LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Partneriteti BE-Ballkani Perëndimor është më i rëndësishëm se kurrë

7 Prill 2023, 09:24, Blog Pekka Haavisto
Partneriteti BE-Ballkani Perëndimor është më i
Foto ilustruese

Politika e zgjerimit është rikthyer në krye të mekanizmave gjeopolitikë të BE-së. Që nga viti i kaluar, kemi pasur tri vende të reja kandidate. Procesi i negociatave për anëtarësim ka nisur me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa javët e fundit Serbia dhe Kosova kanë hedhur hapa pozitivë përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve të tyre.

BE-ja po e tregon përkushtimin e saj të vazhdueshëm ndaj Ballkanit Perëndimor për të ndihmuar në ndërtimin e shoqërive të qëndrueshme në rajon, që mbrojnë vlerat thelbësore europiane. Por këto vlera - si të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës - duhet gjithashtu të pasqyrohen në politikën e jashtme dhe në reagimet ndaj luftës të paligjshme të Rusisë kundër Ukrainës.

Vitin e kaluar dhe muajt e kaluar, ne kemi qenë dëshmitarë të shumë vendimeve të rëndësishme.

Së pari, partnerëve tanë, Ukrainës, Moldavisë dhe Bosnje-Hercegovinës, iu dha statusi i vendit kandidat për të hyrë në BE. Shpresojmë që Gjeorgjia të mund të ndërmarrë hapat e dakorduar dhe t’i ndjekur së shpejti në këtë proces.

Së dyti, ka nisur procesi i negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, një hap i rëndësishëm dhe shumë i vonuar. Nga ana e tyre kosovarët kanë hedhur një hap historik në dhjetorin e vitit të kaluar duke dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Ndërkohë BE-ja ka arritur gjithashtu një marrëveshje për lëvizjen pa viza në hapësirën Shengen për qytetarët e Kosovës, e cila hyn në fuqi jo më vonë se janari i vitit 2024. Gjatë samitit të Ohrit më 18 mars, Serbia dhe Kosova u morën vesh për zbatimin e marrëveshjes së tyre të 27 shkurtit mbi Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve, nëpërmjet lehtësimit të Bashkimit Europian.

Ky është një hap madhor dhe zbatimi i tij do të ndiqet brenda rrugëtimit drejt BE-së të të dyja vendeve. Mali i Zi, një vend lider në procesin e zgjerimit në rajon, mbajti së fundmi zgjedhjet presidenciale pas disa trazirave që ndodhën muajt e fundit. Finlanda i mirëpret këta hapa.

Tani ne jemi të fokusuar në mbështetjen e Ukrainës përmes çdo mënyre që mundemi. Por nuk i kemi harruar partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor, në zemër të Europës. Finlanda ka prej kohësh një interes të madh për këtë rajon dhe mirëqenien e tij. Shumë nga udhëheqësit politikë më të njohur të Finlandës kanë luajtur një rol të rëndësishëm në Ballkan: Elisabeth Rehn, Harri Holkeri dhe Olli Rehn, dhe natyrisht presidenti Martti Ahtisaari.

Edhe unë kam punuar në Ballkan gjatë viteve 1999-2005 për UNEP, duke analizuar ndikimet mjedisore të konflikteve. Këto lidhje e kanë ndihmuar Finlandën që të ketë një angazhim të vazhdueshëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Mbështetja jonë për Ballkanin Perëndimor në rrugëtimin e tyre europian mbetet e fortë.

Ne i kemi ndihmuar ata të përmbushin kriteret e BE-së në shumë mënyra, për shembull përmes projekteve të binjakëzimit. Kur vendet aplikante kanë bërë pjesën e tyre për të përmbushur kriteret, nuk duhet të ketë asnjë justifikim për të vonuar procesin nga ana e BE-së.

Çështjet dypalëshe nuk duhet të bëhen pjesë e procesit apo negociatave të zgjerimit të BE-së. Është e qartë se bashkëpunimi dhe uniteti midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor janë të dobishëm dhe të vlerësuar. Një dëshmi domethënëse e angazhimit të BE-së është Plani Ekonomik dhe i Investimeve për Ballkanin Perëndimor, që synon të investojë afro 30 miliardë euro për zhvillimin e rajonit.

Kohët e fundit, BE-ja paraqiti gjithashtu një paketë për mbështetjen energjitike prej 1 miliard eurosh për rajonin, në një përpjekje për të reduktuar varësinë nga burimet ruse të energjisë, përshpejtuar procesin e dekarbonizimit dhe përmirësuar sigurinë energjetike.

Po ashtu, BE-ja po investon miliarda euro të tjera në fusha të tilla si ekonomitë e gjelbra dhe digjitale. Kjo është e ardhmja, dhe BE-ja po e garanton atë. Me këto përpjekje, Brukseli po i ndihmon partnerët tanë të ndërtojnë shoqëri të qëndrueshme, të cilat janë elastike ndaj llojeve të ndryshme të kërcënimeve hibride.

Brenda kuadrit të Procesit të Berlinit, vitin e kaluar u nënshkruan marrëveshje të reja në drejtim të një Tregu të Përbashkët Rajonal që lehtëson udhëtimin brenda Ballkanit Perëndimor dhe punësimin përtej kufijve. Rajoni është tashmë një zonë pa "roaming" dhe që nga tetori i këtij viti, do të ulen ndjeshëm çmimet e "roaming"-ut të të dhënave midis Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.

Mbrojtja e vlerave tona thelbësore është sot më e rëndësishme se kurrë më parë. Sundimi i ligjit është guri i themelit i një shoqërie demokratike të qëndrueshme dhe që funksionon si duhet. Mua më duket shqetësues fakti që siç theksohet edhe në Paketën e fundit të Zgjerimit të Komisionit Europian, kemi parë pak përparim në fushat kryesore të sundimit të ligjit në disa vende që janë kandidate.

Bashkimi Europian mbron të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit. Këto vlera vlejnë si për vendet kandidate po ashtu edhe për ato anëtare. Vlera të tilla reflektohen edhe në politikën tonë të jashtme. Disa partnerë në Ballkanin Perëndimor - Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova - janë rreshtuar plotësisht me sanksionet e BE-së kundër Rusisë, duke e rritur koston e agresionit brutal të Rusisë në Ukrainë.

Ne presim që Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina (sidomos Republika Srpska) të harmonizojnë plotësisht politikat e tyre të jashtme dhe të sigurisë me ato të BE-së. Ky është jo vetëm një detyrim i vendit kandidat për në BE, por edhe një mesazh i qartë në mbështetje të sovranitetit të Ukrainës dhe kundër një lufte të paligjshme dhe të papranueshme.

BE-ja nuk ka ndonjë agjendë të fshehtë. Përfitimet dhe përgjegjësitë e anëtarësimit në union janë më se të qarta. Në fakt, BE-ja dhe Ballkani Perëndimor janë tashmë të ndërlidhura fort. Qytetarët e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor përfitojnë në shumë mënyra nga të njëjtat avantazhe si dhe anëtarët e BE-së.

Për shembull, nga 25 programet kryesore të BE-së nga të cilat përfitojnë qytetarët, si Erasmus + dhe Horizon Europe, 20 janë tashmë të hapura për partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor. Në shumë vende të Ballkanit Perëndimor, mbështetja popullore ndaj anëtarësimit në BE mbetet e fortë.

Por kjo mbështetje nuk duhet të merret si e mirëqenë. Për ta pasur atë na duhet sjellja e duhur e qeverisë dhe e shoqërisë civile në rajon. Të gjithë partnerët tanë dhe unioni duhet të punojnë kundër ndikimeve keqdashëse dhe narrativave, të cilat shtrembërojnë imazhin e një Europe të bashkuar. Që të mbetemi të fortë, ne duhet të paraqesim një front të unifikuar, duke ndërtuar së bashku një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët tanë.

Shënim: Pekka Haavisto, është Ministre e Jashtme e Finlandës./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga