LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Si mund ta fitojë Amerika luftën e informacionit

21 Mars 2023, 07:36, Blog CNA
Si mund ta fitojë Amerika luftën e informacionit
Foto ilustruese

Kur Xi Jinping të vizitojë Moskën këtë javë, Vladimir Putin do të kërkojë pa dyshim armë për të rimbushur arsenalin e tij të dobësuar ndjeshëm. Por cilado qoftë skema që do të sajojnë këta 2 udhëheqës autokratë do ta rrezikojë më tej sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe të aleatëve tanë.

Një rrezik më i gjerë na përball me boshtin e ri të së keqes që përfshin Europën, Lindjen e Mesme dhe Azinë. Kina dhe Rusia janë bashkuar me Iranin. Që të tria këto vende janë të vendosura të zëvendësojnë lidershipin e SHBA-së në botë dhe të shkatërrojnë lirinë kudo që ajo ekziston.

Kërcënimet e Kinës për ta rimarrë Tajvanin me forcë, pushtimi i Rusisë në Ukrainë dhe kërcënimet e Iranit për ta “asgjësuar” Izraelin, e rritin mundësinë e një agresioni të njëkohshëm. Së bashku, ky bosht mund të na përballë me një nga sfidat më serioze të sigurisë, vlerave dhe prosperitetit tonë.

Që të dominojë, SHBA-ja duhet të përdorë çdo mjet të fuqisë së saj kombëtare. Fatkeqësisht, një nga armët më të forta dhe më të lira është ndryshkur gjatë 20 viteve të fundit: grumbullimi i së vërtetës dhe i fakteve për ta bindur audiencën e huaj.

Kujtoni rolin e rëndësishëm që luajti Agjencia Amerikane e Informacionit në fitoren e Luftës së Ftohtë. Transmetimet e tij të "Zërit të Amerikës" i bindën qytetarët sovjetikë se jeta në anën tonë të Perdes së Hekurt ishte më e mirë se e tyrja. "Zëri i Amerikës" nuk u mbështet vetëm te transmetimi i lajmeve.

Shërbimi punësoi shkrimtarë dhe madje kontraktoi filma që u realizuan në Hollywood. Nëse do të mjaftonte mbështetja te lajmet, krimineli i sotëm i luftës dhe shkelësi serial i të drejtave të njeriut, Vladimir Putin, nuk do të qëndronte lart në sondazhet që kryhen sot në Rusi.

Prandaj, SHBA-ja duhet të jetë më bindëse. Kundërshtarët tanë shpenzojnë më shumë për propagandën e tyre duke përdorur media sociale, përhapur çdo ditë keqinformacione në miliona kompjuterë, sy, veshë dhe tru. Ata e kanë rritur ndjeshëm lojën e tyre. Dhe po kështu duhet të bëjmë edhe ne.

Mposhtja e kundërshtarëve kërkon që presidenti Bajden të urdhërojë zhvillimin e një programi afatgjatë të avokimit që e tejkalon atë të kundërshtarëve tanë në buxhet, kreativitet dhe teknologji. Udhëheqja e një përpjekjeje të tillë kërkon një zyrtar me përvojë të lartë në komunikim dhe marrëdhënie me publikun, që të ketë fuqinë ta kapërcejë ndrojtjen dhe inercinë burokratike.

Presidenti Bajden ka emëruar pikërisht një person të tillë, Elizabet Alen, si nënsekretare të shtetit për diplomacinë publike dhe çështjet publike. Alen ka qenë zëvendësdrejtoreshë e komunikimit në Shtëpinë e Bardhë kur Bajden ishte zëvendëspresident.

Kjo tregon se ajo do të ketë vëmendjen e presidentit sa herë që burokracia do të ketë nevojë për një shtytje. Dhe kjo është jetike për suksesin. Zyra është e ngarkuar me ligj për “zbulimin dhe kundërshtimin e dezinformatave që vijnë nga jashtë”, dhe për mbrojtjen aktive të “vlerave dhe politikave të Shteteve të Bashkuara”.

Senati do t’i shërbente mirë kombit duke e konfirmuar sa më shpejt zonjën Allen me një votim dypartiak. Ndërsa diplomacia publike është në mendjen e senatorëve, ata duhet të bashkohen me kolegët e tyre në Dhomën e Përfaqësuesve për të shqyrtuar tërësisht të gjitha aspektet e mesazheve tona ndaj qytetarëve të huaj.

Si një prototip që tregon llojin e avokimit që duhet të prodhohet në shkallë të gjerë, kujtojmë videon e parë në llojin e saj të realizuar së fundmi nga zyra e nënsekretarit me titull: “Popullit të Rusisë”. Ajo i bën jehonë garancisë së Xho Bajden për popullin rus: “Ju nuk jeni armiku ynë!”

Është një kryevepër në fushën e komunikimit, e cila nis duke kujtuar kohën kur si aleatë, SHBA-ja dhe Rusia fituan së bashku Luftën e Dytë Botërore. Videoja flet për bashkëpunimin tonë në hapësirë dhe e lavdëron popullin rus për kontributin e tij të madh në art dhe shkenca. Në fund shfaqet një video e luftës së Putinit, e shoqëruar me fjalët: “Ne nuk besojmë se ju përfaqësoheni nga ky njeri. Ne qëndrojmë me secilin prej jush që kërkon të ndërtojë një të ardhme më paqësore”.

Videoja u postua në "Telegram", platforma e përdorur gjerësisht nga rusët që kërkojnë alternativa ndaj propagandës së Moskës. Dimitri Medvedev, ish-president i Rusisë, aktualisht nënkryetar i Këshillit rus të Sigurimit, u zemërua pasi pa videon, duke e sharë qeverinë amerikane për atë që ai e quajti si përdorimin e teknikave të Jozef Gëbelsit. Fakti që Medvedev e cilësoi si fyese atë video, tregon frikën e madhe që ka Kremlini për një kryengritje popullore si ajo në Iran.

Zyra e Nënsekretarit të Shtetit për diplomacinë publike dhe çështjet publike nuk ka pasur asnjë titullar të konfirmuar nga Senati për më shumë se 5 vjet, gjë që flet shumë për neglizhencën e fuqisë së avokatisë. Është e papranueshme që ta lëmë një post kaq të rëndësishëm të sigurisë kombëtare të mbushet nga një sërë zyrtarësh me misione të përkohshme afatshkurtra.

SHBA-ja shpiku internetin dhe rrjetet private virtuale që sfidojnë shumicën e censurës. Derisa të merret seriozisht me avokimin, ajo do të vazhdojë ta humbasë luftën e informacionit. Dhe kostoja është vazhdimi i një rënieje 17-vjeçare të numrit të kombeve të lira dhe tek e fundit, një rënie e fortë e sigurisë, lirisë dhe prosperitetit të Perëndimit.

Shënim: Joe Lieberman, ish-kandidat për zëvendëspresident nga Partia Demokratike në vitin 2000 dhe senator i Konektikat në vitet 1989-2013. Gordon Humphrey, senator republikan nga Nju Hempshajër në vitet 1979-1990./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga