LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

"Dikush humbi toruan dhe kërciti koburja"/ Artan Hoxha zbulon detaje të tjera për vrasjen e Xhuvanit

27 Qershor 2022, 21:59, Kronika CNA
"Dikush humbi toruan dhe kërciti koburja"/ Artan Hoxha zbulon
Artan Hoxha

Ditën e sotme janë vendosur në arrest shtëpie dy nëndrejtorë të policisë për ngjarjen e ndodhur në Elbasan gjatë fushatës zgjedhore, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani. 

Artan Hoxha shpjegoi edhe një herë përplasjen, duke deklaruar se ekziston një video që e tregon të gjithë ngjarjen. 

I ftuar në "Të Paekspozuarit" me Ylli Rakipin, Hoxha tha se gjatë ngjarjes, dikush humbi toruan dhe "kërciti koburja", në prezencë të policisë. 

"Ngjarja ka ndodhur në 21 prill 2021, më shumë se 1 vit e tre muaj më parë. Pyetja që lind, përse u bënë arrestimet sot, çfarë ka ndyshuar? Pas ngjarjes janë shoqëruar 12 persona. Në ngjarje, përveç doktorit që u vra, u plagos rëndë dhëndri i tij, dy pjesëtarë të SMV-ve të famshme, që Gaz Bardhi i quajti struktura të mbrojtjes së votës. Në atë ngjarje u plagos një punonjë policie dhe dy persona të tjerë pjesëtar të SMV.

Pak më shumë se një vit nga ajo ngjarje, në burg ndodhet vetëm ish pjesëtari i RENEA, Arbër Papleka. Çështja ishte drejt shuarjes. Prokuroria ka afatin e fundit 21 korrik. Si akt, edhe pse është bërë me vonesë, duhet përshëndetur.

Ky hetim brenda, ka edhe vepra penale të krimit zgjedhor. Po hetohet edhe për krim elektoral. Ka persona që ose kanë qenë në masë sigurie, ose kanë qenë nën hetim, që po hetohen për akuzën e krimit elektoral.

Pse ka ngelur te nëndrejtorët?

Nuk e di çfarë deklarimesh kanë dhënë. Por kam parë pamjet e asaj ngjarjeje, që doja t'i publikoja. Në gjykimin që pata, mendoja që po t'i publikoja do t'i jepte pikë mazhorancës.

Kemi vetëm Arbër Paplekën të ndaluar. Në dijeninë time ka pasur tentativë edhe për të arritur marrëveshje që çështja të mos shkojë më tej. Po të dalë ajo video, do të shohim skenë krejt tjetër. Në pamje, drejtues të territorit nuk janë dy nëndrejtorët, por një person tjetër që rri në këmbë. Kur të dalin pamjet, skena ka qenë moment që dikush ka humbur toruan dhe ka kërcitur koburja.

A do ta marrim vesh 100% çfarë ka ndodhur? Do të jetë shumë e vështirë. Por do të gjendet një mekanizëm, që mishi të piqet dhe helli të mos digjet.

Pamjet dëshmojnë që zoti i territorit në atë fushatë zgjedhore nuk ishte policia. Kemi policë ditëzinj që ngrenë duart dhe kthejnë kokën nga të dyja anët dhe ka kobure. Skena tregon se sa jashtë kontrollit të situatës në Elbasan ishte ajo fushatë zgjedhore. Nëse në 25 prill do të fitonte opozita, do të kishim një hetim tjetër. Jam kurioz si do të shkojë procesi.

Ishalla nuk i ngelet ish-pjesëtarit të RENEA-s, sepse ka katër fëmijë dhe e kanë marrë në qafë.

Pas ngjarjes, çfarë ndodhi? Berisha i thoshte Gaz Bardhit që ke foto me Suelin. Gaz Bardhi thoshte ke folur ti me Suelin", tha ndër të tjera Hoxha./CNA.al

Lajmet e fundit nga