LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pse NATO e ka të vështirë të gjejë një udhëheqës të ri

11 Prill 2023, 08:38, Blog CNA
Pse NATO e ka të vështirë të gjejë një
Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s

Në fillim të vitit 2022, Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, aleanca ushtarake që përfshin shumicën e vendeve perëndimore, po përgatitej të largohej nga posti i tij pas 8 vitesh në këtë post, i vlerësuar nga të gjithë. Për të ishte gati një detyrë shumë më e lehtë, ajo e drejtorit të ri të Bankës Qendrore të Norvegjisë, vendlindjes së tij.

Por më 24 shkurt 2022, Rusia pushtoi Ukrainën dhe mandati i Stoltenberg u zgjat përkohësisht për të shmangur një tranzicion të pushtetit në një moment aq delikat. Kjo zgjatje skadon në shtator të këtij viti, dhe Stoltenberg e ka bërë tashmë të qartë se nuk ka ndërmend të kërkojë një mandat tjetër.

Por deri më tani nuk ka asnjë kandidat favorit për ta zëvendësuar. Përkundrazi: duket se 31 vendet anëtare e kanë të vështirë të gjejnë kandidatë të përshtatshëm për këtë punë.

“Lufta e ka kthyer NATO-n në qendër të vëmendjes, dhe e ka bërë postin e Sekretarit të Përgjithshëm më të ndjeshëm politikisht dhe me një profil më të lartë se deri një vit më parë. Befas vendet anëtare janë bërë shumë më të matura në zgjedhjen e emrit që do të vendosin në atë podium për të folur në emër të tyre”- shkroi së fundmi "Politico".

Sekretari i Përgjithshëm është posti më i lartë në NATO. Që nga themelimi i saj në vitin 1949 e deri më sot, NATO ka pasur 13 sekretarë të përgjithshëm, që të gjithë burra, të gjithë europianë, dhe të gjithë ish-ministra apo diplomatë kryesorë të vendeve anëtare, me vite përvojë në sektorin ushtarak apo diplomaci.

Një mandat zgjat 4 vjet, teorikisht e rinovueshme pa ndonjë kufi kohor. Zgjedhja e Sekretarit të Përgjithshëm kryhet me votën unanime të të gjitha vendeve anëtare. Kjo do të thotë se negociatat zhvillohen para votimit, në një proces jo formal takimesh.

“Zgjedhja e kreut të NATO-s, është më pak transparente nga të gjitha proceset zgjedhore”- i tha një diplomat europian revistës “Foreign Policy”. Natyra e këtij procesi nënkupton gjithashtu se zgjedhja e sekretarit është shumë e vështirë për t’u dalluar.

Prej muajsh në Bruksel, ku ka selinë edhe NATO, emri i presidentes aktuale të Komisionit Europian, Ursula von der Lejen, përmendet shpesh si një zëvendësuese e mundshme e Stoltenberg. Potencialisht Von der Lejen mund të jetë një kandidaturë konsensuale.

Pavarësisht disa pengesave dhe një vlerësimi përfundimtar që do të varet shumë nga mënyra se si do t’i menaxhojë muajt e fundit të mandatit të saj, ajo është shumë e respektuar, ka qenë për disa vite ministre e Mbrojtjes në Gjermani, dhe tashmë njeh dhe bashkëpunon me diplomatë dhe udhëheqës politikë nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s.

Por në rastin e saj, pengesa kryesore është koha. NATO ka nevojë për një Sekretar të ri të Përgjithshëm deri në shtator, ose më mirë akoma deri në korrik, kur do të mbahet samiti vjetor i të gjitha vendeve anëtare. Ndërkohë, mandati i Von der Lejen do të përfundojë pas zgjedhjeve europiane, të cilat do të zhvillohen në pranverën e vitit 2024.

Por pakkush mendon se Von der Lejen synon të ndërpresë mandatin e saj si presidente e Komisionit Europian dhe të bëhet Sekretare e Përgjithshme e NATO-s. “Presidentja nuk është një kandidate për atë post, dhe ajo nuk ka asnjë koment mbi këtë hipotezë”- tha për "Politico" një zëdhënës i zonjës Von der Lejen.

Një emër tjetër që përmendet shpesh është ai i kryeministres aktuale të Estonisë, Kaja Kallas. Ajo është 45 vjeçe, e mban këtë post që nga viti 2021 dhe partia e saj sapo i ka fituar sërish zgjedhjet parlamentare. Në teori, mandati i saj do të përfundojë në vitin 2027.

Por nëse ajo zgjidhet për një pozicion kaq prestigjioz ndërkombëtar, mund të vendosë edhe të japë dorëheqjen. Në rastin e Kallas, pengesa kryesore duket se janë qëndrimet e saj ndaj Rusisë, një nga kundërshtarët kryesorë të NATO-s së bashku me Kinën, të cilat konsiderohen si tepër armiqësore.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Kallas është bërë e njohur edhe në gazetat ndërkombëtare, si një nga lideret me qëndrimet më të ashpra ndaj Rusisë dhe presidentit të saj Vladimir Putin. Një tipar, të cilin ajo e ndan me disa liderë të tjerë politikë të vendeve baltike, që janë ndër më të ekspozuarat ndaj agresionit rus, si për arsye historike po ashtu edhe gjeografike.

Nga ana tjetër, Mark Rute, kryeministër i Holandës që nga viti 2010, ka problemin e kundërt. Ai perceptohet si tepër i hapur ndaj Rusisë dhe Kinës, veçanërisht nga vendet baltike dhe ato të Europës Lindore. Për më tepër, Holanda nuk ka një traditë të madhe ushtarake, dhe duket ende larg arritjes së objektivit të përbashkët të të gjitha vendeve të NATO-s për shpenzime ushtarake deri në 2 për qind të PBB-së.

Një çështje e parëndësishme nuk është as vendi i origjinës së kandidatit ose kandidates. Shtetet e Bashkuara nuk kanë emëruar kurrë një Sekretar të Përgjithshëm. Edhe sepse besohet se ai duhet të ketë familjaritet dhe marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë Europën.

Por dhe për shkak se në praktikë, janë ata që diktojnë njeriun që do të mbajë pozicionin drejtues ushtarak brenda aleancës. Franca dhe Gjermania janë vende me një peshë të madhe specifike, por edhe ato që kanë një pozicion më pak të qartë ndaj Kinës dhe Rusisë.

Gjatë vizitës së tij të fundit në Kinë, presidenti francez Emanuel Makron mori me vete rreth 50 biznesmenë të mëdhenj francezë, një shenjë kjo se ai nuk dëshiron të ndërpresë marrëdhëniet tregtare me Kinën, edhe pse kjo e fundit është aleati kryesor ndërkombëtar i Rusisë së Putinit.

Nuk është rastësi që si norvegjezi Stoltenberg ashtu edhe paraardhësi i tij Anders Fog Rasmusen nga Danimarka, vijnë nga vende të Europës Veriore, ndaj të cilave ka më pak mosbesim (dhe që zakonisht prodhojnë liderë të respektuar, por jo tepër të rëndë).

Pastaj kandidate është edhe Mbretëria e Bashkuar, e cila megjithatë vazhdon të ketë marrëdhënie të këqija me vendet europiane pas daljes nga Bashkimi Europian. Pak kohë më parë “New York Times” shkruante se në Uashington po përpiqen të promovojnë emrin e Chrystia Freeland, zëvendëskryeministres së Kanadasë.

Freeland, ish-gazetare dhe ish-ministre e Jashtme, flet 5 gjuhë, përfshirë italishten dhe rusishten dhe konsiderohet një lidere karizmatike. Por ajo ka origjinë ukrainase, e cila sipas disave mund t’i fyejë rusët. Për më tepër, gjyshi i saj ka punuar për gazetën ukrainase “Krakivski Visti”, një organ propagandistik nazist i njohur ndër të tjera për përmbajtjen e tij antisemitike.

Me pak fjalë, Putini do ta kishte të lehtë ta cilësonte pasardhëse të nazistëve ukrainas, që sipas propagandës ruse janë objektivi i vërtetë i pushtimit ushtarak të Ukrainës. Burimet e konsultuara nga shumë media, besojnë se disa vende mund t’i kërkojnë Stoltenbergut të mbetet Sekretar i Përgjithshëm, ndoshta me një zgjatje të shkurtër dhe me kushtin që të jetë i fundit.

Tek e fundit puna që priste të niste Stoltenberg është zënë tashmë. Vitin e kaluar ekonomistja Ida Bahe u emërua guvernatore e Bankës Qendrore Norvegjeze. Bahe është vetëm 50 vjeç - një moshë shumë e re për një menaxhere të këtij lloji - dhe ka të ngjarë që të qëndrojë në postin e saj për shumë vite./ Përshtatur nga CNA.al 

 

Lajmet e fundit nga