LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Një Rusi pas largimit të Putinit mund të duket si Serbia pas Millosheviçit

9 Prill 2023, 08:31, Blog Tony Barber
Një Rusi pas largimit të Putinit mund të duket si Serbia pas
Presidenti Vladimir Putin

Lufta në Ukrainë ka një natyrë psikologjike dhe politike po aq sa edhe ushtarake. Këtë gjë e dëshmoi edhe presidenti Volodimir Zelenski, kur parashikoi se “grabitqarët” në qarqet sunduese të Rusisë do ta vrasin një ditë Vladimir Putinin.

Nuk ka asnjë dyshim se presidenti ukrainas nuk do të derdhte lot nëse Putini do të pësonte fatin e Jul Çezarit, i denoncuar si diktator dhe i goditur me thikë për vdekje gjatë Ideve të Marsit nga anëtarët e Senatit Romak.

Gjithsesi, Zelenski nuk përmendi asnjë provë në mbështetje të parashikimit të tij. Ndaj mesa duket qëllimi i tij kryesor i një deklarate të tillë është nxitja e vazhdimit të luftës të Ukrainës kundër pushtuesve dhe mbjellja e sa më shumë farave të dyshimi në “truallin” paranojak të politikës së pushtetit në Kremlin.

Pyetja se kush mund ta zëvendësojë përfundimisht Putinin, dhe politikat që mund të ndjekë një regjim i ri, është gjithsesi një çështje për të cilën qeveritë perëndimore dhe specialistët për Rusinë po mendojnë pak.

Putini e ka konfirmuar se zgjedhjet presidenciale të Rusisë do të mbahen vitin e ardhshëm, një garë në të cilën nëse ai kandidon është i sigurt për fitoren. Do të pasonte një mandat tjetër 6-vjeçar i tij, që do ta zgjaste sundimin e tij në 30 vjet, pra më i gjatë sesa mbretërimi i Josif Stalinit në vitet 1924-1953.

Megjithatë, Putini mbushi 70 vjeç në tetor të vitit të kaluar. Sa më gjatë të qëndrojë ai në detyrë, aq më i madh do të bëhet problemi i trashëgimisë. Për të kuptuar se si mund të duket një Rusi pas Putinit, kthehuni pak pas në kohë dhe kujtoni zhvillimet në Serbi pas sundimit të liderit autoritar Sllobodan Millosheviç.

Ai u rrëzua nga pushteti në vitin 2000 pasi nxiti luftëra në ish-Jugosllavi, siç ka bërë Putini në ish-republikat sovjetike si Gjeorgjia dhe Ukraina. Ankesa të ngjashme karakterizuan Millosheviçin dhe Putinin: shembja e një shteti shumëkombësh në të cilin një kombësi - serbët në Jugosllavi dhe rusët në BRSS - kishin qenë dominues; statusi i pakicave etnike serbe dhe ruse në shtetet e reja të pavarura; dhe vendosmëria për të kontrolluar një territor në veçanti - Kosovën në rastin e Serbisë dhe Krimenë për Rusinë - që mishëronte identitetin kombëtar dhe krenarinë historike.

Millosheviçi vdiq në vitin 2006, ndërsa po gjykohej për krime lufte. Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë lëshoi një urdhër-arresti për Putinin muajin e kaluar për shkak të largimeve me forcë të fëmijëve nga Ukraina në Rusi. Serbia, pas Millosheviçit, nuk ishte më një shtet luftarak dhe hipernacionalist.

Ajo evoluoi në një demokraci me të meta dhe mbeti në përgjithësi një kundërshtare e Perëndimit, veçanërisht për Kosovën, dhe pati një politikë të jashtme që përfshin marrëdhëniet e ngushta me Rusinë dhe Kinën.

Jeta publike nën Aleksandar Vuçiçin, që nga 2014 ish-kryeministër dhe tani president i vendit, karakterizohet nga përqendrimi i pushtetit, patronazhi dhe ndikimi mediatik në partinë e tij Progresive Serbe. Kushte të ngjashme mund të shfaqen në një Rusi pas Putinit.

Asnjë udhëheqës i ardhshëm i Kremlinit nuk duket se do të heqë dorë nga pretendimi i Moskës për Krimenë, pavarësisht nga rezultati i luftës në Ukrainë. Sigurisht duke qenë një fuqi shumë më e madhe se Serbia, Rusia nuk do t’ia përshtatë politikën e saj të jashtme shijeve të Perëndimit.

Përkundrazi, maxhoranca aktuale në Serbi do të sigurojë që zgjedhjet ta mbajnë atë gjithmonë në pushtet, edhe nëse votimi është një proces më pak, një ritual i orkestruar sesa në Rusinë e Putinit, dhe më shumë një garë elektorale e menaxhuar me kujdes si në kohën e Boris Jelcinit, paraardhësit të tij.

Ashtu si në Serbi, edhe Rusia e ka të pamundur në të ardhmen e afërt që të rikthehet drejt demokracisë liberale të stilit perëndimor. I vetmi kryeministër i Serbisë pas Millosheviçit që përqafoi këto vlera ishte Zoran Gjinxhiç. Por ai u vra në vitin 2003.

Nga ana tjetër një politikan i rrallë i shquar i opozitës në Rusinë e Putinit ishte Boris Nemcov. Ai u qëllua për vdekje shumë pranë Kremlinit në vitin 2015. Në fakt, një tipar i politikës serbe pas Millosheviçit ka qenë ekzistenca e një opozite ultranacionaliste.

Ajo e mban vigjilente elitën qeverisëse, duke e bërë pothuajse të paimagjinueshme njohjen zyrtare të pavarësisë së Kosovës, edhe nëse Vuçiçi mund të dukej si i prirur që të shkonte drejt asaj rruge, gjë që është e dyshimtë. Sepse ai e nisi dikur karrierën e tij politike nën kujdesin e Vojisllav Sheshel, një politikan ekstremist nacionalist që mbron idenë e Serbisë së Madhe, i dënuar për krime lufte në vitin 2018 nga një gjykatë ndërkombëtare.

Ndërkohë ekziston një tendencë ultranacionaliste edhe në politikën ruse, e cila dikur ishte tejet e padisiplinuar për shijen e Putinit, por që tani është më e zëshme për shkak të luftës në Ukrainë. Për shkak se elementë të shumë në qarqet e fuqishme ushtarake dhe të shërbimit të sigurisë e simpatizojnë këtë pikëpamje, është e sigurt se ajo do të luajë njëfarë roli në politikën e ardhshme ruse.

Në këto momente, ne mundet vetëm të spekulojmë se kush do ta pasojë Putinin në krye të Rusisë. Megjithatë, nëse gjykojmë bazuar në përvojën e Serbisë, edhe fundi i autoritarizmit të Putinit dhe lufta në Ukrainë nuk do të sjellë as demokraci të vërtetë në Rusi dhe as ndonjë marrëdhënie të qetë me Perëndimin./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga