LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Të rinjtë meritojnë ta dinë të vërtetën tronditëse mbi komunizmin

30 Mars 2023, 09:06, Blog Elizabeth Edwards Spalding & Ken Pope
Të rinjtë meritojnë ta dinë të vërtetën
Foto ilustruese

Komunizmi mund të mos të trokasë në derën tonë të përparme, por ai po sillet vërdallë në oborrin tonë të pasmë. Atëherë pse fëmijëve tanë nuk u mësohet e vërteta mbi ideologjinë më vdekjeprurëse që ka njohur ndonjëherë bota? Tek e fundit, studentët meritojnë të njohin faktet mbi komunizmin, historinë e tij brutale dhe shtypjen e vazhdueshme të atyre që ende jetojnë nën regjime të tilla.

Komunizmi u shfaq në shekullin e 19-të si një ideologji politike, shoqërore dhe ekonomike. Në Manifestin e tij Komunist, Karl Marksi vendosi qëllimet dhe masat e nevojshme për arritjen e komunizmit, që përfshinin zhdukjen e pronës private, heqjen e të drejtave të trashëgimisë, krijimin e një shoqërie pa klasa dhe centralizimin e pushtetit në duart e shtetit.

Po ashtu ai bëri thirrje në mënyrë specifike për shkatërrimin e të gjitha aspekteve të sistemit të vjetër përmes dhunës dhe revolucionit. Deri më sot, më shumë se 100 milionë njerëz janë vrarë nga regjimet komuniste në mbarë botën vetëm për shkak të dëshirës së tyre për të arritur këtë fantazi utopike.

Përpjekja e parë për të ndërtuar komunizmin ndodhi në Rusi në vitin 1917, pasi premtimi fillestar i Vladimir Leninit për paqe, tokë dhe bukë u shndërrua shumë shpejt në terror, kolektivizim, zi buke dhe një luftë civile që çoi në vdekjen e gati 7 milionë njerëzve.

Gjërat vetëm sa u përkeqësuan nën Josif Stalinin, i cili vrau mbi 20 milionë sovjetikë. Ata që kundërshtuan ose u ngritën kundër atij sundimi mizor u dërguan në Gulag - një sistem kampesh pune të detyruar - ose u ekzekutuan. Shumë prej tyre u përpoqën të arratiseshin; por shumica nuk patën sukses.

Miliona të pafajshëm të mbajtur si robër pas Perdes së Hekurt në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, si homologët e tyre sovjetikë, jetuan jetë të fshehta, nga frika se mos raportoheshin nga fqinjët e tyre dhe ndëshkoheshin nga shërbimet terroriste të sigurisë së regjimit.

Të rinjtë meritojnë ta dinë të vërtetën

Kjo frikë e përditshme u ndërlikua nga racionimi i ushqimit, kujdesi i dobët mjekësor dhe propaganda e indoktrinimi, si dhe mungesa e nevojave më elementare. Bashkimi Sovjetik u shemb në vitin 1991, por komunizmi jo. Sot, një e pesta e njerëzimit ende jeton nën sundimin e tij brutal.

Koreja e Veriut kërcënohet me luftë bërthamore nga një gulag i përhapur i shekullit XXI; Kuba vazhdon të burgosë, torturojë dhe vrasë disidentët që guxojnë të ëndërrojnë demokracinë; Vietnami arreston qytetarët thjesht për postimin e mesazheve kritike ndaj partisë; ndërsa Kina kryen gjenocid në kampet e “riedukimit” masiv, ndan familjet, sterilizon me forcë gratë e pakicave etnike, përdor punën e detyruar të fëmijëve dhe u merr organet të burgosurve politikë, në një kohë që shtypi lirinë në Hong Kong, që kërcënon të pushtojë Tajvanin, na spiunon ne në SHBA, dhe vjedh miliarda në vit përmes vjedhjeve globale të pronës intelektuale.

Duke shpërfillur ekzistencën e vazhdueshme të komunizmit, ne nuk po arrijmë të kuptojmë sfidat me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara brenda dhe jashtë vendit. Në mënyrë alarmante, një sondazh i VOC i vitit 2020 zbuloi se 40 për qind e amerikanëve kanë një pikëpamje të favorshme për socializmin.

Kjo shifër u rrit në 49 për qind në kohën e Gjeneratës Z, ku 1/3 e tyre mbështesin eliminimin gradual të kapitalizmit në favor të një sistemi më socialist. Akoma më tronditëse, 18 për qind e Gjeneratës Z dhe 13 për qind e brezit të mijëvjeçarit të ri, raportuan se komunizmi është një sistem më i drejtë sesa kapitalizmi dhe se ai meriton vëmendje në Amerikë.

Këto rezultate janë të mundshme vetëm në një brez, arsimimi i të cilit ka shmangur historinë e vërtetë të regjimeve komuniste dhe ideologjinë e tyre vdekjeprurëse. Standardet akademike të historisë dhe studimeve sociale K-12 në një shtet të SHBA-së kohët e fundit nuk përmendnin as revolucionin rus, Leninin apo gulagët në tërësinë e mbi 400 faqeve të tij. Mjerisht, standardet e shumë shteteve të tjera janë të ngjashme.

Atëherë, çfarë mund të bëhet? Edukimi është hapi i parë dhe më i rëndësishëm. Mjerisht disa njerëz në media si dhe forca në terren në Virxhinia dhe Florida po i kundërshtojnë përpjekjet për t’u mësuar fëmijëve tanë mbi trashëgiminë e qëndrueshme të komunizmit.

Ky është një dëm tragjik për studentët e Amerikës dhe një braktisje flagrante e fatit të 1.5 miliardë njerëzve që vuajnë ende nën regjimet komuniste. Nuk duhet të jetë aspak e diskutueshme të flasim për fakte historike dhe si t’i përgatisim studentët tanë për botën siç ekziston jashtë klasës.

Të rinjtë meritojnë ta dinë të vërtetën

Kjo është arsyeja pse Fondacioni Përkujtimor i Viktimave të Komunizmit (VOC), përshëndet përpjekjet e shumta të udhëhequra nga shteti, për të siguruar që në të gjitha shkollat tona të mësohet e vërteta rreth komunizmit. Por duhet bërë akoma më shumë.

Për t'iu përgjigjur kësaj thirrjeje, VOC hapi muzeun e parë të Shteteve të Bashkuara kushtuar viktimave të komunizmit. Ne promovuam një kurrikulë dixhitale, si dhe një program certifikimi personal dhe "online" të mësuesve që përfshin plane mësimore dhe burime të tjera arsimore.

Ne ofrojmë gjithashtu një seri dëshmitarësh që ofruan dëshminë e atyre që vuajtën personalisht nën komunizëm. Të gjitha këto ne ua ofrojmë studentëve dhe mësuesve pa asnjë kosto. Sepse aktualisht po i shpërfillim paralajmërimet e historisë duke rrezikuar jo pak.

E vërteta mbi komunizmin ka qenë dhe është e disponueshme për gjatë gjithë historisë, por brezat e ardhshëm do të mësojnë vetëm nëse mësohen.

Siç shkroi disidenti i madh sovjetik, Aleksandër Solzhenicin, në librin e tij “Paralajmërim për Perëndimin”: “Është e habitshme që komunizmi ka shkruar për veten në mënyrën më të hapur të mundshme dhe e bardha në të zezë për 125 vite… Por askush nuk dëshiron që ta kuptojë”. Ndaj ne duhet të sigurohemi që studentët tanë të kuptojnë.

Shënim: Ken Pope është kreu i Fondacionit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit, një organizatë jofitimprurëse arsimore, kërkimore dhe e të drejtave të njeriut e përkushtuar për të përkujtuar më shumë se 100 milionë viktimat e vrara nën komunizëm dhe më shumë se 1.5 miliardë njerëz që jetojnë ende nën regjimet komuniste./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga