LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kina globale në kufijtë e Europës

4 Prill 2023, 07:29, Blog Maurizio Molinari
Kina globale në kufijtë e Europës
Foto ilustruese

Ekziston një fije që lidh suksesin e ndërmjetësimit të Kinës në arritjen e një marrëveshjeje midis Arabisë Saudite dhe Iranit me “12 pikat” e Pekinit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë: gatishmëria e Xi Jinping për të gjetur përgjigje kineze ndaj problemeve globale, për të gjeneruar ekuilibra të rinj sigurie që janë të aftë të reduktojnë rolin si një superfuqi globale të Shteteve të Bashkuara.

Pas marrjes së konfirmimit të tretë historik për një mandat të ri 5-vjeçar si Sekretar i Përgjithshëm nga Kongresi XX i Partisë Komuniste Kineze në vjeshtën e vitit të kaluar - duke barazuar precedentin e Mao Ce Dunit - Xi Jinping ka vendosur në krye të axhendës së tij projeksionin strategjik ndërkombëtar të vendit të tij, duke nisur me “Nismën Globale të Sigurisë” të prezantuar në fund të muajit shkurt.

Nëse “Nisma e Brezit dhe Rrugës”, e promovuar gjithashtu nga Xi që në vitin 2013, synon të krijojë një rrjet mbresëlënës infrastrukturash tokësore dhe detare për të sjellë mallra dhe shërbime nga Lindja e Largët në tregjet e Europës Perëndimore - duke ripropozuar kësisoj dimensionin ekonomiko-tregtar të Rrugës së Mëndafshit në shekullin XXI – “Nisma Iniciativa Globale e Sigurisë” i përgjigjet nevojës për t’i dhënë Kinës një rol udhëheqës në politikën e jashtme dhe të sigurisë.

Nuk është një rastësi që teksti bazë i këtij koncepti të ri strategjik, flet për 4 zonat kryesore të krizës në planet si zona vendimtare: Ukraina, Lindja e Mesme, Briri i Afrikës dhe Gadishulli Korean. Dhe tregimi i vendosmërisë së Xi në këtë aspekt u pa më 10 mars, kur vetëm 17 ditë pas publikimit të “Nismës Globale të Sigurisë” - Pekini njoftoi rifillimin e marrëdhënieve diplomatike midis dy armiqve të egër të Gjirit Persik: Iranit të ajatollahëve shiitë dhe Arabisë Saudite, vendit lider të frontit sunit.

Për 7 vite Teherani dhe Riadi kishin qenë epiqendra e një sfide të zjarrtë strategjike dhe fetare për udhëheqjen e Islamit, e cila nxiti konfliktet lokale në Siri, Liban, Bahrein, Irak dhe Jemen. Por ndërmjetësimi kinez - i kryer në fshehtësi të madhe - ka çuar në një pajtim që tani premton të shkaktojë nisjen e një epoke të re për botën islame, duke filluar me një marrëveshje të mundshme për t’i dhënë fund luftës së përgjakshme në Jemen.

Paralelisht me angazhimin diplomatik në Gjirin Persik, Xi nisi të jetë aktiv edhe në frontin e Ukrainës, sepse më 24 shkurt ai prezantoi “12 pikat” për zgjidhjen e krizës dhe më 20 mars shkoi në Moskë për të marrë nga Vladimir Putin njohjen e statusit të partnerit dhe aleatit kryesor të Federatës Ruse.

Meqë “12 pikat” janë në fakt parime - duke filluar me respektimin e sovranitetit të Ukrainës - që kur Xi u largua nga Moska, fokusi i veprimeve diplomatike për të arritur dhënien fund të luftës në Ukrainë është zhvendosur në Pekin.

Puna e madhe diplomatike me të cilën Komisioni Europian po përgatit misionin e presidentes Ursula von der Leyen - dhe presidentit francez Emanuel Makron - në Kinë, si dhe maturia e dukshme me të cilën Shtëpia e Bardhë e sheh këtë udhëtim sugjerojnë një ndërgjegjësim në shkallë të gjerë në Perëndim se Xi mund të ndikojë realisht për ta shtyrë Putinin drejt ndërprerjes së menjëhershëm të luftimeve, duke hapur një skenar tjetër në zemër të Europës.

Burime diplomatike në Pekin shpjegojnë se “Kina do të veprojë gjithmonë dhe vetëm në interes të Kinës”, duke specifikuar megjithatë se “interesi i Xi është t’i përgjigjet strategjisë së kontrollit të SHBA-së, duke arritur marrëveshje për sigurinë në Europë që sillen rreth Pekinit”.

Kjo do të thotë, se Xi mund ta detyrojë Putinin të ndalë luftën në Ukrainë, në këmbim të një marrëveshjeje që synon ta shndërrojë Kinën në një protagoniste strategjike të sigurisë në Europë.

Është një skenar që duket se përmbush parashikimin e Henry Kissinger, ish-Sekretarit amerikan të Shtetit në prag të të 100-ave, mbi nevojën e një mirëkuptimi Perëndim-Kinë për sigurinë globale, edhe nëse parashikon për SHBA-në dhe BE-në sfidën nga një “Kinë globale” shumë më konkurruese se Rusia e Putinit.

Në fakt, nëse Kremlini ka udhëhequr një luftë brutale agresioni kundër Ukrainës për më shumë se një vit me metodat e shekullit XX që të kujtojnë sjelljet e perandorive të dikurshme, Kina duket e angazhuar në ndërtimin e një arkitekture të frikshme ndërkombëtare, që do të jetë e aftë të “rrethojë” demokracitë e Perëndimit.

Në fakt, mjafton që të shohësh hartën për të kuptuar që duke bashkuar vendet që përbëjnë Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait - forumi strategjik i vendeve të Azisë Qendrore në të cilin aderojnë edhe Rusia dhe India - me ato të “BRICS”, ekonomitë kryesore të hemisferës jugore, nga Brazili tek Afrika e Jugut, atëherë kemi një klub shumëpalësh që mund të mburret me shumicën e PBB-së dhe popullsisë së planetit.

Dhe që mbahet i bashkuar nga lidershipi i padiskutueshëm kinez, që mban gjithashtu rekordin e investimeve në vendet afrikane dhe që tashmë ka edhe rolin kryesor në Gjirin Persik, zemra strategjike e tregjeve të naftës dhe të gazit.

Dhe nëse i shtojmë gjithë kësaj faktin që Xi njeh tek India e Narendra Modit, një rival tradicional rajonal, si një partner në ekuilibrin me Perëndimin për çështje globale siç është për shembull tranzicioni ekologjik, energjia dhe Inteligjenca Artificiale, nuk është e vështirë të arrijmë në përfundimin se hapësira gjeopolitike po zgjerohet dukshëm. Dhe së shpejti mund të trokasë në dyert e Europës, në frontin e Mesdheut, si dhe në hapësirat e mëdha euroaziatike që arrijnë në kufijtë me Poloninë dhe Finlandën./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga