LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ja si kanë rënë në duart e mafias portet e Europës Veriore

9 Prill 2023, 16:16, Blog CNA

Ja si kanë rënë në duart e mafias portet e Europës

Organizata mafioze po depërtojnë gjithnjë e më shumë në portet europiane, të cilat i përdorin për të sjellë drogën në kontinent. Ato po përmirësojnë teknikat të reja të trafikimit për t'i shpëtuar kontrollit, shpeshherë duke përdorur dhe modifikuar kodet e vetë kontejnerëve, me bashkëpunimin e punonjësve të korruptuar.

Raporti i fundit i Zyrës së Policisë Europiane (Europol), së bashku me Komitetin Drejtues për sigurinë e porteve të Antverpit, Hamburgut dhe Roterdamit, fokusohet pikërisht te teknikat e reja që duhen përdorur për të kapur trafikantët.

Portet detare në Bashkimin Europian trajtojnë rreth 90 milionë kontejnerë çdo vit, por autoritetet janë në gjendje të inspektojnë vetëm 2-10 për qind të tyre. Kështu vlerësohet se vitet e fundit të paktën 200 ton kokainë janë trafikuar vetëm përmes porteve të Antverpit dhe Roterdamit, duke u shpëtuar kontrolleve.

Pamundësia për të kontrolluar të gjithë kontejnerët, paraqet një sfidë për zbatimin e ligjit dhe një mundësi për rrjetet kriminale, të cilat kanë shumë nevojë për qasje në qendrat logjistike që të lehtësojnë aktivitetet e tyre.

Mënyra kryesore përmes së cilës kriminelët mund të arrijnë të shmangin kontrollet, është përmes ryshfetit të personelit të kompanive të transportit detar, punonjësve të portit, importuesve, kompanive të transportit apo përfaqësuesve të autoriteteve kombëtare dhe në përgjithësi të gjithë aktorëve, veprimet e të cilëve janë të nevojshme për të siguruar hyrjen e dërgesave ilegale.

Gjithsesi, kjo qasje kërkon dhënien e ryshfeteve për një numër të madh bashkëpunëtorësh, gjë që kërkon shumë organizim dhe shpenzime. Për t’i përqendruar përpjekjet e tij dhe për të minimizuar rrezikun e humbjes së mallit, krimi i organizuar po kërkon mënyra të reja veprimi që kërkojnë korruptimin e një numri shumë më të vogël individësh.

Raporti i fundit i Europol, shqyrtoi disa teknika që shfrytëzojnë kodet e referencës së kontejnerëve, diçka që kërkon korruptimin e një individi të vetëm në burim, si dhe korruptimin apo infiltrimin tek ekipet e nxjerrjes së ngarkesave në mbërritje, të cilat më pas paguhen midis 7-15 për qind të vlerës së paligjshme të dërgesës.

Kur një kontejner dërgohet jashtë shtetit, kompania e transportit i cakton atij një kod unik referimi (një PIN ose një QR), pasi të marrë pagesën për transportin. Kodi përdoret për të konfirmuar që kontejneri mund të lihet në portin për ku është destinuar të shkojë dhe që klienti të mund të marrë kontejnerin e tij.

Duke përdorur kryesisht ryshfetin, kriminelët depërtojnë në kompanitë e përfshira në procesin e logjistikës, dhe e marrin kodin e referencës së kontejnerit, ku e dinë se do të vendosen dërgesat e drogës. Me atë kod kriminelët hyjnë në kontejnerin e drogës si të ishin klienti legjitim.

Pasi del nga porti, droga vazhdon trafikimin, ndërsa kontejneri i kthehet pronarit të ligjshëm, braktiset rrugës ose zhduket. Metoda “rip-on/rip-off” është një nga metodat kryesore të përdorura nga trafikantët. Ajo konsiston në ngarkimin fshehurazi të mallit të paligjshëm në kontejnerë “të pastër”, pa bashkëpunimin e kompanisë që kujdeset për transportin.

Droga vendoset në një vend lehtësisht të aksesueshëm, për t’u transportuar së bashku me pjesën tjetër të ngarkesës në një importues. Pasi mbërrin në destinacion, ajo merret brenda ose jashtë portit nga ekipet e nxjerrjes së mallrave që kanë lidhje me organizata kriminale.

Sapo të mbërrijnë në portet europiane, një truk tjetër është transferimi i ngarkesave nga një kontejner që vjen nga vendet e treta në një të caktuar për transportin brenda Bashkimit Evropian, sepse këta të fundit kontrollohen rrallë. Edhe në këtë rast nevojitet bashkëpunimi i punëtorëve të portit apo i ekipeve të shkarkimit.

Një variant tjetër përfshin klonimin e kontejnerit: numri i regjistrimit të dërgesës që përmban drogën kopjohet duke krijuar një “klon”. Më pas do të jetë ai që do t’i nënshtrohet vërtet kontrollit të skanerit (ndërsa origjinali do të jetë larguar tashmë nga zona e portit). Megjithatë, edhe kjo strategji kërkon mbështetjen e personave të brendshëm në port, duke filluar nga personeli i shkarkimit deri tek ekipet e mbikëqyrjes. Këta të fundit futen shpesh në port brenda një “kontejner si Kalë Troje” ku fshihet droga, duke i nisur disa ditë para mbërritjes së mallit.

Për shkak të kompleksitetit të procesit të gjurmimit pas mbërritjes së kontejnerëve, si dhe nevojës për mbështetje në vend, kjo strategji është mjaft komplekse. Në përgjithësi, dërgesa e drogës mund të jetë e fshehur në thasë ose e përzier me produkte të ligjshme (për shembull, e fshehur në arka me frutat). Ose mund të futet në blloqe mermeri, në pëlhura apo edhe të fshihet në pjesë të anijes si çatia ose dyshemeja.

Në përgjithësi, për të garantuar kalimin e sigurt të mallrave të paligjshme në kontejnerë, trafikantët mbledhin informacione të ndryshme nga personat e brendshëm. Kjo gjë i jep mundësi atyre të synojnë të përdorin kontejnerët që kanë më pak gjasa për t’u inspektuar. Pra ata identifikojnë të ashtuquajturat “linjat e gjelbra”, ato të sigurta.

Portet kryesore europiane 

Pikat kryesore të hyrjes në Europë kanë qenë gjithmonë Spanja dhe portet kryesore të Europës Veriore (Belgjika dhe Holanda). Konkretisht, duke qenë portet me fluksin më të madh të kontejnerëve në Bashkimit Europian, Antverpi, Hamburg dhe Roterdam janë ato që janë prekur më rëndë nga trafiku i drogës që kryhet në rrugë detare.

Në fakt, është më e lehtë të fshehësh drogën mes fluksit të madh të ngarkesave dhe aktorëve të ndryshëm që kanë qasje në këto porte. Grupet kriminale europiane punojnë zakonisht përgjatë linjave etnike, familjare dhe gjuhësore, si bandat marokene apo shqiptare dhe ‘Ndrangheta’ kalabreze.

Kokaina është bërë gjithnjë e më e pastër, dhe pas kanabisit është sot droga e dytë më popullore në Europën Perëndimore dhe Qendrore. Ndër portet italiane ku Guardia di Finanza kryen numrin më të madh të sekuestrimeve dhe kontrolleve, është Gioia Tauro, i shndërruar në një udhëkryq për trafikun botëror të drogës. Atij i shtohet edhe porti detar i La Spezias ku trafiku i kokainës është në rendin e ditës./Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga