan të përbashkët se ku do të takohemi me Korridorin e VIII”, deklaroi Balluku./ CNA.al

Lajmet e fundit nga