web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

E hënë e ngarkuar/ KLSH dhe Prokurori i Përgjithshëm raportojnë në Komisione

15 Qershor 2026, 08:52, Aktualitet CNA

E hënë e ngarkuar/ KLSH dhe Prokurori i Përgjithshëm

Komisionet parlamentare do të zhvillojnë gjatë ditës së sotme një sërë mbledhjesh me në fokus shqyrtimin e projektligjeve, raporteve vjetore të institucioneve dhe ecurinë e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në orën 09:00, Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën do të shqyrtojë kërkesën e një grupi deputetësh të Partisë Socialiste për marrjen e masës disiplinore “përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe seancë plenare” ndaj deputetëve përkatës.

Ndërkohë, në orën 10:30, Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik do të shqyrtojë dhe miratojë projektrezolutat për Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) dhe Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD). Në rend dite është edhe prezantimi i draft-raportit për kontrollin post-legjislativ të ligjit për asistencën sociale, si dhe raporti vjetor i Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) për vitin 2025.

Në orën 11:00, Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat do të shqyrtojë projektligjin “Për sektorin e energjisë elektrike”, projektligjin “Për informacionin elektronik të transportit të mallrave”, si dhe raportin vjetor të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2025.

Po në të njëjtën orë, Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike do të vijojë shqyrtimin nen për nen dhe në tërësi të projektligjit “Për dhënie amnistie”, ndërsa do të zhvillojë edhe një seancë dëgjimore mbi raportin vjetor të Prokurorit të Përgjithshëm për gjendjen e kriminalitetit gjatë vitit 2025.

Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën do të diskutojë fillimisht kalendarin e punës për periudhën 15 qershor – 3 korrik 2026, ndërsa në orën 13:00 do të zhvillojë një seancë dëgjimore mbi raportin vjetor të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri (ISKK) për vitin 2025.

Ndërkohë, Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme do të mbajë dy seanca dëgjimore mbi ecurinë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në orën 12:00 do të diskutohen Kapitulli 22 “Politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore”, Kapitulli 5 “Prokurimi publik” dhe Kapitulli 18 “Statistikat”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse.

Më pas, në orën 14:00, fokusi do të jetë te Kapitulli 30 “Marrëdhëniet me jashtë” dhe Kapitulli 31 “Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes”, ku do të raportojnë përfaqësues të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.

Mbledhjet e sotme konsiderohen të rëndësishme për ecurinë e reformave, procesin e integrimit europian dhe monitorimin e veprimtarisë së institucioneve publike./ CNA





Lajmet e fundit nga