LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Transparenca e bashkive ndaj publikut, 71% e tyre në nivele mesatare ose të ulëta

12 Shkurt 2024, 11:31, Aktualitet CNA
Transparenca e bashkive ndaj publikut, 71% e tyre në nivele mesatare ose
Foto ilustruese

Numri i bashkive dhe qarqeve që kanë bërë një përpjekje për të përmirësuar transparencën ka ardhur në rritje, por akoma shumica mbeten në nivele mesatare, të ulëta ose shumë të ulëta.

Indeksi i Transparencës Pro Aktive që publikohet nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka dalë në përfundimin se për vitin 2023 janë të paktën 29 për qind e njësive të vetëqeverisjes vendore që kanë transparencë proaktive të lartë.

“Në përfundim të monitorimit të transparencës proaktive vërejmë se 21 njësi të vetëqeverisjes vendore janë klasifikuar me transparencë proaktive të lartë dhe në semafor janë shënuar me dritë të gjelbër, ndërsa 43 institucione të njësive të vetëqeverisjes vendore janë klasifikuar me transparencë proaktive mesatare dhe në semafor janë shënuar me dritë të bardhë; 6 njësi të vetëqeverisjes vendore janë renditur me transparencë proaktive të ulët dhe në semafor janë shënuar me dritë të verdhë; vetëm 3 njësi të vetëqeverisjes vendore janë klasifikuar me transparencë proaktive shumë të ulët dhe në semafor shënohen me dritë të kuqe.

Në krahasim me gjetjet e vitit të kaluar, kemi konstatuar rritje të transparencës tek njësitë e vetëqeverisjes vendore me semafor të gjelbër nga 21 % në vitin e kaluar në 29 % për këtë vit çka shënon dhe përmirësimin më të dukshëm të bërë nga të gjithë vitet e kaluara, në transparencën proaktive të autoriteteve publike të njësive të vetëqeverisjes vendore” thuhet në publikimin e Komisionerit.

Por cilët janë në fakt elementët që merren parasysh gjatë monitorimit dhe që ndërtojë këtë indeks për njësitë vendore?

Janë të paktën dhjetë tregues që vlerësohen duke nisur nga programi i transparencës që duhet të ketë çdo Bashki për të shkuar më pas te vendimet e Këshillit Bashkiak, jetëshkrimi i titullarit, institucionit apo kryebashkiakut, struktura apo organika e institucionit, raporte të auditit, parashikimi i prokurimeve dhe programi buxhetor afatmesëm.

Koordinatori për të drejtën e informimit, regjistri i kërkesave dhe përgjigjeve, legjislacioni dhe në fund koordinatori për konsultimet me publikun. Secili prej këtyre treguesve kur është i plotësuar vlerësohet me 1 pikë , i realizuar pjesërisht me 0.5 pikë dhe kur nuk ekziston me zero pikë./Monitor

Lajmet e fundit nga