LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Plani A i Partisë Komuniste Kineze për të pushtuar Tajvanin

26 Mars 2023, 20:32, Blog CNA

Plani A i Partisë Komuniste Kineze për të pushtuar Tajvanin

Lëvizjet e fundit nga qeveria kineze sugjerojnë se Pekini po përgatitet për një luftë kundër Tajvanit. Ligji i sapo miratuar i Kinës për rezervistët e vonon moshën e daljes në pensionpër oficerët rezervë nga 55 në 60 vjeç. Që nga data 1 mars e këtij viti, në të paktën  10 provinca janë ngritur Zyrat lokale të Mobilizimit të Mbrojtjes për ta ndihmuar qeverinë që të zhvendoset në një bazë lufte.

Në Kongresin XX-të Partisë Komuniste të Kinës të zhvilluar vitin e kaluar, Byroja Politike Qendrore ngriti në detyrë 5 sekretarë provincialë të partisë me shumë përvojë në industrinë e mbrojtjes. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se një pushtim ushtarak është i pashmangshëm.

Ai është Plani B i Partisë Komuniste Kineze. Skenari më i mundshëm është një rimarrje më pak e kushtueshme e Tajvanit nëpërmjet një strategjie partiake të testuar me kohë dhe e quajtur “Fronti i Bashkuar”. Një tregues i epërsisë së “Frontit të Bashkuar” është zgjedhja këtë muaj e Uang Huning, nënkryetar i Grupit Drejtues Qendror në Tajvan, si kryetar i Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez, organi qeveritar në Pekin që udhëheq frontin.

“Fronti i Bashkuar”, i cili përfshin infiltrimin dhe kooptimin e opozitës, ishte thelbësor në ngritjen e Partisë Komuniste në Kinë pas luftës civile me Kuomintang, e njohur gjithashtu si Partia Nacionaliste Kineze. Në fillim Kuomintang ishte shumë më i fuqishëm se sa Partia Komuniste.

Por komunistët fituan duke u infiltruar në trupat e Kuomintang-ut, duke kthyer shumë gjeneralë në simpatizues të tyre ose duke vendosur spiunët komunistë si sekretarë të tyre.

Pasi mori pushtetin në pjesën kontinentale në vitin 1949, Partia Komuniste ndërtoi departamente të veçanta të “Frontit të Bashkuar”.

Falë lidhjeve të shumta të Tajvanit me Kinën kontinentale, partia ka depërtuar në bizneset, mediat, grupet fetare, partitë politike dhe madje edhe ushtrinë e Tajvanit. Aftësia e Pekinit për të ndikuar dhe për të kapërcyer këto rrugë nuk duhet të nënvlerësohet.

Taktikat aktuale të frikësimit të Xi Jinping, si fluturimi i avionëve luftarakë pranë Tajvanit, mund të përshkruhen si pjesë e strategjisë së Partisë Komuniste “për të përdorur luftën për të garantuar paqen”. Ai dëshiron që Tajvani të besojë se lufta është e pashmangshme nëse nuk i përkulet vullnetit të tij.

Por nëse dështon strategjia e “Frontit të bashkuar”, ai ka të ngjarë të përdorë forcën. Në dallim nga paraardhësit e tij, ai ka vendosur një afat konkret për marrjen e ishullit. Raporti i Kongresit XIX të Partisë Komuniste Kineze, i bërë publik në vitin 2017, përcakton vitin 2049, 100-vjetorin e Republikës Popullore të Kinës, si afatin përfundimtar për arritjen e “përtëritjes së madhe” të kombit kinez, i njohur gjithashtu si ëndrra kineze - një term i krijuar nga Vetë zoti Xi.

Në atë dokument thuhet se “ribashkimi i atdheut” është një parakusht për këtë përtëritje.

Zakonisht thuhet se Xi i ka vënë vetes detyrën e ribashkimit të Republikës Popullore të Kinës dhe Tajvanit. Një deputet në Kongresin Kombëtar Popullor, organi legjislativ i partisë dhe një zyrtar në pension i Ushtrisë Çlirimtare Popullore më thanë se zoti Xi ishte në gjendje të ndryshonte kushtetutën dhe të prishte rregullat e partisë që ndalonin rizgjedhjen në një mandat të tretë, pikërisht sepse premtoi të rivendosë kontrollin mbi Tajvanin.

Ata thanë se kjo nuk ishte e shkruar zyrtarisht në asnjë dokument partie, por u ishte shprehur në konfidencë disa zyrtarëve të nivelit të lartë. Nëse Xi nuk arrin të marrë Tajvanin, ai do

të duhet të japë dorëheqjen me turp, thanë ata. Por si do ta dijë Perëndimi nëse Xi Jinping do t’i qëndrojë strategjisë së “Frontit të bashkuar” apo do të përdorë forcën?

Zgjedhjet presidenciale të Tajvanit në janar të 2024-ës janë një pengesë. Nëse humbet kandidati i Kuomintang-ut dhe fiton ai i Partisë Progresiste Demokratike, që është akoma më shumë në favor të pavarësisë, Pekini mund të shohë zvogëlimin e ndjeshëm të shanseve për një të ashtuquajtur ribashkim paqësor me ishullin.

Partia Komuniste do të përpiqet të ndikojë mbi rezultatin e zgjedhjeve duke propaganduar frikën se rizgjedhja e kandidatit të Partisë Demokratike Progresive do të shkaktojë një pushtim, pavarësisht nëse ky është qëllimi i Pekinit apo jo.

Disa ekspertë ushtarakë thonë se një pushtim kinez i Tajvanit, nuk ka gjasa të ndodhë në 2 vitet e ardhshme, bazuar në rregullin e përgjithshëm që një vend shfaq zakonisht shenja përgatitje përpara se të ndërmarrë veprime ushtarake.

Eksperti i Kinës dhe ish-oficer i CIA-s, Xhon Kalver, ka thënë se Kina ka të ngjarë të shfaqë shenja të qëllimeve të luftës që 18-24 muaj përpara, me hapa të tillë si rritja e inventarit të municioneve jetike dhe të armëve të drejtuara me saktësi.

Por ndoshta kjo mund të mos ndodhë. Ushtaraku sot në pension, që ka shërbyer në PLA (ushtrinë kineze) për dekada dhe që hartoi plane beteje për luftë mbi Tajvanin, tha se përgatitjet e përgjithshme për luftë me Tajvanin, duke përfshirë prodhimin masiv të armëve, në një pjesë të madhe ishin bërë shumë kohë më parë.

Kina është përgatitur për këtë skenar që kur partia mori pushtetin në vitin 1949. Ushtrisë mund t’i duhen vetëm disa muaj mobilizim përpara se të nisë të shtënën e parë. Xi Jinping mund të shohë gjithashtu mbylljen e dritares së mundësive për të rimarrë Tajvanin. Ekonomia e Kinës po e humbet fuqinë ndërsa aleanca perëndimore po forcohet.

Nëse Partia Komuniste Kineze qëndron tek strategjia e “Frontit të bashkuar” apo zgjedh përballjen ushtarke, për këtë gjë mund t’i duhet të vendosë shumë shpejt./CNA

Lajmet e fundit nga