LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Sekretari Blinken nuk amnistoi korrupsionin dhe aferat/ SPAK duhet të ngjitet lart

19 Shkurt 2024, 12:41, Editorial CNA
Sekretari Blinken nuk amnistoi korrupsionin dhe aferat/ SPAK duhet të
Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken

Dikush thoshte se ardhja e Antony Blinken-it ishte një qokë për kryeministrin Edi Rama, a thua se kishte ardhur Sekretari amerikan i Shtetit të hante kërnacka Korçe te Pazari i Ri.

Dikush tjetër thoshte se Sekretari Blinken kishte amnistuar dosjen “McGonigal” dhe kjo histori tashmë ishte mbyllur, dikush tjetër thoshte se Sekretari Blinken është një njeri që po mbështet një armik të demokracisë si Edi Rama, një tjetër thoshte se e solli George Soros-i, e kështu me radhë.

Në fakt, e vërteta është një. Sekretari Blinken nuk është i pari dhe i fundit që vjen në Shqipëri, kanë ardhur dhe të tjerë para tij dhe gjithmonë artikulojnë një mbështetje ndaj Shqipërisë si një vend partner.

Gjithashtu, në të gjitha rastet kanë mbështetur kryeministrat në detyrë, duke i quajtur ata njerëz me vlera, liderë që kanë një demokraci në zhvillim, siç ka qenë Sali Berisha që më pas e shpallën “non grata” apo kryeministri Rama, një lider shumë i mirë, plot me ngjyra, që kishte zhvilluar Shqipërinë, siç tha zoti Blinken.

 

Ndaj, të gjitha këto janë qëndrime politike, publike. Askush të mos presë që të vijë një sekretar amerikan dhe të thotë demokracia është ku thërret qameti, ky kryeministër duhet të ikë, etj., si këto, sepse këto nuk ndodhin në diplomaci.

Sekretari amerikan vjen dhe jep një mbështetje publike të qartë dhe gjithmonë ndaj qeverisë, ndaj një vendi partner siç është Shqipëria, nuk ka dyshime vendi më proamerikan në botë dhe më pas largohet me një agjendë mjaft të qartë diplomatike, e cila është shumë e vështirë të ndryshojë në Departamentin e Shtetit nga ardhja apo ikja e një sekretari.

Sekretari Blinken nuk amnistoi korrupsionin dhe aferat/ SPAK duhet të

Mbështetja e qeverisë ka për të mbetur gjithmonë e njëjtë. Shpallet apo jo “non grata” Sali Berisha, mbështetet ose jo Edi Rama, Shqipëria do të mbetet një partner strategjik i SHBA-së.

Nga ana tjetër, teoritë se u amnistuan dhe u mbyllën dosjet nuk i beson më askush. Nuk ka shans që të shkojë Blinken të takojë kreun e SPAK-ut, Altin Dumanin, apo njerëzit e drejtësisë dhe t’u thotë mbylleni dosjen e inceneratorëve dhe mos shkoni lart.

Sekretari Blinken nuk amnistoi korrupsionin dhe aferat/ SPAK duhet të
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken me krerët e drejtësisë në Shqipër

Përkundrazi, në të gjitha artikulimet e ambasadës, DASH-it, vetë sekretarit dhe çdo individi që ka mbështetur Reformën në Drejtësi thuhet se drejtësia duhet të shkojë sa më lart.

Pra, nuk u vihet kapaku inceneratorëve me disa drejtorë të Bashkisë së Tiranës, nuk mbyllet dosja “McGonigal” se ç’thotë Agron Neza para SPAK-ut, apo Dorian Duçka sepse ka hetime të FBI-së që vazhdojnë dhe nuk është mbyllur dosja thjeshtë dhe vetëm me dënimin e McGonigalit.

Nuk vjen Sekretari amerikan i Shtetit që të amnistojë krimet dhe korrupsionin, koncesionet dhe PPP-të, vjen për të inkurajuar që t’i shkohet deri në fund çdo afere që është bërë në këto 10 vite me zullume që fillojnë dhe nuk kanë fund.

Për më tepër, frika ndaj ligjit dhe pandëshkueshmërisë nuk po mbizotëron, por thjesht dhe vetëm gjenden instrumente më të sofistikuara për të vazhduar korrupsionin.

Ndaj dhe Sekretari amerikan i Shtetit nuk erdhi në Shqipëri për të amnistuar kënd, erdhi për të mbështetur shqiptarët, ndoshta për të mbështetur dhe kryeministrin në detyrë, zotin Rama publikisht.

Asnjëherë, në asnjë rast nuk vjen një Sekretar Shteti për të amnistuar korrupsionin e krimin, por vjen për ta mbështetur luftën ndaj tij, ndaj dhe mesazhi ishte i qartë në takimin që pati me Dumanin, kreun e SPAK-ut, institucionin dhe strukturën e financuar nga SHBA-ja në kuadër të Reformës në Drejtësi nga e cila pritet ende shumë, më shumë rezultate konkrete, më shumë çështje të zbardhura deri në fund, më shumë të vërteta të nxjerra në dritë dhe nxjerrja para përgjegjësisë e përgjegjësve jo për statistikë, por për të treguar se drejtësia funksionon dhe zullumqarët do të përballen me të në çdo rast, në çdo kohë dhe në çdo post qofshin./ CNA

17:09 Editorial

ËSHTË KOHA E SPAK

Tani nga SPAK-u pritet vërtet më shumë. Ndërkombëtarët...

Lajmet e fundit nga