web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Lajmet kryesore deri në orën 15:00

Lajmet kryesore nga aktualiteti, politika, kronika, rajoni dhe bota deri në orën 15:00

5 artikuj për këtë temë.

8 MUAJ ME PARE

Një gol dhe karton i kuq, mbyllet derbi Lazio-Roma

Lajmet kryesore deri në orën 15:00

Një gol i shënuar nga Lorenzo Pellegrini, i dha fitoren 1-0 Romës në derbin ndaj Lazios.

Dueli i vlefshëm për javën e katërt në Serie A, ishte shumë i luftuar dhe me raste shënimi, ashtu siç edhe pritej.

Në fund, Lazio e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë, pasi Belahyane u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 86-të.

Me këtë sukses, Roma ngjitet në vendin e katërt me 9 pikë, ndërsa Lazio zbret në vendin e 14-të me vetëm 3 pikë.

8 MUAJ ME PARE

Mbyllet edicioni i dytë i festivalit “Korça Serenights”/ Atmosfera e ngrohtë e serenatave "pushtoi" qytetin

Lajmet kryesore deri në orën 15:00

Në zemër të Korçës, në sheshin e Pazarit të Vjetër, është mbyllur edicioni i dytë i festivalit “Korça Serenights”. Për tri net me radhë, atmosfera e ngrohtë e serenatave u bë pjesë e jetës së qytetit, duke mbledhur bashkë korçarë, vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe turistë të huaj, të cilët u bënë njësh me muzikën dhe emocionin e kësaj tradite të veçantë. Mbrëmja e tretë shënoi kulmin e festivalit, duke sjellë në skenë emra të njohur të muzikës shqiptare.

Koncerti për tri netë me radhë u transmetua për teleshikuesit LIVE në CNA TV.

Këngëtarë me origjinë korçare, por edhe artistë nga qytete të tjera, interpretuan këngë që janë pjesë e kujtesës kolektive. Publiku i mbushur përplot në shesh këndonte së bashku me ta, duke krijuar një atmosferë që e kthente këtë natë në një festë të madhe qytetare.

Një risi e këtij edicioni ishte përpunimi dhe riorkestrimi i serenatave nga mjeshtri Josif Minga. Këngët tradicionale korçare, të cilat shpesh këndohen në tavolina familjare apo në raste gëzimesh, morën një tjetër dimension kur u shoqëruan nga Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura. Ky bashkim solli në skenë një interpretim të ri, më profesional dhe me fuqi skenike që e ngriti më lart nivelin artistik të festivalit.

Mjeshtri që u kujdes për riorkestrimin e këtyre materialeve muzikore, Josif Minga, e sheh këtë përvojë si një mundësi për t’i dhënë serenatës një dimension të ri, duke e nxjerrë nga intimiteti i shtëpive dhe duke e sjellë në skenën e madhe.

Këto janë materiale muzikore përgjithësisht të natyrës korçare, me një sediment të caktuar, të cilat i kam kuruar, ripunuar e orkestruar vetëm e vetëm për ti dhënë fuqinë skenike. Shumë nga këngët tona janë familjare, këndohen nëpër tavolina, ambjente gëzimesh etj, por këtu manifestojnë një natyrë tjetër më profesioniste. "Oh sole mio" është kënduar me dy kitara, mirëpo vlerën përsëri e ka kur është masivizuar në orkestrën simfonike. Kjo ka qenë një dëshira ime, sigurisht në bashkëpunim me organizatorët, që ta çpluhrosim natyrën e këngës dhe ta sjellim më të avancuar e më profesionale. Madje kemi gjetur edhe zërat më të mirë e cilësorë, të cilët jo vetëm nderojnë veten por edhe qytetin tonë me këtë rast”, u shpreh Minga.

 

Në këtë skenë u ngjit edhe artisti i njohur shkodran Frederik Ndoci, i cili e cilësoi serenatën si një simbol të veçantë të kulturës korçare. Për të, kjo muzikë është një thesar që i ka kaluar kufijtë e qytetit dhe që njihet e këndohet edhe në vende të tjera të Shqipërisë, duke e bërë Korçën një pikë referimi të pashlyeshme në hartën muzikore të vendit.

Artisti kujton se serenata është një pasuri që e ka shoqëruar breza me radhë dhe se Korça mbetet epiqendra e saj, duke ruajtur një repertor të pasur dhe të papërsëritshëm.

Serenata është kompasi i bukurisë së Korçës sepse vetë dimri i gjatë, vera e këndshme, me bollëk prurjesh artistike sepse në dimër njerëzit krijojnë dhe ka ngelur një modë që sjell një kulturë të veçantë në Shqipëri. Çdo qytet ka këngën e bukur serenatë por sasia është e reduktuar kurse Korça ka një oqean të madh me serenata. Në Shkodër është një blasfemi nëse nuk ka një bllok me këngë korçare. Pra, ne e kemi dashuruar Korçën. Ndoshta shumë shkodranë skanë qenë kurrë në Korçë por këngën korçare e dinë. Niko Peleshi ka bërë diçka të jashtëzakonshme që ka bërë këtë orkestër simfonike të ushtrisë. Mu kujtua koha përpara 1990-tës, që funksiononte shumë bukur edhe orkestra filarmonike. Është diçka shumë e bukur ta bësh edhe serenatën me orkestër simfonike të ushtrisë”, u shpreh Ndoci.

 

Po aq i emocionuar ishte edhe Mihallaq Andrea, i cili e sheh këtë festival si dëshmi të dashurisë që publiku ka për serenatën. Për të, fakti që sheshi ishte i mbushur plot e përplot, tregon qartë se kjo traditë vazhdon të jetojë, e përcjellë brez pas brezi, madje edhe tek të rinjtë.

“Ju e shihni që gjithë ky shesh është plot, njerëzit e duan këngën korçare, sigurisht që edhe e shijojnë. Unë do të performoj këngë të njohura e të vjetra, si të gjithë, por orkestracioni  është i ri. Më vjen mirë që këngët sillen me orkestracione të tjera, marrin vlera të tjera ashtu si korcerti im që mori vlera të tjera kur performova me një orkestër gati frymore. Unë i përgëzoj drejtuesit dhe organizatorët për një nismë të tillë sepse serenata korçare e meriton. Serenata korçare është traditë dhe unë mendoj se edhe ju të rinjtë e këndoni. E di sepse kam fëmijë vetë dhe e këndojnë serenatën korçare”, tha këngëtari Mihallaq Andrea.

 

Një emocion të veçantë përjetoi edhe Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura. Për muzikantët e saj, pjesëmarrja në këtë festival ishte një nder i madh, sepse u bashkuan me artistë të njohur dhe interpretuan këngë që përfaqësojnë shpirtin e qytetit.

Ata e konsideruan këtë përvojë si një kënaqësi shpirtërore dhe një nga mbrëmjet më të bukura të përjetuara në Korçë. Zyle Rexha, flautistja e parë e orkestrës e cilëson këtë bashkëpunim si një moment unik, ku serenata u soll jo vetëm si një traditë popullore, por edhe si një formë arti e rafinuar.

Sonte është një mbrëmje shumë e veçantë sepse vijmë në Korçë për serenatat. Veçantia e kësaj mbrëmje është se veprat janë ripërpunuar nga profesor Josif Minga dhe do të bashkëpunojmë me këngëtarë që janë legjenda të muzikës shqiptare si Eli Fara, Frederik Ndoci, vëllezërit Endri dhe Stefi, gjithashtu dhe Mihallaq Andrea. Për ne është një nder shumë i madh sepse nuk po performojmë thjesht me njëri tjetrin por me këto legjenda të muzikës shqiptare. Ëmbëlsia e muzikës shqiptare dhe e serenatave është gjëja më e bukur që mund të përjetojmë pikërisht këtu në Pazarin e Korçës. Është një kënaqësi shpirtërore. Kanë qenë prova që kanë shkuar shumë mirë, sepse është muzikë shqiptare dhe na buron nga shpirti”, tha flautistja Rexha.

 

Festivali “Korça Serenights” ka arritur që në vitin e dytë të tij të kthehet në një ngjarje të madhe kulturore. Jo vetëm si një spektakël muzikor, por edhe si një dëshmi e fuqisë që ka serenata për të bashkuar njerëzit dhe për të ruajtur identitetin kulturor të qytetit të Korçës.

Në mbyllje, qyteti përjetoi jo vetëm një festë muzikore, por edhe një përqafim të traditës, duke i dhënë serenatës korçare vendin që meriton, si një trashëgimi e gjallë e kulturës shqiptare./CNA

8 MUAJ ME PARE

Tentuan të trafikonin armë, të fshehur brenda televizorit/ Pranga dy të rinjve, një në kërkim

Lajmet kryesore deri në orën 15:00

Në Tiranë është goditur një rast i trafikimit të armëve nga Shqipëria drejt Anglisë.

Policia ka vënë në pranga dy persona dhe ka shpallur në kërkim një të tretë, të cilët dyshohet se vepronin si grup për trafikimin e armëve.

Gjatë kontrolleve, u gjet një armë zjarri e ndarë në pjesë dhe e fshehur brenda një televizori me qëllim strafikimin drejt Anglisë.

Arma u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Arma u tentua të trafikohet nëpërmjet një kamioni.

 

Njoftimi i policisë

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Metoda”.

Goditet një rast i trafikimit të armëve të zjarrit nga Shqipëria drejt Anglisë.

Sekuestrohet 1 armë zjarri pistoletë me silenciator, e ndarë në pjesë dhe e fshehur brenda një televizori.

Identifikohen 3 shtetas. Vihen në pranga 2 prej tyre dhe shpallet në kërkim një tjetër, të cilët dyshohet se vepronin në grup, me qëllim kryerjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të armëve jashtë Shqipërisë.

Si rezultat i informacioneve të marra në rrugë operative për një rast trafikimi të armëve të zjarrit, nga disa shtetas nga Shkodra, shërbimet  e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me DVP Shkodër, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Metoda”.

Në vendin e quajtur “Bulevardi i ri”,  në Tiranë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë,  kanë ushtruar kontroll në një kamion që dyshohej se disa shtetas kishin fshehur një armë zjarri për ta trafikuar. Nga kontrolli në brendësi të një televizori, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan armën e zjarrit  me silenciator, të ndarë në pjesë.

Në vijim të operacionit në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër u arrestuan shtetasit J. S., 26 vjeç, dhe S. M., 20 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi R. A., 20 vjeç, të tre banues në Shkodër.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar të trafikojnë një armë zjarri me silenciator, me destinacion Anglinë, nëpërmjet kamionit të një shtetasi i cili nuk kishte dijeni për armën që ndodhej në brendësi të televizorit.

Vijojnë hetimet, nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve pas dyshohet se kanë trafikuar dhe armë të tjera si dhe për identifikimin e kapjen e të tjerëve të përfshirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./CNA

8 MUAJ ME PARE

"Foleja" e prostitucionit në Fier/ Gjykata lë në burg organizatorin dhe bashkëpunëtoren e tij

Lajmet kryesore deri në orën 15:00

Prokuroria e Fierit ka dhënë detaje mbi operacioni e djeshëm ku u zbulua një “fole” prostitucioni.

Në njoftimin e bërë nga prokuroria thuhet se veprimtaria e jashtëligjshme u dokumentua pas një hetimi disamujor.

Vajzat e trafikuara nga Uganda kishin hyrë në Shqipëri n marst të itit 2024, referuar të dhënave nga prokuroria.

Gjykata e Fierit ka caktuar masat e sigurisë arrest me burg për organizatorin dhe bashkëpunëtoren e tij. ndërsa për vajzat me kombësi nga Uganda është caktuar “Detyrim paraqitje” dhe “Ndalimi për të dalë jashtë vendit”.

 

Njoftimi i prokurorisë

Në kuadër të hetimeve të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier në bashkëpunim me shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë, u arrestuan pesë persona, dy shtetase nga Uganda, ‘tutori’ dhe bashkëpunëtorët e tyre për veprat penale "Trafikimi i personave të rritur", "Mbajtja e lokaleve për prostitucion" kryer në bashkëpunim, “Shfrytëzimi i prostitucionit", "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës" kryer në bashkëpunim, "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta" kryer në bashkëpunim dhe "Moslëshimi i kuponit tatimor" të parashikuar nga nenet 110/a/2, 115 dhe 25, 114/1 301 dhe 25, 279/2 dhe 25, 180/a/2 dhe 25 të Kodit Penal.

Pas një hetimi proaktiv disa mujor, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, dokumentoi veprimtarinë e jashtëligjshme të trafikimit të personave të rritur organizuar nga shtetasi O.P. administruar nga shtetësja K.H.

Vajzat e trafikuara së fundmi ishin nga Uganda, të cilat kishin hyrë në vendin tonë në muajin mars 2024. Ato rekrutohen fillimisht si kërcimtare “strip dance” dhe më pas duke përfituar nga kushtet ekonomike dhe sociale pranonin kryerjen e shërbimeve seksuale në zonën “prive” të lokalit. O.P., duke patur si qëllim të pengojë zbulimin e së vërtetës, gjatë periudhës së hetimeve pasi ka mbyllur për disa kohë lokalin, ka përdorur shtetasen O.G. si qerramarëse dhe administratore fiktive.

Edhe në këtë rast, shtetasi O.P. përdor një person vulnerabël, një vajzë me probleme familjare e sociale. Bashkëpunëtorja e tij K.H. menaxhonte lokalin, vajzat e punësuara ndërsa paratë e fituara ia dorëzonte organizatorit. Gjatë kontrolleve u sekuestruan 611,000 Lekë, shuma parash në monedha të tjera dhe dy doreza përforcuese grushti metalike.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjitshëm Fier miratoi kërkesat e Prokurorit dhe caktoi masat e sigurimit “arrest në burg” për organizatorin O.P. dhe bashkëpunëtoren K.H., “detyrim për t’u paraqitur pranë policisë gjyqësore” për O.G. Për vajzat e huaja u caktua “detyrim për t’u paraqitur pranë policisë gjyqësore” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”./CNA

8 MUAJ ME PARE

E Diela Pas Lartësimit të Kryqit/ Predikimi i Fortlumturisë së Tij, Joanit: Të kuptojmë lirinë është shumë e rëndësishme

Lajmet kryesore deri në orën 15:00

Ditën e sotme, besimtarët ortodoksë kremtojnë Të Dielën pas Lartësimit të Kryqit. Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joani ka mbajtur predikimin e tij në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”.

Në predikimin e tij, Kryepiskopi tha se kryqi është shumë i rëndësishëm në jetën e një të krishteri dhe tha se është shumë e rëndësishme që të kuptohet misteri i kryqit.

Më tej, Fortlumturia e Tij, u shpreh se nëpërmjet kryqit vjen shërimi dhe gëzimi.

Kryepiskop Joani tha se liria është një nga dashuritë më të mëdha që Perëndia ka krijuar për çdo qenie njerëzore dhe është shumë e rëndësishme të kuptojmë lirinë.

Kryqi është shumë i rëndësishëm në jetën e një të krishteri dhe më e rëndësishme është që të kuptojmë misterin e kryqit. Nëprmjet kryqit vjen shpëtimi, nëpërmjet kryqit vjen shërimi dhe gëzimi. Kisha ndalet gjatë te kryqi, sepse është themelore për të kuptuar jetën e krishterë. Zoti na thotë disa fjalë rreth kryqit: Cilido që vjen pas meje të marrë kryqin e tij. Zoti nuk i detyron njerëzit, sepse respekton lirinë e çdo njeriu. Çdo njeri ka lirinë për të mëkatuar, por ka dhe përgjegjësinë për atë gjë, sepse liria nëse nuk do të ketë përgjegjshmëri kthehet në shthurje e kthehet në dëmin e çdo njeriu. Liria shoqërohet gjithmonë me përgjegjshmërinë. Prandaj dhe njerëzit shpeshherë kur bëjnë krime, thonë u hiqet liria, pikërisht sepse ka abuzuar me lirinë. Të kuptojmë lirinë është shumë e rëndësishme, është një nga dashuritë më të mëdha që Perëndia ka krijuar për çdo qenie njerëzore. E ka bërë një qenie të lirë që do të vendosë me vullnetin e tij të mirë. Nëse ne realisht do të ndjekim kryqin me vullnetin e lirë, do të thotë që e kemi kuptuar misterin e Kishës”, tha Fortlumturia e Tij./CNA





Lajmet e fundit nga