LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

A ia vlen të mbrohet Tajvani?

15 Prill 2023, 08:47, Blog Ian Buruma
A ia vlen të mbrohet Tajvani?
Foto ilustruese

Askush nuk duket se e di se si do të reagonin Shtetet e Bashkuara nëse Kina do të pushtonte Tajvanin. Për dekada me radhë, udhëheqësit amerikanë bënë gjithçka që mundën për ta shmangur këtë pyetje. Më pas, në shtator të vitit të kaluar, presidenti Xho Bajden dukej se i dha fund politikës të “paqartësisë strategjike” së Uashingtonit, duke deklaruar se trupat amerikane do ta mbronin ishullin në rastin e “një sulmi të paprecedentë ”.

Por gati menjëherë pasi deklaratës së Bajden, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë u distancuan prej saj, duke këmbëngulur se nuk kishte ndryshuar politika e SHBA-së ndaj Tajvanit. Ndërsa Traktati i Sigurisë SHBA-Japoni i vitit 1960, e detyron Amerikën të hyjë në luftë nëse sulmohet territori japonez, SHBA-ja nuk ka një traktat të tillë me Tajvanin.

Në rast se Kina do të vendoste të sulmonte ishullin, ajo do të duhej të hamendësonte paraprakisht se si do të reagonte SHBA-ja. Por ndërsa paqartësia strategjike synon që të shërbejë si një pengesë, sot pyetja është nëse ajo mjafton ende apo jo. 

Sepse Kina është sot shumë më e fuqishme, se sa kur u përpoq të “çlironte” Tajvanin nga nacionalistët e Çang Kai-Shek duke bombarduar ishujt Kuemoj dhe Matsu gjatë krizës së Ngushticës së Tajvanit të vitit 1958. Në këtë kohë SHBA-ja kishte nënshkruan me Tajvanin një traktat të mbrojtjes së ndërsjellë, dhe udhëheqësit ushtarakë amerikanë bënë presion për të nisur një sulm bërthamor ndaj Kinës.

Sot, Kina ka ushtrinë më të madhe në botë sa i përket personelit, si dhe një arsenal të konsiderueshëm bërthamor. Presidenti kinez Xi Jinping, e di se SHBA nuk mund të rrezikojë një luftë bërthamore, prandaj nuk ka ndërhyrë drejtpërdrejt në Ukrainë dhe kjo e inkurajon në planin e tij.

Tek e fundit, nëse SHBA-ja nuk dëshiron të luftojë ndaj një Rusie shumë më të dobët, sigurisht që nuk do të hyjë në një luftë kundër Kinës. Një ndryshim politik në zgjedhjet presidenciale në SHBA të vitit 2024, mund të forcojë shpresat e Kinës për të marrë Tajvanin me forcë.

Një president republikan, qoftë ky ish-presidenti Donald Trump, apo një figurë që mendon njëlloj si ai, mund të zgjedhë të izolojë SHBA-në nga grindjet në vendet e largëta. Kjo është një arsye e mirë për të vendosur tashmë një angazhim të qartë në raport me sigurisë ndaj Tajvanit.

Por a ia vlen vërtet të mbrohet Tajvani, edhe me rrezikun e përfshirjes në një luftë shkatërruese?  Unë besoj se po. Pasi një sulm ndaj Tajvanit, do të ishte gjithashtu një sulm ndaj Japonisë dhe Koresë së Jugut. Nëse lejohet që të dominojë Detet e Kinës Jugore dhe Lindore, Kina do të asfiksonte ekonomitë e të dy vendeve.

Nëse Japonia dhe Koreja e Jugut e humbasin besimin tek aftësia apo angazhimi i Amerikës për të mbrojtur sigurinë e tyre, ata ose do të duhet t’i nënshtrohen dominimit kinez ose do të fillojnë që të blejnë armë bërthamore, dhe sa më shpejt madje. Të dyja opsionet mund të kenë pasoja katastrofike.

Pastaj është edhe çështja e rëndësisë strategjike të Tajvanit si prodhues i më shumë se 90 për qind të gjysmëpërçuesve të avancuar në botë. Marrja e Tajvanit nga Kina dhe industrisë së tij të çipave, do të ndihmonte në kthimin e ekuilibrit global të fuqisë në favor të Kinës, gjë që do të kishte pasoja të gjera ekonomike dhe strategjike.

Asnjëra nga këto nuk do të ishte një problem serioz, nëse Kina do të ishte një demokraci liberale, ose të paktën një shoqëri relativisht e hapur. Mjerisht ajo nuk është, ndaj kjo është ndoshta arsyeja më e rëndësishme për të mbrojtur Tajvanin.

Ironikisht, kur SHBA-ja u detyrua të mbronte Tajvanin në vitet 1950, ishulli sundohej ende nga një regjim shtypës autokratik, dhe jo nga demokracia që është sot. Megjithatë në atë kohë, kishte kuptim mbështetja e Amerikës për Çang Kai-shek. Kina e Mao Ce Dunit ishte shumë më e keqe.

Fatmirësisht, edhe pse maoizmi ishte popullor për një farë kohe në mesin e revolucionarëve, kryesisht në vendet e varfra post-koloniale dhe në kampuset universitare perëndimore, taktikat e përgjakshme të Maos kishin pak tërheqje globale. Sot modeli aktual kinez ka shumë më tepër besueshmëri.

Në dallim nga Bashkimi Sovjetik, Partia Komuniste e Kinës ka arritur të hutojë politologët, duke arritur sukses të jashtëzakonshëm ekonomik edhe duke mbajtur në këmbë një diktaturë leniniste. Me herët liberalët supozonin se kombinimi i një klase të mesme në rritje dhe një ekonomie të tregut të lirë, do të rezultonte në mënyrë të pashmangshme në demokraci.

Transformimi i Koresë së Jugut dhe i Tajvanit nga diktatura ushtarake në një demokraci liberale, dukej se i dha mbështetje kësaj teze. Por tani e dimë se kapitalizmi mund të lulëzojë edhe nën “socializmin me karakteristika kineze”.

Suksesi i Kinës ka frymëzuar shumë autokratë në vendet në zhvillim, ku investimet e mëdha kineze në infrastrukturë, e kanë forcuar imazhin e regjimit si një partner më efikas, më i fuqishëm dhe më i besueshëm se sa demokracitë perëndimore shpesh kaotike dhe ndërhyrëse.

Dhe kjo është një prirje e rrezikshme, sidomos në kohën kur demokracitë liberale gjenden nën sulmin e populistëve radikalë në vendet e tyre. Një fitore e Trump në vitin 2024 do të nxiste diktatorët dhe liderët autoritarë në mbarë botën, përfshirë Xi.

Një formë e dëmshme e propagandës kulturore, ka nxitur prej kohësh sundimin e autokratëve në Kinë dhe në pjesë të tjera të Azisë. Ideja e saj qendrore, e promovuar në mënyrë efektive nga Li Kuan Jeu, themeluesi dhe ish-kryeministri i Singaporit, është se “vlerat aziatike” janë të papajtueshme me qeverisjen demokratike.

Në shoqëritë konfuciane, vazhdon argumenti, interesat individuale duhet t’i nënshtrohen interesit kolektiv, bindja ndaj autoritetit është e shenjtë dhe rendi shoqëror e tejkalon lirinë.

Pjesëtarët e shtresës së mesme gjithnjë e më të pasur të Kinës, pajtohen shpeshherë me këtë pikëpamje. Siç përmendet shpesh në qarqe të caktuara në Pekin dhe Shangai, kinezët e zakonshëm nuk janë ende gati për qeverisje demokratike, ndaj kanë ende nevojë për dorën e fortë të autoritetit për t’i mbajtur ata nën kontroll.

Kjo është arsyeja pse ka rëndësi Tajvani. Përveç argumentit nacionalist, sundimtarët e Kinës duken të fiksuar pas Tajvanit, sepse vetë ekzistenca e tij hedh poshtë premisat e modelit autoritar kinez. Për shkak se demokracia tajvaneze mund t’i japë popullit kinez idetë “e gabuara”, Kina dëshiron ta shtypë atë, siç ka bërë në Hong Kong. Bajden është zotuar vazhdimisht se do ta mbrojë demokracinë nga kërcënimi i autokracisë. Nëse ai është serioz, duhet të sigurojë që Tajvani të mbetet i lirë./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga