LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Përndjekja politike ndaj Donald Trump po vë në pikëpyetje sistemin e drejtësisë në SHBA

2 Prill 2023, 11:04, Blog Charles Lipson
Përndjekja politike ndaj Donald Trump po vë në pikëpyetje
Ish-Presidenti, Donald Trump

Një juri e madhe e Nju Jorkut ka paditur ish-presidentin Donald Trump për pagesat që supozohej t’i mbyllnin gojën Stormi Daniels, një aktore e filmave për të rritur. Juria u angazhua nga prokurori i Manhatanit, Alvin Brag, një burrë me një mision. Dhe misioni i tij është i thjeshtë: Përndiq Donald Trump në çdo gjë që mundesh.

Ai duhej që ta bënte këtë me provat më të dobëta. Për këtë arsye Brag u ndal në një shkelje ligjore për të cilën ka skaduar afati i parashkrimit. Duke përdorur një teori të re ligjore, ai dëshiron ta lidhë atë kundërvajtje me krime të tjera të supozuara, dhe t’i paketojë të gjitha si një krim.

Ai e di shumë mirë se ky rast do të gjykohet para një jurie popullore në Manhatan që e urren Donald Trump po aq sa ai vetë. Por sistemi ynë i drejtësisë nuk duhet të funksionojë në këtë mënyrë. Prokurorët nuk duhet të fillojnë me objektivin dhe më pas të kërkojnë një krim për ta ndëshkuar.

Por si arriti ta bëjë këtë Alvin Brag?

Sepse mënyra e tij për të mbërthyer Donald Trump ishte shumë e sforcuar. Nëse krimi ishte pagesa me para për Stormi Daniels për të heshtur, ai duhet të ishte ndalur, sepse afati i parashkrimit ka skaduar shumë kohë më parë.

Nëse krimi ishte ndonjë shkelje e ligjeve të fushatës federale, ai duhet të ishte ndalur sërish për 3 arsye. Së pari, prokurorët federalë me përvojë refuzuan ta ndjekin penalisht Trump, dhe ata e dinë atë ligj shumë më mirë se Brag.

Së dyti, bashkëpunëtorët e Donald Trump besonin se pagesat synonin vetëm të zbusnin marrëdhëniet me bashkëshorten dhe jo të ndihmonin fushatën e tij.

Së treti, padia e re e Brag mbështetet në dëshminë e Majkëll Kohen, i cili është i etur për hakmarrje dhe reputacioni i të cilit mbi vërtetësinë është afërsisht i barabartë me atë të Bagdad Bob apo ndonjë zëdhënës të Kremlinit.

Përndjekja politike ndaj Donald Trump po vë në pikëpyetje
Foto ilustruese

Ideja e Brag është të lidhë pagesat ndaj Daniels me krime të tjera të supozuara, të vendosë një shirit mbi të dhe ta quajnë atë një krim. Teoria ligjore është e re, por gjithsesi mund të bindë një juri, e cila e urren Trumpin. Me siguri që kjo çështje nuk do të fitonte në Alabamën rurale.

Ekspertët reaguan ndaj lajmit duke u fokusuar në zgjedhjet e vitit 2024. “Kjo aktakuzë do ta ndihmojë në fakt Donald Trump”- thotë ai. Pse? Sepse kjo akuzë është shumë e dobët dhe prokuroria është qartazi tejet e politizuar. Sigurisht, ekspertët kanë të drejtë kur thonë se mbështetësit e Trump-it do të zemërohen nga ky veprim dhe ata janë vendimtarë për zgjedhjet paraprake brenda Partisë Republikane.

Megjithatë, është e paqartë nëse votuesit e pavarur do të preken më shumë nga ndjekja penale keqdashëse apo nga drama e pafund që rrethon ish-presidentin e SHBA-së. Ekspertët e ligjeve thonë se Donald Trump është shumë më i cenueshëm për deklaratat e tij në lidhje me dokumentet e klasifikuara në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida.

Dobësia e tij qëndron më pak te zotërimi i dokumenteve sesa te gënjeshtrat e dyshuara që ka thënë për to. Trump dhe avokatët e tij u betuan se i kishin kthyer të gjitha ato dokumente në Arkivin Kombëtar, kur në fakt ish-presidenti po mbante privatisht shumë prej tyre.

Të paktën një dokument i klasifikuar u mor nga FBI nga tavolina e Trump, i cili u justifikua me fjalët “Nuk e dija”. Rastet të tilla janë shumë të thjeshta për Departamentin e Drejtësisë. Ndaj lënia e këtij rasti edhe më flagrant pas atij që po heton Alvin Brag është haptazi një keqpërdorim politik i institucionit, siç e dinë me siguri presidenti Xho Bajden dhe ekipi i tij.

Përndjekja politike ndaj Donald Trump po vë në pikëpyetje

Por Brag është një njeri me një mision. Sado të rëndësishme të jenë pasojat politike të ndjekjes penale të Donald Trump bazuar te kjo dosje, ato janë vetëm gjysma e historisë. Gjysma tjetër është çoroditja e drejtësisë.

Askush nuk duhet të pëlqejë faktin që Donald Trump të ankohet me të drejtë mbi mënyrën se si Brag ka sulmuar një themel të demokracisë sonë kushtetuese: administrimin e drejtë dhe neutral të drejtësisë. Mbrojtësit e prokurorit Alvin Brag do të thonë me të drejtë se “askush nuk është mbi ligjin”, ose të paktën se askush nuk duhet të jetë.

Ky standard është thelbësor për një sistem drejtësie të ndershëm. Por po kështu ekziston edhe një parim tjetër po aq i vërtetë, edhe pse përmendet shumë më rrallë “Askush nuk është nën ligjin”. Në demokracinë tonë, kjo do të thotë se askush nuk duhet t’i nënshtrohet përndjekjes politike.

Mjerisht, kjo është pikërisht ajo që po ndodh në rastin e Trump. Ky nuk është vetëm një sulm ndaj një personi që është i paditur. Ky është një sulm ndaj drejtësisë dhe legjitimitetit të sistemit amerikan të drejtësisë.

Shënim: Charles Lipson, profesor i shkencave politike në Universitetin e Çikagos, ku ka themeluar Programin mbi Politikën Ndërkombëtare, Ekonominë dhe Sigurinë./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga