LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pse Finlanda është vendi më i lumtur në botë

8 Prill 2023, 15:22, Blog Danny Dorling
Pse Finlanda është vendi më i lumtur në botë
Foto ilustruese

Sipas World Happiness Survey, Finlanda ka qenë vendi më i lumtur në botë për 6 vitet e fundit. Ky sondazh i përvitshëm mbështetet në pyetësorin e vlerësimit të jetës sipas shkallës Cantril. Pra imagjinoni një shkallë me hapa të numëruar nga 0 në fund deri në 10 në krye të saj.

Pjesa e sipërme e shkallës përfaqëson jetën më të mirë të mundshme për ju, ndërsa fundi i shkallës përfaqëson jetën më të keqe të mundshme. Në cilën shkallë do të thoshit se qëndroni ju personalisht në këtë kohë? Finlanda del në krye, e ndjekur nga Danimarka dhe Islanda. Arsyeja pse finlandezët janë më të lumtur se të tjerët varet nga një sërë faktorësh, përfshirë pabarazinë më të ulët të të ardhurave (më e rëndësishmja, ndryshimi midis më të paguarve dhe atyre më pak të paguar), mbështetja e lartë sociale, liria për të marrë vendime dhe nivelet e ulëta të korrupsionit.

Masa e pabarazisë së të ardhurave e përdorur këtu është koeficienti Gini i pabarazisë së të ardhurave, siç raportohet nga OECD. Është norma më e lartë e regjistruar në çdo qark në çdo vit pas vitit 2010, deri në vitin më të fundit për të cilin ka të dhëna. Grafiqet tregojnë lidhjen e ngushtë midis këtyre dy masave.

Në përgjithësi, kur pabarazia e të ardhurave është më e madhe, paratë kanë më shumë rëndësi dhe njerëzit janë më pak të lumtur. Finlanda ka edhe cilësi të tjera që mund t’i ndihmojnë njerëzit të ndihen më të lumtur. Ajo ka një sistem shëndetësor shumë të decentralizuar të financuar nga publiku dhe një sektor privat shëndetësor shumë të vogël.

Kjo është shumë më efektive dhe efikase se disa alternativa të përdorura në vende të tjera. Transporti publik është i besueshëm dhe i përballueshëm, dhe aeroporti i Helsinkit renditet si më i miri në Evropën Veriore. Ekziston një fjalë e urtë finlandeze që është e rëndësishme në këtë rast: “Onnellisuus on se paikka puuttuvaisuuden ja yltäkylläisyyden välillä” (Lumturia është një vend midis shumë pak dhe tepër).

Finlanda, Norvegjia dhe Hungaria, raportojnë nivele të ngjashme të pabarazisë në të ardhura, megjithatë njerëzit në Finlandë janë mesatarisht më të lumtur. Pse ndodh kjo? Sipas bazës së të dhënave të pabarazisë botërore, 1/10 e njerëzve më të paguar në Finlandë çojnë në shtëpitë e tyre 1/3 e të gjitha të ardhurave (33 për qind).

Kjo është në kontrast me të njëjtin grup që merr 36 për qind në Britani dhe 46 për qind në SHBA. Këto dallime mund të mos duken të mëdha, por ato kanë një efekt të madh mbi lumturinë e përgjithshme, sepse në vendet më të pabarabarta mbetet shumë më pak për pjesën tjetër, dhe të pasurit janë më të frikësuar.

Kur një numër i vogël njerëzish bëhen shumë më të pasur, frika është e kuptueshme. Në vitin 2021, një profesor i sociologjisë tha se vetëm duke pasur pritshmëri më të arsyeshme, njerëzit në vendet nordike dukeshin më të lumtur. Megjithatë, kjo nuk mund të shpjegojë pse Finlanda është kaq shumë e ndryshme nga Norvegjia në shkallën e lumturisë.

Të mundshme janë të gjitha llojet e shpjegimeve, përfshirë nuancat e vogla të gjuhës dhe kulturës. Madje tani shtrohet pyetja nëse ky sondazh global ka filluar të prezantojë paragjykimet e veta, pasi finlandezët tanimë e dinë se përse u bëhet pyetja (ata u zhvendosën edhe më përpara Danimarkës në sondazhin më të fundit).

Megjithatë, ka shumë të ngjarë që Finlanda të ketë shkolla me një barazi më të madhe ku ka të ngjarë që të merrni një arsim të mirë në çfarëdolloj dege që të zgjidhni. Por rëndësi mund të ketë edhe një politikë shkollore më e drejtë se sa në Norvegji (gati të gjithë finlandezët shkojnë në shkollën e tyre më të afërt).

Po ashtu, një politikë më e mirë strehimi me një larmi të gjerë banesash sociale dhe më pak të pastrehë, një shërbim shëndetësor me kohë pritjeje që e ka zili e gjithë bota - ndonjëherë vetëm çështje ditësh (edhe gjatë viteve më të këqija të pandemisë) - dhe shumë vlerësime të tjera.

Finlanda renditet e para, e dyta ose e treta në mbi 100 kritere globale të suksesit ekonomik dhe social. Më mirë edhe se Norvegjia. Dhe ka më pak para në përgjithësi (dhe thuajse asnjë sasi nafte). Por pse Hungaria paraqitet kaq keq, pavarësisht se hendeku i të ardhurave midis popullit të saj është pothuajse më i madh se sa në Finlandë dhe Norvegji?

Dikush mund të thotë se kjo ka të bëjë me politikën e saj shumë të polarizuar. Në vitin 2022, Parlamenti Evropian deklaroi se “Hungaria nuk mund të konsiderohet më plotësisht një demokraci”. Liria ka shumë rëndësi për njerëzit, dhe kjo mund të shpjegojë arsyen pse Turqia dhe India kanë nivele më të ulëta lumturie, sesa mund të parashikojnë nivelet e tyre të pabarazisë ekonomike.

Në të kundërt, Afrika e Jugut dhe Kina mund të jenë pak më të lumtura sesa do të sugjeronin nivelet e tyre të pabarazisë. Afrika e Jugut u bë demokraci në vitin 1994, menjëherë pas lirimit nga burgu të Nelson Mandelës, dhe shumë njerëz e mbajnë ende mend periudhën e mëparshme të Aparteidit. Ndërkohë, njerëzit në Kinë nuk janë aq të frikësuar sa portretizohen shpesh në Perëndim.

Shumica e vendeve shfaqin nivele lumturie (dhe shumë gjëra të tjera), që janë shumë të parashikueshme nga nivelet e tyre të pabarazisë. Mbretëria e Bashkuar renditet në mesin e listës, pra diçka e pritshme për një nga vendet ekonomikisht më të pabarabarta të Evropës.

Renditja tregon gjithashtu se Izraeli (me një shkallë po aq të pabarabartë të shpërndarjes së të ardhurave) është pak më i lumtur se sa duhet të jetë. Megjithëse nuk është e qartë nëse kampioni i marrë atje, përfshiu apo jo të gjitha grupet që jetojnë aktualisht në Izrael. Për më tepër të dhënat janë marrë në vitin 2022, pra para protestave të fundit të përhapura në Izrael. E veçanta tjetër është Kosta Rika, ku presidenti i saj deklaroi në vitin 2019: 70 vjet më parë, Kosta Rika shpërndau ushtrinë. Dhe kjo na lejoi shumë gjëra. Tetë për qind e PBB-së sonë investohet në arsim, sepse ne nuk kemi pse të shpenzojmë për ushtrinë. Pra, forca jonë është talenti njerëzor, mirëqenia njerëzore.

Pra, çfarë mund të bëjnë njerëzit e një vendi nëse duan të jenë më të lumtur? Gjëja më e rëndësishme është të zgjidhen qeveri që sigurojnë që vendi të bëhet më i barabartë në aspektin e të ardhurave. Pas kësaj, sigurimi i shërbimeve sociale - shkolla, strehimi dhe kujdesi shëndetësor - të jenë më efikase dhe më të barabarta. Dhe së fundmi, merrni parasysh shkallën tuaj të lirisë, nëse në fakt po i përfshini të gjithë në anketat tuaja dhe sa e madhe është popullata juaj./ “The Conversation” - Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga