Kush ka frikë nga zbërthimi i katër telefonave të gjobaxhiut Elio Lazaj?
Policia e Shtetit i hodhi prangat dy ditë më parë, më 12 shkurt, në mesditë, Elio Lazajt, i cili pretendonte se ishte një gazetar, dikur një mercenar tek ?Ora News?, më pas i marrë në kontroll nga një biznesmen i lidhur me botën e krimit, i shumakuzuar nga politika dhe i përdorur si një kamikaz në mbrojtje të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Pra, nga armik i këtij të fundit u kthye në një shërbëtor të tij.
U fol se mori apartamente, makina, shuma të majme, por më pas vetë gazetari akuzonte se ia kishin marrë të gjitha dhe e kishin lënë me gisht në gojë.
Megjithëse policia në momentin e arrestimit i gjeti në disa zyra ku pretendohej se ekzistonin tri portale, njëri prej të cilëve kryesori i gjobëvënies.
Elio Lazaj u arrestua pasi prej dy vitesh kërcënonte, shantazhonte dhe shtrëngonte forcërisht me komunikime, por edhe me shkrimet e tij të vazhdueshme, një zyrtar të shtetit, thjesht dhe vetëm për të plotësuar orekset politike të ndonjë biznesmeni me inicialet A.D., por edhe urdhrat politikë që vinin për të sulmuar zyrtarë të caktuar të opozitës.
Sipas burimeve zyrtare të siguruara nga CNA, biznesmeni A.D, i cili po interesohet te dëshmitarët dhe njihet si njeri me lidhje të ngushta me kryeprokurorin Olsian Çela dhe të tjerë bashkëpunëtorë të Elio Lazajt, gjobaxhiut të arrestuar nga policia, po qarkullojnë fort materiale dhe po lëvizin duke kontaktuar kallëzuesit, por edhe duke kërkuar që nga Policia e Shtetit të merren dhe të ndryshohen të katër telefonat që i janë sekuestruar gazetarit gjobaxhi.
Jo vetëm kontaktet me personat e tretë, dëshmitarë apo denoncuesit e Elio Lazajt, por edhe lëvizjet e bëra për të ndryshuar telefonat, ka rënë në sy të agjencive ligjzbatuese dhe qartë po duket e gjithë skema, e cila nuk ka qenë thjesht dhe vetëm e bërë nga një dorë si gazetari gjobaxhi Elio Lazaj, por ka pasur të përfshirë edhe persona të tjerë, sa të dirigjuar nga burgu i Durrësit, sa nga mejhanet e Tiranës apo njerëz të lidhur me trafikun e drogës, krimin dhe të ekspozuar përpara SPAK-ut për vepra të ndryshme penale.
Zbërthimi i katër telefonave të gazetarit Elio Lazaj duket se ka tmerruar jo pak, jo vetëm biznesmenin dhe bashkëpunëtorët e Lazajt, por edhe të tjerë gazetarë bashkëpunëtorë të këtij individi dhe të tjerëve, persona të arrestuar që ndodhen në qeli, të cilët duket se kanë funksionuar si një grup i strukturuar kriminal.
Zbërthimi i katër telefonave të Lazajt do të sjellë edhe rrëzimin shumë shpejt të një grupi individësh që funksionojnë jo thjesht dhe vetëm si një bandë gjobaxhinjsh në krah të njëri-tjetrit, por si një strukturë mercenarësh të korruptuar në shërbim të pushtetit, që tashmë me marrjen e telefonave të Elio Lazajt, i cili nuk ka pranuar t?ia japë kodet e tij oficerëve të policisë gjyqësore, do të bëjë zbërthimin e plotë të të gjithë skemës.
Jo vetëm të sulmeve ndaj eksponentëve të caktuar të politikës, jo vetëm ndaj denigrimit, sharjeve dhe akuzave të pavërteta ndaj personazheve të ndryshëm mediatikë, por do të zbulojë qartazi se si portale anonime tashmë do të konfirmohen se nga kush menaxhohen, kush drejtohen.
Duke u krijuar e gjithë skema e grupit të strukturuar kriminal, pritet që dosja e Elio Lazajt t'i kalojë SPAK-ut për hetime të thella, për të zbuluar të gjithë të vërtetën që fshihet pas një bande kriminale me individë të përfshirë në gjobëvënie, shantazhe, kërcënime, denigrime, mashtrime, fyerje, që kanë funksionuar si një klan mafioz në media për qëllime bandash, për qëllime të grupeve të caktuara kriminale, trafikantëve të drogës, personave të arrestuar nga SPAK-u apo atyre në hetim dhe kryesisht zyrtarëve të shtetit sipas pagesave të majme mujore.
Këto tashmë jo vetëm janë zbërthyer, por pritet të konfirmohen edhe ligjërisht për të çuar në bankën e të akuzuarve një nga një të gjithë personat përgjegjës./ CNA


