LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

“Qatargate”, një skandal spektakolar dhe një paralajmërim për Europën

17 Mars 2023, 07:34, Blog Alexander Clapp
“Qatargate”, një skandal spektakolar dhe një
Foto ilustruese

Gjithçka i ngjan një romani thriller. Në mëngjesin e hershëm të një dite në dhjetorin e vitit të kaluar, pas muajsh të tërë hetimi në fshehtësi dhe përgjimesh telefonike, oficerët e policisë belge bastisën dhjetëra vende në të gjithë Brukselin. Gjatë 3 ditëve të ardhshme, në apartamente, dhoma hoteli dhe zyra, ata sekuestruan laptopë, telefona celularë dhe afro 1.5 milionë euro para në dorë.

Javën që pasoi, 4 persona u arrestuan me akuzën e korrupsionit, përfshirë 2 përfaqësues, një ish-deputet dhe deputet aktual në Parlamentit Europian. Antonio Panzeri, një europarlamentar në pension nga Italia, i cili e pranoi në fund se ishte ai drejtuesi i skemës korruptive.

Ndërkohë Eva Kaili, nënkryetare e Parlamentit Europian nga Greqia, vazhdon të pretendojë pafajësinë e saj nga qelia e burgut. Muajin e kaluar, dy deputetë të tjerë të Parlamentit Europian u arrestuan në lidhje me këtë skandal. Sa u përket parave që u gjetën, të gjitha shenjat të çonin në Katar.

Gjatë 3 viteve të mëparshme, Panzeri dhe Kaili kishin toleruar enkas të dhënat e dyshimta mbi respektimin e të drejtave të njeriut nga shteti i vogël i Gjirit Persik. Në vitin 2019, Panzeri e quajti vendin arab “një shembull” për respektimin e të drejtave të njeriut.

Ndërsa në nëntor 2022, një ditë pas ceremonisë së fillimit të Kupës së Botës në Katar, Kaili e cilësoi këtë vend si një “model në respektimin e të drejtave të punonjësve”. Edhe pse Katari i mohoi akuzat, shumë shpejt skandali mori emrin “Qatargate”. Zbulimet janë skandaloze.

Por akoma më intrigues është ajo që zbulon skandali për vetë Parlamentin Europian, institucioni më pak i rëndësishëm i Bashkimit Europian. Ka një arsye pse Katari ka shumë të ngjarë të korruptojë me para anëtarët e një organi përfaqësues që nuk mund të propozojë dot asnjë ligj në emër të tij, nuk dikton asnjë lloj politike të jashtme dhe që tërheq pak vëmendje edhe nga ata që e votojnë.

Parlamenti Europian mund të jetë organi i dytë demokratik në botë, i zgjedhur me votë. Por kompetencat e tij nuk kanë qenë kurrë shumë të mëdha. Që nga viti 1958, ai ka funksionuar si një shtojcë e Këshillit dhe Komisionit Europian - dy institucionet që formojnë organin ekzekutiv të bllokut - dhe që diktojnë ligjet, miratojnë buxhetet dhe vendosin herë pas here veton ndaj propozimeve të tyre.

Por nga fillimi i viteve 2000, teksa blloku prezantoi një monedhë të përbashkët dhe filloi të integronte ish-shtetet komuniste të Europës Lindore, u duk sikur Parlamenti Europian të mund të evoluonte në një lloj Kongresi Amerikan. Pra mund të bëhej një institucion realisht i plotfuqishëm që do të zëvendësonte parlamentet kombëtare dhe që do të tërhiqte në votime një numër të madh europianësh.

Kjo gjë nuk ndodhi asnjëherë. Parlamenti Europian mbetet pak i njohur dhe më pak i diskutuar. I paaftë për të hartuar ligje, për të rregulluar taksat apo për të udhëhequr politikën e jashtme, shqetësimet e tij lidhen më pak me “politikën” dhe më shumë me çështje të një natyre ngushtësisht teknokratike.

Megjithatë, paratë rrjedhin nëpër Bruksel, ashtu siç ndodh në çdo seli të qeverisë. Dhe historia e Parlamenti Europian tregon se është vazhdimisht i cenueshëm ndaj korrupsionit. Incidenti më famëkeq ndodhi në vitin 2006, kur një auditim i më shumë se 160 parlamentarëve zbuloi abuzime të mëdha me pushtetin, si pagat e fryra dhe punët e pakryera.

Parlamenti shpenzoi disa vite në përpjekje që ai raport të harrohej, por histori të ngjashme vazhduan të dalin në sipërfaqe. Në kundërpërgjigje, PE u zotua për një transparencë më të madhe. Megjithatë, edhe sot e kësaj dite industria e lotimit në Bruksel mbetet jashtëzakonisht jotransparente, dhe kjo ndoshta qëllimisht.

Shumë nga 12.000 lobistët që punojnë në Bruksel mund të jenë emra të njohur. Por nuk ka asnjë rregull që të tregojë se kë mund të takojnë europarlamentarët apo nëse duhet t’i bëjnë publike ato takime. Për ta ka vetëm disa “rekomandime”. Deri në vitin 2018, europarlamentarët votuan kundër masave që kërkonin transparencë të plotë mbi punën e tyre, duke përfshirë, për shembull, si dhe ku shkojnë shpenzimet e tyre mujore.

Pjesëmarrja e dobët në vendimmarrje, qarkullimi i lartë, dhe konfliktet e interesit janë të vështira për t’u zgjidhur, lëre më pastaj për t’u çrrënjosur, në një organ në të cilin 1 në 4 eurodeputetë e pranon se ka një punë të dytë. Kur europarlamentarët dalin në pension, 1/3 e tyre punësohen në firma lobimi ku janë më të paguar.

I zgjedhur në Parlamentin Europian në vitin 2004, Panzeri është një shembull tipik. Në vitin 2018, në cilësinë e kreut të nënkomisionit parlamentar për të drejtat e njeriut, ai ishte pionier i një “memorandumi bashkëpunimi” me Komitetin Kombëtar të të Drejtave të Njeriut të Katarit.

Pas daljes në pension një vit më vonë, Panzeri kaloi në sektorin privat dhe themeloi një organizatë joqeveritare të quajtur “Fight Impunity”. Brenda disa muajsh, kjo e fundit nisi organizimin e konferencave dhe publikimin e raporteve serioze mbi gjendjen e të drejtave të grave në Afganistan dhe gjenocidin ndaj Rohingave. Por problemi është se nën mbulesën e besueshmërisë, Panzeri po kryente një operacion tjetër. Sipas dëshmisë së partnerit të zonjës Kaili - një ish-ndihmës i zotit Panzeri dhe bashkëthemelues i Fight Impunity - italiani e krijoi organizatën me qëllimin e qartë të thithjes së fondeve të majme të Katarit që filluan të mbërrinin në Bruksel në vitin 2019.

Për Katarin, marrëveshja ishte pa dyshim shumë e mirë për ta refuzuar. Për një kosto mimiale për të ardhurat e saj vjetore nga gazi natyror, përfaqësuesit e një parlamenti që kritikon vazhdimisht shkeljet e të drejtave të njeriut në shtete si Haiti dhe Bjellorusia, i dhanë Katarit statusin e një vendi kampion në respektimin e të drejtave.

Për vite me radhë, Katari e ka zgjeruar ndikimin e tij. Në Britani, ai kontrollon më shumë pasuri të paluajtshme në Londër sesa familja mbretërore vendase. Në Francë, ai ka blerë ekipin më të njohur të futbollit në vend. Dhe në Shtetet e Bashkuara, ka shpenzuar qindra mijëra në fushatat zgjedhore, ka dhuruar qindra miliona për universitetet dhe është zotuar të injektojë miliarda në infrastrukturë.

Diferenca midis miliarda dollarëve të kaluar nëpër banka dhe kompanive të pasurive të paluajtshme dhe miliona eurove të vendosura në dollapë dhe valixhe, është ndoshta një çështje estetike. Por skandali është një leksion, madje një paralajmërim për Brukselin. Edhe në elementet më rudimentare të krijimit të shtetit - rregullimi i ndikimit të huaj dhe kufizimi i interesave të jashtme - Europa ka ende një rrugë të gjatë për të bërë./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga