LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pse rusët duan ende të luftojnë në Ukrainë?

2 Prill 2023, 20:40, Blog CNA

Pse rusët duan ende të luftojnë në Ukrainë?
Nga këndvështrimi i një ushtari rus, lufta në Ukrainë duhet të duket një makth. Gjatë më shumë se një viti luftimesh, rreth 200.000 trupa ruse janë vrarë ose plagosur sipas zyrtarëve amerikanë, në një operacion ushtarak që ka treguar sa paaftësinë po aq edhe keq-pajisjen e ushtrisë ruse. Raportohet se morali është i ulët dhe ankesat e rusëve në front janë të zakonshme.

E megjithatë, një numër i konsiderueshëm burrash rusë janë ende të etur për të luftuar. Madje më shumë sesa në fillim të luftës. Por si mund të shpjegohet diçka e tillë?

Një arsye e dukshme është frika. Burrat e mobilizuar në ushtri nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të binden, sepse kundërshtimi ndaj luftës është shpallur i jashtëligjshëm. Nën një atmosferë kaq mbytëse, të ushqyer nga propaganda e shfrenuar e Kremlinit, ndoshta nuk është befasuese që pakënaqësia të duket e dobët.

Megjithatë, ndërsa frika dhe shtypja po diktojnë reagimet ndaj luftës, kjo nuk shpjegon gatishmërinë e disa burrave rusë për të shërbyer në front. Rreth 36 për qind e burrave rusë janë të kënaqur me rekrutim, dhe grupi më mbështetës që janë burrat e moshës 45 vjeç e lart. Dhe kjo e dhënë nuk është e rastësishme. Në 3 dekadat që nga shembja e Bashkimit Sovjetik, ata njerëz janë përballur me kolapsin industrial, zhdukjen e miliona vendeve të punës dhe rënien drastike të jetëgjatësisë mesatare.

Lufta premton që ta ndryshojë këtë trajektore në rënie, duke i transformuar humbësit e tre dekadave të fundit në heronjtë e rinj, pavarësisht nëse janë të vdekur apo të plagosur. Për shumë burra rusë dhe familjet e tyre, lufta mund të jetë vërtet një tmerr. Por ajo është njëkohësisht edhe mundësia e fundit për të rregulluar jetën e tyre. Së pari, në lojë janë paratë. Paga bazë për një ushtar është rreth 2.500 dollarë në muaj.

Plagosja në front dëmshpërblehet me 39.000 dollarë, ndërsa në rastin e vdekjes familja kompensohet me deri 65.000 dollarë. Krahasuar me një pagë mesatare mujore prej 545 dollarësh, ky është një shpërblim i konsiderueshëm.

Dhe mos harroni që më shumë se 15.3 milionë rusë jetojnë nën kufirin e varfërisë. Por përfitimet nuk mbarojnë me kaq. Atyre që kthehen nga fronti, shteti u premton qasje të privilegjuar në punët e shërbimit civil, sigurime shëndetësore, transport publik falas, arsimim universitar falas dhe ushqim falas në shkollë për fëmijët e tyre.


Dhe atyre që ishin të burgosur dhe iu bashkuan kompanisë ushtarake private Wagner, shteti u jep lirinë pas disa muajsh shërbim në front. Sigurisht, këto premtime nuk janë përmbushur plotësisht. Shumë ushtarë nuk janë paguar plotësisht dhe gratë e tyre ankohen shpesh për këtë gjë në forumet publike. Intervistat e kohëve të fundit me 3 ushtarë të plagosur dhe familjet e tyre në televizionin anti- Kremlin, TV Rain, përshkruajnë një pamje të pakëndshme të jetës në front: mungesë parash, mungesë stërvitje dhe shumë viktima.

Megjithatë, të intervistuarit e konsideronin ende të drejtë luftën dhe donin të ktheheshin në front ose të mbështesnin luftën si vullnetarë. Arsyeja tjetër për këtë dëshirë është një luftë tjetër. Ushtarët e sotëm jetojnë nën hijen e brezit që fitoi dikur luftën kundër nazizmit gjerman. Në kulturën publike ruse, asnjë nder nuk është më i lartë se të jesh veteran i “Luftës së Madhe Patriotike”, diçka që regjimi e ka kapitalizuar duke e inkuadruar luftën e sotme si një lloj rishfaqjeje historike të Luftës së Dytë Botërore.

Dhe kjo lloj propagande funksionon. Siç shkroi një ushtar në platformën Telegram në shkurt, “lufta të ofron një ndjenjë përkatësie ndaj veprës së madhe mashkullore, veprës së mbrojtjes së Atdheut tonë”.

Një frazë shumë domethënëse. Duke i lejuar burrat të shpëtojnë nga vështirësitë e jetës së përditshme - me pagat e ulëta dhe zhgënjimet e përditshme - lufta ofron një rikthim të vetëvlerësimit mashkullor. Pra tek e fundit këta burra kanë rëndësinë e tyre. Ndërkohë gratë, të detyruara të vuajnë nga pasojat e luftës, janë paksa më të shqetësuar. Por pavarësisht nga vështirësitë, shumë prej tyre thonë se e kuptojnë dhe e mbështesin vendimin e burrave për të shërbyer në ushtri.

Në atmosferën vëllazërore të frontit, lihen mënjanë edhe ndjenjat e inferioritetit. “Këtu nuk ka rëndësi kush je, dhe si dukesh së jashtmi”- tha një ushtar. Në jetën e përbashkët të konfliktit, zhduken shumë nga dallimet e jetës civile. Lufta është një barazues.

Kjo shpjegon me siguri edhe joshjen ndaj saj nga ata që vijnë nga shtresat e ulëta shoqërore.Ndërsa disa nga shtresat e mesme dhe të larta urbane kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me luftën duke emigruar, pjesët më të varfra të shoqërisë ruse i shohin gjërat ndryshe.

Mosbesimi ndaj të pasurve, besimi se sanksionet e forcojnë në fakt ekonominë, dhe përbuzja për emigrantët, dëshmojnë për një përvojë të konfliktit të bazuar tek shtresat. Duke marrë pjesë në luftë, miliona rusë që gjenden në fund të shkallares sociale mund të dalin si heronjtë e vërtetë të vendit, të gatshëm për sakrificën përfundimtare. Rreziku mund të jetë i madh dhe shpërblimi financiar i pasigurt. Por shansi për të rritur vlerësimin dhe respektin e bën me vlerë përpjekjen.

Natyrisht, një mbështetje e tillë është e kushtëzuar. Sa më gjatë të zgjasë lufta, duke sjellë më shumë viktima, humbje dhe premtime të thyera, aq më e vështirë mund të bëhet mbajtja e niveleve të tilla të pranueshmërisë.

Pastaj trazirat emocionale kolektive mund ta thellojnë ndjenjën se lufta duhet fituar, pavarësisht kostos. Në mungesë të një vizioni alternativ për të ardhmen, Vladimir Putin dhe lufta e tij do të vazhdojnë të kenë ndikim në Rusi./CNA

 

Lajmet e fundit nga