LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

A duhet të ndërhyjmë për ta modifikuar motin?

15 Prill 2023, 18:58, Blog CNA

A duhet të ndërhyjmë për ta modifikuar motin?

Ndërsa klima e planetit tonë po bëhet gjithmonë e më e nxehtë, po nxehet edhe debati në lidhje me përgjigjen më të guximshme ndaj saj:gjeoinxhinierinë, ose modifikimin e qëllimshëm të atmosferës për të luftuar ngrohjen globale. 

Në vitin 2010, kur Ken Kaldeira dhe David Keit publikuan librin “Nevoja për kërkimet inxhinierike mbi klimën”, gjeoinxhinieria nuk kishte thuajse asnjë mbështetje. Sot nuk është më kështu. Kritikët e hershëm të kësaj qasjeje si Klajv Hemilton e hodhën poshtë gjeoinxhinierinë, pasi “ajo zynon të luajë rolin e Zotit”.

Por ky argument bie para syve të atyre që nuk besojnë se një qenie hyjnore po mbron fatin e planetit. Një version më laik i kundërshtimit, mund të thotë se duhet ta lëmë natyrën të qetë, por kjo betejë u humb dekada më parë. Ne njerëzit e kemi pushtuar tashmë natyrën, në një masë të tillë që shumë shkencëtarë sugjerojnë se tani jemi në prag të një epokë të re gjeologjike: Antropocenit.

Prandaj gjeoinxhinieria është rikthyer në qendrës të axhendës së njerëzimit. Në vitin 2020, Kongresi Amerikan e udhëzoi Administratën Kombëtare të Oqeanit dhe Atmosferës (NOAA) të nisë një hulumtim disavjeçar për të hetuar si aktivitetet natyrore po ashtu edhe ato njerëzore, që mund të ndryshojnë reflektimin e stratosferës, dhe se si ato aktivitete mund të ndikojnë në planetin tonë. 

Në vitin 2020, NOAA nisi të japë fonde për projekte të tilla. Ndërkohë, Akademitë Kombëtare të Shkencave, Inxhinierisë dhe Mjekësisë, rekomanduan shpenzimin e 200 milionë dollarëve për një program kërkimi për të parë nëse ekziston një mënyrë e sigurt për të ftohur planetin.

Kur Kaldeira dhe Keith shkruanin mbi inxhinierinë e klimës, u diskutuan disa qasje, si shtimi i hekurit të tretshëm në oqeane për të rritur rritjen e fitoplanktonit, që do të thithte dioksidin e karbonit nga atmosfera. Kërkimet nuk arritën ta vërtetonin këtë qasje.

Kërkimet aktuale janë përqendruar në modifikimin e rrezatimit diellor (SRM), i njohur gjithashtu si menaxhimi i rrezatimit diellor, i cili synon të pasqyrojë një pjesë të vogël të rrezatimit diellor që ngroh sipërfaqen e Tokës. Shpërthimi i malit vullkanik Pinatubo në vitin 1991, hodhi në stratosferë 15 milionë ton dioksid squfuri.

Atje ai u përzje me ujin, duke formuar një shtresë grimcash të njohura si aerosole. Kjo shtresë e zvogëloi sasinë e rrezatimit diellor që arrinte në sipërfaqen e Tokës, duke e ulur me 0.6 gradë Celsius temperaturën mesatare globale për 15 muajt e ardhshëm. 

Kjo bëri që disa shkencëtarë të pyesin nëse mund të krijojmë artificialisht një efekt të ngjashëm, duke lëshuar qëllimisht aerosole në stratosferë. Por askush prej tyre nuk do të pretendonte që ne jemi gati të provojmë diçka të tillë tani. Ndaj debati i vërtetë është nëse duhet ndërmarrë hapi paraprak: të kryejmë kërkime që mund ta bëjnë SRM-në të realizueshme. 

Dy letra të hapura japin përgjigje të kundërta. Në janarin e vitit 2022, një grup shkencëtarësh publikua një mesazh drejtuar qeverive dhe Kombeve të Bashkuara, duke u bërë thirrje për një nënshkrimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare të Mospërdorimit për Gjeoinxhinierinë Diellore. Letra, e nënshkruar nga më shumë se 400 studiues nga më shumë se 60 vende të botës, ndalet tek 3 shqetësime kryesore. 

Së pari, ne nuk jemi në gjendje të kuptojmë plotësisht rreziqet e gjeoinxhinierisë, duke pasur parasysh kompleksitetin e modeleve globale dhe rajonale të motit. Së dyti, besueshmëria e tepruar tek ideja se gjeoinxhinieria mund të na shpëtojë nga ngrohja katastrofike globale, do të dobësojë vendosmërinë tonë për të trajtuar shkakun rrënjësor të ndryshimit të klimës dhe shkuar drejt zero emetimeve të gazrave serë në atmosferë. Dhe së treti, na mungon çdo sistem qeverisjeje globale që të ketë autoritetin për të kontrolluar vendosjen e gjeoinxhinierisë në një mënyrë që do të ishte e drejtë, gjithëpërfshirëse dhe efektive.

Në shkurt të këtij viti në media u botua një tjetër letër e hapur, që bënte thirrje për një “hulumtim të balancuar”. Nënshkruesit, që ishin sërish shkencëtarë dhe akademikë, e pranojnë që ne duhet të trajtojmë shkakun rrënjësor të ngrohjes globale duke reduktuar emetimet tona dhe duke e hequr sa më shumë CO2 nga atmosfera, dhe të pranojmë se SRM mbart rreziqet e veta mjedisore. Megjithatë, përballë zgjedhjes midis një refuzimi të rreptë për të shqyrtuar metodën e SRM dhe një “hulumtimit të plotë dhe kritik”, ata preferojnë këtë të fundit.

Dhjetë vjet më parë, nuk do të kisha nënshkruar një apel për kërkime në gjeoinxhinieri, por e firmosa peticionin e dytë. E ndryshova pikëpamjen time sepse sot jemi në një situatë më të dëshpëruar sesa një dekadë më parë. 

Ndryshimet klimatike po ndodhin më shpejt se sa ishte parashikuar më parë, me rekorde të reja të temperaturës, thatësirave, përmbytjeve më shkatërruese dhe stuhive më intensive. Pavarësisht nga këto shenja të forta paralajmëruese, pak vende janë në rrugën e duhur për të arritur reduktimin e emetimeve të nevojshme për të mbajtur ngrohjen globale nën nivelin 1.5ºC apo edhe 2ºC në krahasim me epokën para-industriale.

Është e vërtetë, siç thuhet edhe në letrën që kundërshton çdo përdorim të gjeoinxhinierisë, që ne nuk mund të kemi asnjëherë siguri të plotë mbi rreziqet e SRM. Por jemi gjithashtu shumë larg nga siguria për ndikimin eventual të gazrave serë që kemi hedhur tashmë në atmosferë dhe të atyre që do të vazhdojmë të lëshojmë. Çdo skenar bart rreziqe. Aktualisht nuk kemi asnjë ide nëse rreziqet e eksperimentimit me SRM janë më të mëdha sesa rreziqet nga mos-eksperimentimit me të. Përpjekja për ta zbuluar do të ishte një lëvizje e mençur./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga